AKB-ja paralajmëron pasoja, shkak shtrenjtimi i rrymës /Kanë disa kërkesa për qeverinë Kurti

min lexim

Gjendja pandemike që e ka kapluar Kosovën, ka arritur të sjellë shumë dëme në vend. Duke filluar nga ekonomia e vendit, e cila është prekur më së shumti nga kjo situatë.

Në lidhje me gjendjen aktuale ekonomike në vend dhe zhvillimet e fundit të kësaj fushe, në një intervistë për “Bota sot”, ka folur kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini.

Shahini shprehet se pandemia i ka sjellur shumë dëme vendit, mirëpo nëse e krahasojmë vitin 2021 me atë 2020 mund të themi që kemi të bëjmë me një trend pozitiv, pasi vendi ishte i hapur në vitin që lëmë pas.

Ai preki shumë tema që kanë ndikuar në ekonominë e vendit, e që padyshim ka folur edhe për çmimet e energjisë elektrike. Sipas tij nëse Kosova do të kishte marrë parasysh paralajmërimin e shtetit amerikan, atëhere nuk do të ishim në këtë gjendje që jemi tani. Ai shton se qeveria Kurti do të duhej të kishte punuar më shumë në këtë drejtim.

Kryetari u pyet edhe për qëndrimin që mban për ndalimin e kriptovalutave, ai e sheh të gabuar ndalimin e tyre, duke u shprehur se është i vetmi vend që ka ndaluar prodhimin e tyre.

Ndërsa, për rritjen e pagës minimale, Shahini thotë se është gjithmonë pro rritjes, mirëpo kërkon një analizim të detajizuar të situatës dhe të ketë një përfundim të saktë, pastaj të ketë edhe rritje të pagës minimale.

I pyetur për projektet e AKB-së, kryetari thotë se gjithmonë është në terren për të ndihmuar bizneset duke përmendur këtu që si AKB-ja e kanë përfaqësuar Kosovën edhe në shtetet që nuk e njohin Kosovën si shtet.

Shahini kërkon nga qeveria e vendit të jetë më bashkëpunuese.

Intervista e plotë

“Bota sot”: Si e shihni situatën ekonomike në vend?

Agim Shahini: Ekonomia e Kosovës në shifra statistikore të dhëna, dhe ato që ne i posedojmë dhe instiutionet shtetërore nuk është edhe aq keq, janë të gjitha në trend pozitiv, por gjithmonë duke krahasuar vitin 2021 me atë 2020, e cila ishte e mbyllur. Prandaj, këto janë statistika të sakta, që kanë trend pozitiv, por reale janë që ne kemi dalur nga një ekonomi e mbyllur dhe tash normal që viti 2021 ka shënuar trend pozitiv.

“Bota sot”: Sa ka ndikuar pandemia në rënien ekonomike?

Agim Shahini: Asnjëherë nuk do ta dimë saktë, se a ka pasur pandemia ndikim pozitiv ose negativë në vend, pasi në disa shtete pandemia ka krijuar edhe të hyra si p.sh, Italia që ka përfituar nga fondet e ndryshme diku mbi 200 miliardë euro, pasi ka bërë projekte të ndryshme për ekonomi të vendit. Por Kosova në këtë drejtim është vendi më i vogël dhe është vendi më pak përfitues nga pandemia në mungesë të ekspertëve për të krijuar projekte në të mirë të vendit dhe humbjet nga pandemia në Kosovë janë të larta. Nuk i dimë asnjëherë përgjigjet e sakta, për shkak se nuk është bërë asnjë studim i thukët në efektet negative, por ne e dimë që humbjet për ekonominë e vendit mund të kapin humbje deri në miliarda euro.

“Bota sot”: Qeveria Kurti po krijon pako për rimëkëmbje, si i komentoni ju këto veprime të ndërmarra nga Qeveria?

Agim Shahini: Qeveria Kurti më së paki është duke bërë pako për rimëkëmbje, ajo është pothuajse imituese e pakove. Për shkak se subvencionet që i dha së fundmi për energji elektrike, një kompanie është në kundërshtim me shumë qëndrime të tyre të mëhershme. Kur një qeveri e mëhershme ndante 60 milionë për 40 mijë biznese ishte shumë zhurmë e madhe, ndërsa sot kjo qeveri ndau 75 milonë euro për 1 korporatë dhe është në rregull. Qeverisë Kurti i mungon strategjia zhvillimore, i mungon strategjia kombëtare për zhvillim ekonomik të vendit dhe ajo energjetike. Ne jemi të interesuar që qeveria Kurti të mos jetë penguese e investimeve dhe zhvillimit në vend. Sa i përket pakove për rimëkëmbje prapë Kosova është në mesin e vendeve të fundit të Evropës që e kanë mbështetur ekonominë e qytetarit dhe biznesit.

“Bota sot”: Për shkak të rritjes së rasteve gjatë ditëve të fundit, u ndërmorën masa të reja. Sa do të ndikojë në ekonominë e vendit nëse vazhdojnë këto masa?

Agim Shahini: Ky vendim i Qeverisë për të mbyllë ekonominë e disa sektorëve, do të ndikojë negativisht. Por, për ta ditur saktë sa do të ndikojë, mund ta dimë pasi të përfundojnë këto masa që janë paraparë të përfundojnë më 4 shkurt. Ne mendojmë që ka qenë vendim i ngushtshëm, vendim i paarsyshëm sidomos kur mbyllet vendi apo ora policore nga ora 22:00 , e që prej asaj kohe deri në mëngjes nuk ka qarkullim të njerëzve për shkak të kohës së ftohtë, për shkak se janë mbyllur lokalet dhe njerëzit nuk kanë ku qarkullojnë. Mendoj që ndalimi i grumbullimit të njerëzve, e sidomos ndalimi i lokalve të mbrëmjes është një veprim i mirë, por prapë se prapë nuk e kemi bërë një analizë për këtë çështje se a është dashur të mbyllen të gjitha lokalet e natës apo jo.

“Bota sot”: Ju si kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, keni qenë kundër rritjes së çmimeve në vend. Cilat mendoni se do të jenë pasojat nga ky vendim?

Agim Shahini: Ne kemi qenë kundër rritjes së çmimeve të energjisë elektrike për arsye të mungesës së strategjisë së Qeverisë së vendit, e cila ka pasur mundësi të parakontraktoj energji elektrike në kohën kur ka qenë e lirë, e këtë ka mundur ta bëjë para ardhjes së vjeshtes. Kur shteti amerikan e ka paralajmëruar krizën e energjisë elektrike në Ballkan, Kosova e ka neglizhuar këtë, nuk e kanë marrë të vërtetë dhe tashmë kemi një gjendje ku qytetari dhe bizneset duhet të kenë energji elektrike dhe qeveria duhet të subvencionoj dhe duhet të blejë me çmime të larta dhe neve na dhimbsen mjetet që janë shpenzuar që nga pas lufta vetëm për import të energjisë elektrike. Por, ky është keqmenaxhim në mungesë të strategjive nga qeveritë e vendit. Ne mund ta rrisim sa të duam buxhetin e vendit, mirëpo nëse Qeveria e vendit nuk di ta menaxhoj prapë jemi në të njëjtën gjendje.

Keqpërdorim tjetër është edhe ikja e investitorëve të jashtëm dhe investitorëve të vendit. Ne në vitin e kaluar kemi pasur ikje të tre investitorëve të fuqishëm. Por, në mungesë të gatishmërisë së shtetit për t’i dhënë leje kanë ikur ata. Janë investitorët amerikanë për gazsjellësin, investitori francez që ka dashur të investojë në Qyqavicën e Vushtrisë, ishte një investitor gjerman i interesuar në Podujevë, të gjitha këto janë dobësi dhe përgjegjësi e insitucionëve shtetërore të Kosovës.

“Bota sot”: Një temë gjithashtu shumë e përfolur këto ditë është prodhimi i kriptovalutave, të cilën e ka ndaluar Qeveria. A mendoni që do të shkaktojë dëme ndalimi i prodhimit të tyre?

Agim Shahini: Po, kriptovaluta është ndaluar në Kosovë. Kosova përsëri prin si vendi i vetëm që ka ndaluar prodhimin e kriptovalutave, ku Kosova dhe investitorët që kanë investuar në këtë drejtim kanë pasur përfitime nga to. Qeveria e vendit ka krijuar një ligj dhe Administrata Tatimore e Kosovës ju ka kërkuar që ata të paguajnë tatim për to, por së fundmi kinse se në mungesë të energjisë elektrike duhet që ato të sekuestrohen, gjë që është kundër ligjit dhe çdo parimi të ekonomisë së hapur. Pasi është njësoj sikur ta mbyllësh një fabrikë, e cila prodhon një produkt dhe ia ndërpren energjinë elektike.

Ne kemi pasur edhe rastin e mbylljes së Ferroniklit në Kosovë për mungesë të energjisë eletkrike e që për qeverinë e vendit nuk është lajm sepse është pronë privat. Mirëpo qeveria jeton nga sektori privat duke mos lënë asnjëhere anash as atë publik, nga taksat e sektorit privat, pasi Kosova e ka të garantuar ekonominë e tregut me Kushtetutë dhe sistemin kapitalist dhe jo sistemin monistë të planifikuar nga qeveria.

“Bota sot”: Sa besoni ju se duhet të jetë paga minimale dhe si mund të zbutet papunësia?

Agim Shahini: Papunësia në Kosovë është e lartë, bile është më e lartë se statistikat që e japin, pasi ne nuk kemi statistika të sakta të punësimit dhe të papunësisë. AKB-ja ka bërë një hulumtim në bashkëpunim me UNDP-në në vitin 2019, dhe ne ia patëm paraqitur disa rekomandime qeverisë së atëhershme për zbutjen e papunësisë dhe për pagën minimale. Ne i kemi treguar Qeverisë së Kosovës që paga minimale në vend ishte më e vogla në rajon, mirëpo që paga nuk duhet të jetë si pikë referente për askënd në biznes. Por, ne në Kosovë kemi mbi 60 mijë paga, me pagë minimale në nivel vendi, që marrin si referncë sidomos kontraktorët e huaj në punët publike dhe kjo e bënë që kjo pagë të jetë një bazë e mirë për të marrë për bazë inverstitorët. Por, është pagë shumë e vogël, prandaj ne që në vitin 2017 në Këshillin ndërinstitucional kemi rënë në pajtueshmëri që pagat minimale të shënojnë rritje, por nuk është vetëm për sektorin privat sa është tek veteranët e luftës që janë barrë e shtetit. E që shteti prapë heziton pasi ata paguhen duke pasur për bazë pagën minimale. Nëse shteti nuk do ta kishte për bazë pagën minimale, atëhere paga do të rritej. Por, mendoj që paga minimale duhet të rritet, duhet të bëhet analizë në bazë të 5 kritireve bazë siç janë, rritja ekonomie, rritja e konsumit, prodhimit, eksportit dhe punësimit. Të gjitha këto duhet të jenë bazë për rritjen e pagës minimale.

“Bota sot”: Çfarë mund të ndihmoni ju si Aleancë e Biznesit, për ta ndryshuar gjendjen ekonomike. A keni ndonjë projekt?

Agim Shahini: AKB-ja vazhdimisht ka projekte dhe realizon projekte me apo pa qeverinëe dhe ne jemi shumë aktiv në terren me biznese përpunuese, prodhuese, tregtare shërbyese, eksportuese dhe gjitha këtyre ju ofrojmë këshillime, rekomandime, promovime, plane strategjike, plane zhvillmore, studime të tregjeve, mundësi për të gjetur tregje të reja, të gjitha këto i bëjmë me biznese dhe anëtarë të AKB-së. Por, shteti i Kosovës që do të duhej të shfrytëzoj të gjitha këto të mira, qoftë nga ne si AKB, edhe nga të tjerët që kontribuojnë, pothuajse është jo e interesuar për shkak se ne flasim në gjuhën e sektorit privat, ndërsa ata shpesh kërkojnë që të flasim në gjuhën e institucioneve shtetërore dhe ne i mbrojmë interesat e sektorit privat duke mos cenuar të drejtat e sektorit shtetëror. Pasi të gjithë në mënyrë individale dhe kolektive e bëjmë shtetin dhe jemi pjesëmarrës të shtetit dhe kjo na bënë që ne të mendojmë shumë më mirë, ndonjëherë më mirë sesa vetë shteti.

Kjo për shkak se ne zhvillohemi në forcat tona, sigurojmë pagat në forca tona, sigurojmë tregje për bzinese dhe prodhim, bile edhe lobojmë për shtetin e Kosovës, pasi Kosova integrimin e vet e ka lënë anash ose faktori ndërkombëtar e ka bllokuar shtetin e Kosovës për shkak të qëndrimit jo parimor, për shkak të qëndrimeve jo integruese dhe ne kemi arritur para dy viteve që si AKB të shkelim në disa shtete që nuk e njohin Kosovën si shtet, siç është Rumania, Bosnja, Spanja. Ne atje e përfaqësojmë shtetin e Kosovës, pasi atje dalim me flamurin e shtetit tonë, e jo vetëm si AKB. Ne mund t’i ofrojmë shtetit më shumë të mira, më shumë lobim, mirëpo sheti duhet të jetë më bashkëpunes me të gjithë sektorin privat, ekspertët, civilët në mënyrë që shteti të mos përvetësohet vetëm nga ata prej të cilëve udhëhiqet, por të jetë i të gjithve.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Manastir, digjet fabrika e bukës

Story i radhës

OBSH: Kufizimet e udhëtimit dhe provat e vaksinimit nuk nevojiten më

Të fundit nga