alarm ne poloni pas sulmeve ruse ne ukraine raportohet per shperthime ne fshatra ngrihen avionet luftarake 6b001cdbd3924

Alarm në Poloni pas sulmeve ruse në Ukrainë! Raportohet për shpërthime në fshatra, ngrihen avionët luftarakë

November 20, 2026
min lexim

Alarmi është dhënë që në orët e para të mëngjesit të së premtes në Poloni, pas sulmit masiv ajror të Rusisë ndaj Ukrainës. Forcat e Armatosura polake po hetojnë dy raste të mundshme të shkeljes së hapësirës ajrore të vendit nga objekte fluturuese të paidentifikuara.

Ndërkohë, ka raportime për rënien e objekteve pranë kufirit me Ukrainën, ndërsa njëri prej tyre dyshohet se ka shkaktuar shpërthim dhe zjarr.

Qendra Qeveritare e Sigurisë së Polonisë (RCB) u ka dërguar mesazhe urgjente paralajmëruese në telefonat celularë banorëve të disa zonave në rajonet e Lublinit dhe Podkarpackie, në pjesën lindore dhe juglindore të vendit.

“KUJDES! Sulm ajror rus në Ukrainë. Situata po monitorohet. Është rritur gatishmëria e sistemit polak të mbrojtjes kundërajrore. Prisni njoftime të mëtejshme”, thuhej në mesazhin e parë.

Rreth orës 03:30 me orën lokale, Komanda Operacionale e Forcave të Armatosura polake njoftoi se, për shkak të sulmeve ajrore ruse në Ukrainë, ishin aktivizuar forcat dhe mjetet e nevojshme të mbrojtjes kundërajrore të Polonisë, ndërsa avionët luftarakë ishin ngritur në ajër.

Sipas autoriteteve ushtarake, masat kishin karakter parandalues dhe synonin mbrojtjen e hapësirës ajrore polake, veçanërisht në zonat kufitare me Ukrainën.

Pak pas orës 07:00, autoritetet njoftuan se po shqyrtohej mundësia e shkeljes së hapësirës ajrore nga objekte fluturuese të paidentifikuara.

“Për shkak të dyshimeve për shkelje të hapësirës ajrore të Republikës së Polonisë nga objekte ajrore të paidentifikuara, Qendrës Qeveritare të Sigurisë i janë përcjellë informacione për një kërcënim ajror. Aktualisht po verifikohen të dhënat e sistemeve të radarëve dhe, nëse do të jetë e nevojshme, do të merren masa për përballimin e kërcënimit të mundshëm”, njoftoi Komanda Ushtarake në një deklaratë në platformën X.

Pas kësaj, banorëve të dy rajoneve iu dërgua një tjetër mesazh paralajmërues, ku theksohej se bëhej fjalë për nivelin më të lartë të alarmit.

“Gjeni një vend të sigurt. Ndiqni udhëzimet e shërbimeve përkatëse. Prisni njoftime të mëtejshme”, thuhej në mesazh.

Alarmi u hoq në orën 07:35, kur autoritetet njoftuan se “kërcënimi nga sulmi ajror është eliminuar” dhe se “nuk ekziston rrezik në territorin e Polonisë”.

Megjithatë, një alarm i ri u dha në orën 09:30 të mëngjesit të së premtes në të njëjtat rajone, ndërsa sirenat u aktivizuan për shkak të sulmeve ruse në Ukrainë.

Dyshime për shkelje të hapësirës ajrore dhe rënie objektesh pranë kufirit

Sipas një zëdhënësi të Komandës Operacionale të Forcave të Armatosura, shkeljet e mundshme u regjistruan pas orës 06:30. Gjithashtu, po shqyrtohen informacione për rënien e një objekti pranë fshatit Chmielek, në zonën e Biłgoraj, rreth 45 kilometra larg kufirit ukrainas.

“Po hetojmë dy shkelje të mundshme të hapësirës ajrore. Po mbledhim informacione si nga aleatët tanë, ashtu edhe nga banorët. Natyrisht, kemi gjithashtu të dhënat e sistemeve tona të radarëve, të cilat tregojnë se mund të ketë ndodhur rënia e një objekti në këtë zonë”, deklaroi zëdhënësi për televizionin TVN24.

Ai sqaroi se autoritetet ishin informuar nga banorët për rënien e mundshme të një objekti pranë Chmielek, në zonën e Nowy Lipowiec, ndërsa në vendngjarje pritej të mbërrinte një ekip tokësor kërkim-shpëtimi i Forcave Territoriale të Mbrojtjes polake.

Oficeri i lartë Dariusz Dziauło deklaroi për TVN24 se ende nuk ishte përcaktuar se çfarë lloj objekti kishte rënë në këtë zonë.

“Këtë do ta përcaktojnë ekspertët. Për momentin, qasja te objekti është jashtëzakonisht e vështirë, pasi ai vazhdon të digjet”, tha ai.

Zona u rrethua, ndërsa autoritetet u bënë thirrje të forta qytetarëve që të mos i afrohen vendit të ngjarjes.

“Rekomandojmë kategorikisht që askush të mos afrohet deri në momentin kur ekspertët të përcaktojnë se me çfarë kemi të bëjmë, nëse bëhet fjalë për një raketë apo dron dhe nëse ai përmban substanca që mund të rrezikojnë jetën dhe shëndetin e personave që ndodhen pranë tij”, theksuan autoritetet.

Ndërkohë, Prokuroria e Lublinit njoftoi se ka nisur një hetim për zbulimin e objekteve fluturuese të paidentifikuara në zonën e Biłgoraj, duke iu referuar disa pikave ku dyshohet se kanë rënë objekte.

Në hetime po marrin pjesë sektori ushtarak i Prokurorisë, Policia Ushtarake dhe Shërbimi i Kundërzbulimit Ushtarak.

Autoritetet po përpiqen të përcaktojnë numrin e saktë dhe natyrën e objekteve, ndërsa informacione të tjera pritet të bëhen publike pas përfundimit të këqyrjeve të para në terren.

Tusk mbledh ministrat dhe përfaqësuesit e ushtrisë në një takim urgjent

Ndërkohë, kryeministri polak Donald Tusk, për shkak të shkeljes së mundshme të hapësirës ajrore të vendit, thirri një mbledhje urgjente me pjesëmarrjen e ministrave, përfaqësuesve të Ushtrisë Polake dhe drejtuesve të shërbimeve të sigurisë.

Nga ana e tij, ministri i Brendshëm konfirmoi se kishte ndodhur një shkelje e hapësirës ajrore polake dhe deklaroi se ishte në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Mbrojtjes, Qendrën Qeveritare të Sigurisë, Policinë dhe Shërbimin Zjarrfikës.

Autoritetet polake po vijojnë hetimet për të përcaktuar origjinën e objekteve dhe rrethanat e sakta të incidenteve. Deri më tani, nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse bëhet fjalë për raketa ruse apo mjete ajrore pa pilot (dronë).

Mbyllet për herë të parë aeroporti i Rzeszów, pezullohen fluturimet edhe në Lublin

Situata ka shkaktuar probleme serioze edhe në transport.

Agjencia Polake e Shërbimeve të Lundrimit Ajror njoftoi pezullimin e përkohshëm të fluturimeve në aeroportin e Rzeszów, për shkak të aktivitetit të avionëve ushtarakë. Për herë të parë në historinë e tij, u evakuua edhe kulla e kontrollit të trafikut ajror.

Njoftimi u bë të premten (20 nëntor) nga ministri polak i Infrastrukturës, Dariusz Klimczak, përmes një postimi në platformën X.

“Për shkak të kërcënimit të sotëm nga një sulm ajror në hapësirën ajrore të Republikës së Polonisë, drejtuesit e Agjencisë Polake të Shërbimeve të Lundrimit Ajror vendosën, për herë të parë, evakuimin e kullës së kontrollit të trafikut ajror në aeroportin Rzeszów-Jasionka”, shkroi ai.

Sipas ministrit, nëntë persona, mes tyre gjashtë anëtarë të personelit operacional, u zhvendosën në një ambient të përkohshëm të mbrojtur për arsye sigurie.

Klimczak shtoi se evakuime të ngjashme të personelit të kullës së kontrollit në aeroportin e Lublinit ishin kryer edhe dy herë të tjera në të kaluarën.

Ndërkohë, edhe aeroporti i Lublinit pezulloi fluturimet për shkak të lëvizjes së avionëve luftarakë polakë në zonë.

Paralelisht, qarkullimi hekurudhor u ndërpre përkohësisht në të gjithë rajonin e Podkarpackie deri në orën 07:33.

Ministri i Infrastrukturës, Dariusz Klimczak, njoftoi se në orën 06:48 një punonjës përgjegjës për qarkullimin hekurudhor në Rudnik nad Sanem kishte dëgjuar një shpërthim të fuqishëm pranë shinave.

Gjatë kontrollit fillestar nuk u konstatuan dëmtime të dukshme në infrastrukturën hekurudhore, megjithatë u vendos dërgimi i mjeteve të posaçme të inspektimit për kontrollin e linjës.

Qarkullimi hekurudhor u rikthye në pjesën më të madhe të rajonit, por mbeti i pezulluar në segmentin Nisko – Rudnik nad Sanem – Lętowina, ku kontrollet vijuan.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

detaje nga operacioni risia flavio islamaj braktisi automjetin dhe u arratis mariglen vata kishte rolin e big brother 6b001ca5be81d
Lajmi i mëparshëm

Detaje nga operacioni “Risia”, Flavio Islamaj braktisi automjetin dhe u arratis, Mariglen Vata kishte rolin e “Big Brother”

aksion antidroge ne struge bastisje me urdher gjykate ne frengove arrestohet 47 vjecari 6b001d329e323
Lajmi i radhës

Aksion antidrogë në Strugë: Bastisje me urdhër gjykate në Frëngovë, arrestohet 47-vjeçari!

Të fundit nga

ShkoLartë