Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, ka përkujtuar veprimtarin dhe publicistin Enver Maloku, duke vlerësuar lart kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Salihaj kujton bashkëpunimin e hershëm me Malokun në Televizionin e Prishtinës dhe më pas në Qendrën Informative të Kosovës (QIK), e cila luajti rol kyç në informimin e opinionit ndërkombëtar për dhunën serbe në Kosovë.
Ai thekson se Enver Maloku ishte një kolos i çështjes kombëtare, kontributi i të cilit do të mbetet i paharruar për brezat që vijnë.
Shkrimi i plotë:
NJË PËRKUJTIM PËR ENVER MALOKUN
Enver Malokun e kam njohur moti, që nga koha kur kemi punuar bashkë në Televizionin e Prishtinës në vitet e tetëdhjetë. Kemi qenë shokë e miq. Kemi qenë një grup shokësh: Xhemajl Mustafa, Enver Maloku, Sinan Kamberaj, Arif Demolli, Skender Blakaj dhe unë. Kemi ndarë pikëpamje dhe aspirata të përbashkëta për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Atëherë, në një shtet komunist e ë diktaturës, nuk ka qenë aspak lehtë të kemi këso pikëpamjesh dhe angazhimesh. Të gjithë ne, atëherë, por edhe më vonë patëm angazhim serioz për të mirën e Kosovës. Pas themelimit të LDK-së, Kryetari Ibrahim Rugova e themeloi Qendrën Informative të Kosovës (QIK), e cila në fakt ishte Agjencia e Kosovës për Informata, siç ishte ATSH në Shqipëri apo TANJUG në Jugosllavi. Shef i kësaj Agjencie u emërua Enver Maloku. Me Enverin kemi bashkëpunuar ngushtë. Ai personalisht ka bërë disa herë intervista me mua, që atëherë isha kryetar i Degës së LDK-së në Ferizaj. Qendra informative e Kosovës ka luajtur rol të fuqishëm në informimin e opinionit ndërkombëtar me dhunën dhe represionin serb në Kosovë. QIK-u çdo ditë ka shpërndarë informata të shumta nëpër gjithë botën në disa gjuhë, të cilat i kanë publikuar agjencitë e njohura botërore.
Enverin e vranë tradhtarët e kombit, ata që nuk ia donin të mirën Kosovës, ata që po në atë kohë plagosën rëndë edhe Sabri Hamitin dhe vranë Xhemajl Mustafën dhe shumë veprimtarë të tjerë.
Enver Maloku ishte kolos i luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, kontributi i tij do të vlerësohet gjithmonë, sot dhe te gjeneratat që do të vijnë.
Burimi: botasot.info


