administrohen pamjet e kamerave te protestes se 2015 es i akuzuari hoxha thote se turma u mblodh pas arrestimit te paligjshem te kurtit dhe konjufces 68b7f0a08de4d

Administrohen pamjet e kamerave të protestës së 2015-ës, i akuzuari Hoxha thotë se turma u mblodh pas arrestimit të paligjshëm të Kurtit dhe Konjufcës

September 3, 2025
min lexim

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën është bërë administrimi i pamjeve të kamerave nga protesta e 12 tetorit 2015. I akuzuari Ylli Hoxha gjatë mbrojtjes deklaroi se protesta ishte organizuar si pasojë e arrestimit të paligjshëm të Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës.

Në këtë rast, Ylli Hoxha, Premton Iberdemaj, Uran Hasani, Arbër Kaqorraj dhe Armend Loshaj akuzohen se në tetor të vitit 2015, gjatë një proteste, u kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore dy policëve dhe kishin dëmtuar pronat e disa institucioneve, në vlerë prej 20 mijë eurosh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, Gjykata ka bërë administrimin e provave materiale nga pamjet e kamerave, me këtë rast prokurori Kastriot Berisha komentoi veprimet e të akuzuarve në protestën para Stacionit Policor Qendra në Prishtinë.

“Në fillim, në pamje të kamerave në minutën 00:00:20 vërehet i pandehuri Premton Iberdemaj teksa qëndron në rreshtin e parë të protestuesve përballë policisë, gjë që vërteton faktin se ai ishte pjesë e kesaj proteste i veshur me një xhaketë ngjyrë të gjelbërt, ndërkaq në minutën 00:01:20 vërehen pamjet kur njëri nga protestuesit shtyen zyrtarët policorë me dorë e po ashtu në minutën 00:01:40 vërehet i pandehuri Ylli Hoxha duke qëndruar në mes të kësaj proteste”, tha prokurori Berisha.

Më tej, prokurori komentoi edhe pamjet tjera të video-incizimeve, në të cilat theksoi se zyrtarët policorë goditen me gjësende të rënda.

“Në minutën 00:02:30 janë pamjet kur fillon përplasja në mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës dhe momentet kur zyrtarët policorë goditen nga pjesëtarët e kësaj proteste duke hedhur gurë dhe gjësende të tjera në drejtim të zyrtarëve policorë. Nga minuta 00:04:10 janë pamjet në të cilat zyrtarët policorë goditen me gjësende të rënda nga pjesëtarët e kësaj proteste”, tha ndër të tjera prokurori Berisha.

Lidhur me video-incizimet, vërejtje kishte mbrojtësi i të akuzuarit Hoxha, avokati Blerim Hertica, i cili tha se këtu dëshmohet e kundërta.

“Vërejtja jonë janë se këto video-incizime, këto 5-6 video që pamë deri më tani janë të paraqitura nga ana e Prokurorisë si prova rënduese për të mbrojturin tim Ylli Hoxha, kurse nga ajo që pamë të gjithë këtu të njëjtat e dëshmojnë të kundërtën”, tha avokati Hertica.

Kurse, mbrojtësja e të akuzuarit Hasani, avokatja Mejreme Halili i propozoi Gjykatës të administrohet si provë materiale një CD në të cilën shihet momenti i arrestimit të të mbrojturit të saj.

Prokurori Berisha kundërshtoi administrimin e kësaj prove materiale, ndërsa gjyqtari i rastit Eroll Gashi mori aktvendim me të cilin refuzoi propozimin e avokates Halili, me arsyetimin se fillimisht i pandehuri deklaroi se ky video-incizim nuk ka datë, vend dhe kohë të incizimit, duke konsideruar se e njëjta nuk korrespodon me veprimet dhe mosveprimet e të akuzuarit siç është përcaktuar në aktakuzë. Seanca vazhdoi me dhënien e mbrojtjes nga të akuzuarit, ku i akuzuari Iberdemaj deklaroi se dëshiron ta shfrytëzojë të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.

Ndërsa, i akuzuari Hoxha dha mbrojtjen, duke deklaruar se në atëkohë kishte qenë aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje si anëtar i kryesisë dhe kryetar i degës në Prishtinë.

“Në ditën e 12 tetorit kam qenë aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, në atëkohë, është koha e protestave kundër Asociacionit dhe detyrat e mia kanë qenë anëtar i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetar i degës se Vetëvendosjes në Prishtinë, po ashtu kam qenë asamblist i zgjedhur në Komunën e Prishtinës”, tha Hoxha.

Hoxha pohoi se protesta atëkohë ishte zhvilluar pas arrestimit, sipas tij, të paligjshëm të kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe Glauk Konjufcës.

“Ka qenë mbledhje spontane si pasojë e arrestimit të paligjshëm të Albin Kurtit dhe Glauk Konjufcës”, tha Hoxha.

Në fund, gjyqtari Gashi për arsye shëndetësore ndërpreu seancën e sotme, ndërsa për të radhës palët do të njoftohen nga Gjykata.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 24 dhjetor 2015, Premton Iberdemaj, Ylli Hoxha, Uran Hasani, Arbër Kaqorraj dhe Armend Loshaj akuzohen se më 12 tetor 2015, kanë marrë pjesë në turmën e mbledhur dhe kishin gjuajtur me gurë dhe gjësende të forta në drejtim të policisë, të cilët kishin qenë duke parandaluar rrezikun ndaj qytetarëve dhe duke mbajtur rendin dhe qetësinë publike.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit kishin ndezur kontejnerët e mbeturinave dhe i kishin zhvendosur për gjatë rrugës, pastaj kontejnerët e ndezur i kishin shtyrë në drejtim të kordonëve policore, kishin hedhur koktej të molotovit, ku kishin vënë zjarrin automjeteve zyrtare, kishin gjuajtur gurë dhe gjësende të forta në drejtim të Stacionit Policor Qendra, kishin thyer xhamat e dritareve, kishin dëmtuar kornizat e dritareve, kishin dëmtuar inventarin brenda zyrave, si dhe kishin dëmtuar fasadën e këtij objekti.

Sipas Prokurorisë, të akuzuarit kishin djegur një automjet zyrtar dhe kishin dëmtuar 7 automjete zyrtare, si dhe u kishin shkaktuar lëndime të rënda trupore zyrtarëve policorë Pajtim Kryeziu dhe Fahredin Veliu dhe i kishin shkaktuar dëm në vlerë prej 20 mijë euro institucioneve si: Stacionit Policor Qendra, Zyrës së Prokurorit Disiplinor, KQZ-së, Selisë së PDK-së dhe KRM ”Pastrimi”, në Prishtinë.

Me këto veprime, Prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, nga neni 412, par.1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

RRUGE
Lajmi i mëparshëm

Ndryshim i regjimit të trafikut në rrugën Gostivar – Tetovë dhe anasjelltas

i shpallur ne kerkim nderkombetar per droge arrestohet ne malin e zi 31 vjecari shqiptar 68b7f14c64b89
Lajmi i radhës

I shpallur në kërkim ndërkombëtar për drogë, arrestohet në Malin e Zi 31-vjeçari shqiptar

Të fundit nga

Chivu pas humbjes ndaj Bolognas: Patëm cilës

Cristian Chivu ka shpjeguar zgjedhjet e tij te Interi pas eliminimit nga Superkupa e Italisë, duke humbur me penallti ndaj Bolognës. ‘Nerazzurrët’ e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme,
ShkoLartë