Ministri në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, në ka treguar për përfshirjen e tij si palë e dëmtuar në rastin ndaj Fatmir Shehollit, i cili po akuzohet nga Prokuroria Speciale për spiunazh dhe shantazh.
Rashiq, ka deklaruar se në korrik të vitit 2025 disa prej bashkëpunëtorëve të tij janë kontaktuar nga një person që është prezantuar si pjesëtar i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA).
Sipas tij, bashkëpunëtorëve u është kërkuar që të udhëtonin në Beograd për një takim, ndërsa në të kundërtën u janë bërë paralajmërime kërcënuese.
“Kjo ka ndodhur më 24 korrik të vitit të kaluar. Një ditë, pasdite, diku rreth orës pesë ose gjashtë, disa prej bashkëpunëtorëve të mi të ministrisë kanë marrë telefonata nga një numër nga Serbia. Po e parafrazoj çka u kanë thënë: Unë jam nga BIA, po ju thërrasim për të mirën e juve që të vini të bisedoni me ne, sepse përndryshe keq për ju”, ka treguar Rashiq se u është thënë bashkëpunëtorëve të tij.
Ai ka deklaruar se bëhej fjalë për gjashtë bashkëpunëtorët e tij, të cilët më pas e kanë informuar për telefonatat.
“Unë ju thashë se askush nuk guxon të shkojë në Serbi, e në veçanti të shkojë të takohet me ta. U thashë se nuk ka asnjë shans”, ka thënë Rashiq.
Sipas tij, telefonatat nuk kanë përfunduar me kaq. Një ditë para ditës së caktuar për udhëtim, personat janë kontaktuar përsëri dhe janë pyetur nëse do të shkonin në Beograd.
Pasi nuk kanë marrë përgjigje, sipas Rashiqit, janë dërguar disa video-incizime të cilat pretendohej se ishin komprometuese.
“Ata m’i kanë treguar ato incizime dhe unë u kam thënë: ‘Absolutisht mos u përgjigjeni’, sepse mund të jenë të rreme, të manipuluara ose të montuara”, ka deklaruar ai.
Rashiq ka thënë se më pas këto materiale janë publikuar në portalin “Pa Rrotulla”, rreth 20 deri në 30 ditë pas ngjarjeve.
Ai ka deklaruar se e ka raportuar rastin në Polici që në ditët e para, duke theksuar se sheh një ndërlidhje mes kërcënimeve ndaj bashkëpunëtorëve të tij dhe materialeve që më vonë janë publikuar.
“Prandaj, besoj se ekziston një ndërlidhje dhe se ne kemi qenë të dëmtuar nga kjo”, ka thënë Rashiq për Telegrafin.
Në deklarimin e tij të dhënë në polici, Rashiq ka përmendur edhe nofkën “Panta”, me të cilën, sipas tij, ishte prezantuar personi që kishte telefonuar bashkëpunëtorët e tij.
Rashiq ka theksuar se raste të tilla, sipas tij, nuk janë të reja dhe se periudhat para zgjedhjeve janë shoqëruar me sulme kibernetike, tentativa për rekrutimin e bashkëpunëtorëve dhe kërcënime.
“Po e përsëris, nuk është hera e parë. Sidomos kur afrohen zgjedhjet, çdo proces i tillë shoqërohet jo vetëm me sulme të kësaj forme dhe përpjekje për t’i rekrutuar apo marrë bashkëpunëtorët, por edhe me kërcënime ndaj individëve të ndryshëm, ndaj familjarëve të mi, familjarëve të bashkëpunëtorëve të mi dhe ndaj vetë bashkëpunëtorëve”, ka deklaruar Rashiq.
Ai e ka cilësuar këtë si një veprimtari të vazhdueshme që, sipas tij, ka zgjatur prej vitesh.
“Është një sistem i tërë që vazhdimisht merret drejtpërdrejt me ne dhe zhvillon një lloj lufte speciale ndaj nesh. Kjo vazhdon prej shumë vitesh. Sa më kujtohet mua, ndoshta prej 12 vjetësh, dhe unë vazhdimisht kam qenë cak i tyre”, ka ka thënë Rashiq.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj Fatmir Shehollit, sipas dosjes së publikuar, përmenden materiale audio dhe transkripte të bisedave të zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, të cilat, sipas pretendimit të Prokurorisë, Sheholli i kishte pranuar më 26 shtator 2025 në Mitrovicën e Veriut.
Prokuroria pretendon se këto materiale më pas ishin dorëzuar te gazetari Milaim Zeka me qëllim të publikimit të tyre para zgjedhjeve lokale.
Rashiq ka deklaruar se nuk ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me Shehollin, ndërsa për Bojan Dimiqin, të cilin Prokuroria e identifikon si zyrtar të lartë të BIA-s, ka thënë se e njeh vetëm si figurë të cilën e kishte njohur para luftës.
Nëse thirret nga gjykata, Rashiq ka thënë se është i gatshëm të dëshmojë në rast.
“Absolutisht. Jo vetëm unë, por edhe bashkëpunëtorët e mi. Në këtë rast, unë personalisht nuk kam qenë i kontaktuar drejtpërdrejt, por kanë qenë bashkëpunëtorët e mi. Në fund të fundit, unë kam qenë i pari që e kam raportuar rastin”, ka shtuar Rashiq.
Prokuroria Speciale e ka ngritur aktakuzën ndaj Shehollit për veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”. Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se ka vepruar në koordinim me BIA-n serbe dhe se, ndër të tjera, ka mbledhur e përcjellë informacione dhe materiale lidhur me zhvillimet politike dhe institucionet e Kosovës.
Seanca e parë gjyqësore ndaj Fatmir Shehollit është caktuar të mbahet më 7 shtator, ku pritet të nisë shqyrtimi gjyqësor i rastit.
Burimi: botasot.info


