Ajvar diplomacia dhe seleksionimi negativ në përfaqësitë tona diplomatike…!?

Askush, që sado pak ka njohuri rreth peshës që ka përfaqësimi diplomatik i Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, e ka të qartë se si vendi më i ri në Evropë, ka qenë e pamundur që për një kohë kaq të shkurtë prej vetëm 14 vitesh, të ndërtohet një staf profesional diplomatik si dhe një politikë e jashtme më efikase. Kjo, për faktin, sepse përveç mungesës së përvojës bazike në këtë fushë me rëndësi të veçantë për çdo shtet, Kosovës i kanë munguar kuadrot profesionale në diplomaci, ani pse nuk mund të thuhet krejtësisht se s’ kemi pasur kuadro të përgatitura dhe me përvojë të gjatë në diplomaci.

Dhe, po qese sot në Kosovë do t’i zbatonim kriteret e vendeve perëndimore në fushën e diplomacisë dhe ndërtimit shtetëror të politikës së jashtme, në veçanti kur është fjala për përzgjedhjen e ambasadorëve dhe diplomatëve të karrierës, asnjë ambasador, konsull apo këshilltar politik që MPJ-me i ka emëruar dhe dërguar në misionet tona diplomatike, nuk do i plotësonin asnjë kriter për t’u emëruar dhe dërguar në ato poste.

Pse? Sepse, vendet e zhvilluara perëndimore fushën e diplomacisë dhe politikës së jashtme e kanë ndërtuar përgjatë shumë dekadave, duke bërë përvojë të gjatë në fushën e diplomacisë, duke nxjerr dhe aprovuar sistem vlerash ligjore dhe protokollare për ta bërë shërbimin diplomatik sa më në nivel të lartë, etj., si kusht i domosdoshëm për përfaqësim të mirëfilltë të interesave të tyre në planin e politikës së jashtme dhe diplomaci. Në këtë aspekt, të gjitha qeveritë e Kosovës pas 17 shkurtit 2008, përfshirë edhe qeverinë aktuale, mjerisht nuk kanë ndërmarrë asgjë prej gjëje për të përgatitur dhe shkolluar kuadro të reja në fushën e diplomacisë për t’i dërguar më pas në përfaqësitë tona diplomatike, veçse kanë përzgjedh për ambasadorë, konsuj, këshilltarë politik, etj., njerëz krejtësisht të papërgatitur, të paaftë për këtë zanat si dhe pa asnjë ditë përvojë pune në diplomaci, gjë që imazhin e Kosovës e kanë degraduar në masë të madhe para botës.

Për shembull në Gjermani kusht për t’u emëruar në postin e ambasadorit është që kandidati duhet t’i ketë së paku 25 vite përvojë pune në MPJ-me, gjegjësisht në fushën e diplomacisë, për konsull së paku 15 vite, për këshilltar 10 vite, dhe jo më pak përvojë në postet dhe detyrat tjera të parapara me ligj brenda përfaqësive diplomatike.

Prandaj, sot e kësaj dite në përfaqësitë tona diplomatike në çdo rang të përfaqësimit ende nuk kemi kuadro të specializuara për këtë shërbim, sepse diplomacia si zanat specifik kërkon njerëz profesional në nivel të lartë shkollor si dhe plotësim të kushteve mjaft rigoroze për ta marrë cilësinë e diplomatit të karrierës ose gradën e ambasadorit, konsullit, etj.

Andaj, në kontekst të kësaj që cekem më lartë, nuk duhet të çuditemi kur ambasadori ynë në Arabinë Saudite del në foto me një biznesmen të atij vendi, duke e reklamuar si “sukses” të punës së tij, shitjen e ajvarit kosovar në atë shtet arab të pasur me naftë, ngase esenca e dështimit në punën e tij qëndron në mosnjohjen fare të fushës diplomatike, gjegjësisht të rolit të ambasadorit në një shtet të huaj, i cili para së gjithash, vendin e vet e prezanton politikisht në arenën e diplomacisë botërore.

Pra, kur është fjala konkretisht për rastin e “ajvar-diplomacisë” së ambasadorit në Arabinë Saudite, domosdo duhet nënvizuar faktin, meqë i njoh mirë trendët politike në vendet arabe, se emërimi i ambasadorëve në botën arabe, dhe jo vetëm, nga ana e ish qeverive të Kosovës, me një-dy përjashtime, ka qenë skandal diplomatik, sepse atje janë dërguar njerëz të cilët (mund t’i përmendi me emra), lere që nuk e kanë njohur politikën, kulturën dhe gjuhën arabe, por po t’i kishe pyetur ata as emrat e gjitha shteteve arabe si dhe as numrin e sakët tyre nuk kishin ditur t’i thonin..!?

Bota arabe është një botë me vete, është një rajon e botës me kulturë, gjuhë dhe histori të veçantë antike-antropologjike, ka një pozitë tepër të ndërlikuar gjeografike, përplot me ngjarje të mëdha historike ndër shekuj, që shpeshherë i kanë përcaktuar fatet dhe strategjitë e perandorive dhe fuqive të mëdha botërore. Një botë me të cilën ka qenë e lidhur ndër shekuj kombi shqiptar, ku janë thyer rrugët dhe ngjarjet më të famshme të Lindjes dhe Perëndimit, një rajon ku kanë lindur tri fetë qiellore, pra ku gjenden vendet më të shenjta të Krishterimit dhe Islamit, etj.

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

Ndërroi jetë arsimtari nga Kumanova, Rexhep Rexhepi

Story i radhës

Mungesa e gjumit na shtynë që të hamë më shumë

Të fundit nga

Drita i shkon Malishevës

Në fundjavë rikthehet Superliga, vëmendja në Malishevë Këtë fundjavë do të rikthehet Superliga e Kosovës në