akuzohet per cenim te interesit kombetar policia indiane bastis shtepine e aktivistit te njohur mjedisor parate i merrte nga 695eb92609ead

Akuzohet për cenim të interesit kombëtar, policia indiane bastis shtëpinë e aktivistit të njohur mjedisor: Paratë i merrte nga…

January 7, 2026
min lexim

Autoritetet indiane kanë bastisur shtëpinë e një prej aktivistëve më të njohur mjedisorë të vendit, mes akuzave se fushatat e tij për kufizimin e përdorimit të karburanteve fosile po dëmtonin interesin kombëtar të Indisë.

Hetues nga Drejtoria e Zbatimit të Ligjit (Enforcement Directorate – ED) njoftuan se kanë kontrolluar banesën e Harjeet Singh dhe bashkëshortes së tij, Jyoti Awasthi, bashkëthemelues të organizatës Satat Sampada (Nature Forever). Sipas ED-së, çifti dyshohet se ka përfituar rreth 500 mijë paund për të promovuar në Indi Traktatin për Mospërhapjen e Karburanteve Fosile (FFNPT).

Në një deklaratë zyrtare, ED – agjenci që vepron nën Ministrinë e Financave dhe merret me hetimin e krimeve financiare – tha se fondet janë marrë si “pagesa konsulence”, por se verifikimet tregojnë se ato kishin për qëllim promovimin e axhendës së FFNPT-së në Indi. Sipas autoriteteve, këto fonde vinin nga organizata ndërkombëtare që më herët kishin përfituar financime të mëdha nga rrjete filantropike si Rockefeller Philanthropy Advisors, shkruan Guardian.

FFNPT është një nismë ndërkombëtare që kërkon ndalimin e eksplorimit të burimeve të reja fosile dhe eliminimin gradual të përdorimit të tyre. Ajo mbështetet nga 17 qeveri kombëtare, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Parlamenti Europian.

Zyrtarët e ED-së pretendojnë se, ndonëse paraqitet si një nismë klimatike, miratimi i një traktati të tillë mund ta ekspozojë Indinë ndaj padive në forume ndërkombëtare, përfshirë Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhe të rrezikojë sigurinë energjetike dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Gjatë kontrolleve, hetuesit thanë se gjetën edhe një sasi të madhe pijesh alkoolike mbi kufirin ligjor në banesën e Singh në Delhi. Ai u arrestua nga policia lokale dhe më pas u lirua me kusht të hënën në mbrëmje. Autoritetet po hetojnë gjithashtu udhëtimet e tij në Pakistan dhe Bangladesh gjatë vitit të kaluar dhe mënyrën e financimit të tyre.

Nga ana e tyre, Singh dhe Awasthi i kanë mohuar akuzat, duke i quajtur “të pabaza, të njëanshme dhe keqinformuese”, ndërsa thanë se nuk mund të japin detaje për shkak të procesit ligjor. Ata theksuan se Satat Sampada është themeluar në vitin 2016 me kursimet personale dhe kredi të siguruara me banesën e tyre, ndërsa aktiviteti i konsulencës u zgjerua në vitin 2021.

Singh është një figurë e njohur në negociatat klimatike të OKB-së (COP) dhe ka bashkëpunuar për më shumë se dy dekada me organizata ndërkombëtare si ActionAid dhe Climate Action Network.

Rasti vjen në një klimë të tensionuar për shoqërinë civile në Indi, ku nën qeverisjen e kryeministrit Narendra Modi, mijëra licenca për financime të huaja janë pezulluar dhe shumë organizata janë mbyllur.


Top Channel

Burimi: top channel

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

te shtena me arme ne minneapolis oficeri qellon per vdekje nje grua 695eb7753269f
Lajmi i mëparshëm

Të shtëna me armë në Minneapolis/ Oficeri qëllon për vdekje një grua

rreshqitje masive e dherave ne aksin qukes qafe plloce bllokohet qarkullimi 695ebc3526dba
Lajmi i radhës

Rrëshqitje masive e dherave në aksin Qukës-Qafë Plloçë, bllokohet qarkullimi

Të fundit nga

ShkoLartë