Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar vendimin e Kuvendit për miratimin e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike, duke pretenduar se ato u hapin rrugë reduktimeve për 60 ditët e ardhshme.
Përmes një reagimi në Facebook, Bajrami ka deklaruar se vendimi i miratuar pas mesnatës nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk e përmirëson furnizimin me energji, por, sipas saj, u krijon mbrojtje kompanive të furnizimit dhe shpërndarjes nga paditë eventuale për dëmet e shkaktuara nga ndërprerjet.
“Tash, për 60 ditë, energjia mund të ndërpritet kurdo dhe kudo, sepse këtë e lejon Kuvendi me vendim. Pra, ky vendim nuk e përmirëson furnizimin me energji, ky vendim e mbron KEDS/KESCO-n nga paditë eventuale për dëmet që po bëhen nga ndërprerjet e energjisë elektrike”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka theksuar se vendimi e obligon ndërmarrjen “Ibër-Lepenci” të prodhojë energji elektrike për konsumatorët me të drejtë shërbimi universal, por ka vënë në dyshim ndikimin e këtij veprimi në përmirësimin e furnizimit.
“Po, vendimi e detyron edhe Ibër-Lepencin të prodhojë energji për Shërbimin Universal, por kapaciteti i instaluar i tij është vetëm rreth 30 MW. Tash mendojeni vetë sa mundet me u përmirësu gjendja me 30 MW”, ka deklaruar ajo.
Sipas deputetes së LDK-së, masat emergjente do të shërbejnë për arsyetimin e reduktimeve, blerjen e energjisë elektrike duke anashkaluar rregullat e prokurimit publik, si dhe kontraktimin e kompanive për investime dhe remonte në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), pa procedurat e zakonshme të prokurimit.
Bajrami ka kujtuar se masat emergjente në sektorin e energjisë ishin shpallur për herë të parë më 21 dhjetor 2021, duke kritikuar Qeverinë që, sipas saj, vazhdon të mbështetet në masa të tilla edhe pas gati 5 vjetësh.
Ajo ka renditur një sërë problemesh që, sipas saj, vazhdojnë ta rëndojnë sektorin energjetik, përfshirë mungesën e kontratave afatgjata për blerjen e energjisë, dështimet në remonte, moszbatimin e Strategjisë së Energjisë dhe mungesën e kapaciteteve të reja prodhuese.
Deputetja opozitare ka vlerësuar se ndërtimi i kapaciteteve të reja gjeneruese është zgjidhja e vetme për të shmangur thellimin e krizës energjetike.
“Jemi vonë, por nëse nuk fillojmë, kriza vetëm do të thellohet, shumë shpejt do të vijmë në pikën ku as qytetarët e as buxheti i Kosovës s’ka me i përballu faturat e energjisë”, ka paralajmëruar Bajrami.
Kuvendi i Kosovës miratoi pas mesnatës, me 61 vota për, vendimin e Qeverisë për vendosjen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike, të cilat do të jenë në fuqi për 60 ditë.
Vendimi parasheh, ndër të tjera, angazhimin e ndërmarrjes “Ibër-Lepenci” për prodhimin e energjisë nga Ujmani dhe themelimin e një Komiteti Teknik Emergjent.
Pretendimet e Bajramit për pasojat ligjore të vendimit dhe mundësinë e anashkalimit të procedurave të prokurimit janë qëndrime të saj, të cilat nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.
Burimi: botasot.info


