Abit Hoxha: Mes Kosovës dhe Serbisë ka përfunduar dhuna, por jo konflikti

min lexim

Studiuesi dhe hulumtuesi Abit Hoxha thotë se qeveria e Kosovës dhe e Serbisë po e shfrytëzojnë dialogun politik mes tyre, për të ikur nga problemet reale me të cilat po ballafaqohen këto dy shoqëri. Ai mendon se lufta pas pushimit të Ukrainës nga Rusia, Kosova nuk ka ditur ta shfrytëzoj këtë momentum në favor të saj.

Radio Kosova:  Pushtimi i Ukrainës, nga Rusia ka ndryshuar gjendjen edhe në Ballkanin Perëndimor, pra respektivisht edhe në Kosovë. Si e vlerësoni që kjo situatë po reflekton edhe në skenën politike në Kosovë? 

Abit Hoxha: Lufta në Ukrainë e ka ndryshuar relacionin e Kosovës edhe me Serbinë, por edhe me Bashkimin Evropianë, por edhe në rrjedhat ndërkombëtare. Kjo luftë e ka tërheq vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe domosdoshmërish ka ra edhe niveli i interesit për konfliktin në Kosovë. Unë mendoj se në skenën e brendshme lufta në Ukrainë vetëm se e ka dridh pak këtë çështjen e politikës përshkak të ngritjes së çmimeve, të dinamikës ekonomike, por nuk është se do të ndryshojë skenën politike në Kosovë.

Z. Hoxha  a jemi duke ditur ta shfrytëzojmë sa duhet situatën në favor tonin ne si Kosovë, duke marrë parasysh edhe lidhjet që i ka Serbia me Rusinë? 

Abit Hoxha: Mendoj se jo sa duhet. Përveç një reagimi të vonshëm të qeverisë dhe kryeministri, i cili erdhi nga presioni i shoqërisë civile, por edhe qytetarëve. Kemi pastaj edhe ardhjen e disa gazetarëve ukrainas në Kosovës, e cila është më shumë punë e shoqërisë civile dhe Asosacionit të Gazetarëve, nuk ka pas ndonjë hap të veçantë të ndihmës për Ukrainën. E cila ndihmë  do të ishte shumë simbolike dhe do ti tregonte botës se jemi pro Ukrainës. Pra në këtë rast nuk është shfrytëzua as momentumi politik në raport me Rusinë, që të veprojë diçka në fushën e diplomacisë.

Do të thotë ju vlerësoni që Kosova edhe në aspektin diplomatik ,në raport me Serbinë, por edhe Bashkimin Evropian, për të marrë një përkrahje më të madhe, Kosova nuk po e shfrytëzon situatën në favor të saj? 

Abit Hoxha: Po tashmë ka një kohë që Kosova ka stagnua në fushën diplomatike. Arsyet janë të ndryshme, duke përfshi edhe këto ndryshimet politike dhe këto ndryshimet që po bëhen ne Ministrinë e Punëve të Jashtme, në shërbimin diplomatik. Por edhe dinamika ndërkombëtare nuk i ka dhënë shumë mundësi Kosovës. Pra janë një mori kushtesh që e bëjnë Kosovën që të mos ketë shumë aktivitete në arendën ndërkombëtare. Pra gjithsesi kemi stagnim, e jo dështim.

Po si ju duket Serbia në këtë situatë. Po e shfrytëzon ajo situatën në favor të saj, sidomos pas luftës Rusi-Ukrainë? 

Abit Hoxha: Politika e Serbisë është shumë më proaktive sesa e Kosovës. Serbia po e shfrytëzon pozitën dikotomike që e kam mes Bashkimit Evropian dhe Rusisë. Tradicionalisht ish- Jugosllavia e ka pas një politikë të tillë, që nga Lidhja e të Painkuadruarve që nga Jugosllavia, të cilën infrastrukturë diplomatike e ka trashëguar realisht Serbia. Por e ka trashëgua edhe një filozofi politike, as me BE-në, e as shumë më Rusinë, duke i shfrytëzua që të dyja për interesa të veta. Ndërsa Kosova nuk e ka atë luks që të ofrohet me Federatën Rusë, apo dikë që është kundër BE-së,  dhe prandaj nuk mund ta shfrytëzoj atë dikotomi. Serbia poshtu ka edhe një buxhet më të madhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme, plus që ka edhe një traditë më madhe dhe natyrisht që e shfrytëzon  këtë. Edhe diçka duhet thënë se Serbia nuk zgjedhë mjete, e Kosova zgjedhe mjete demokratike për veprime në punë të jashtme, në diplomaci. Tashmë është edhe e konfirmuar se Serbia në shumë raste, në rastin e tërheqjeve të njohjeve për Kosovën. Serbia ka përdorur edhe mito, pra të holla, që është korrupsion, me disa shtete në Afrikë.

Me 18 gusht është paraparë të mbahet edhe një raund tjetër i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. A mund të shohim një përkrahje më të madhe në këtë rast nga Bashkimi Evropian për Kosovën, duke marrë parasysh që BE disa herë duket që është më e ashpër me Kosovën? 

Abit HoxhaUnë këtë punë e shohë në një kontekst tjetër. E para nuk pres shumë prej dialogut për disa arsye. Por arsyeja kryesore është se dialogu është ajo rosa që bënë “ve të arta” për të dyja qeveritë, edhe atë të Kosovës edhe atë të Serbisë. Dialogu prodhon situata me të cilat merren  këto dy qeveri, e nuk merren me probleme reale, p.sh të zhvillimit ekonomik, inflacionit ose krijimit të vendeve të punës. Pra edhe në Kosovë edhe në Serbi shihet kështu. Dialogu Kosovës-Serbi, prodhon  “ve të arta” edhe për Bashkimin Evropian deri diku, sepse është një temë që nuk është shumë e rëndë, sepse nuk është politika nukleare e Iranit, por është një dialog mes dy shteteve që nuk kanë çfarë ti bëjnë njëra-tjetrës, sepse në Kosovë është një si të thuash “protektorat ndërkombëtare” me garanci të NATO-së. Në pjesën e dytë unë mendoj se është pak më e komplikuar, pse BE-ja ka qëndrim më të vrazhdë ndaj Kosovës. Është e pritshme të ketë qëndrim të tillë ndaj Kosovës, sepse pritshmërinë  janë më të larta për Kosovën. Neve në Kosovë na duket që BE-ja shpeshherë është më anti Kosovë, e pro Serbi, por Serbia në këtë punë është personi i keq, dhe nga Serbia priten veprime të tilla jokonvencionale, prej Serbisë pritet me i vendosë trupat e ushtrisë në kufi me Kosovën, e jo e kundërta. Pra pritjet janë të ndryshme prej Kosovës dhe Serbisë. Prandaj qortimet shpeshherë tingëllojnë si më të vrazhda për Kosovën, por unë mendoj që as BE-ja nuk ka ndonjë interes të jetë i njëanshëm me Serbinë. 

Duke marrë parasysh që Kosova  dhe Serbia kanë hyrë në dialog, atëherë a shihni, ose kur e shihni epilogun e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë? 

Abit Hoxha: Realisht është e pamundur që me këto parakushte të shihet një dritë në fund të tunelit. Për një epilog, ose marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë do të duhej të merremi vesh në një formë për të gjitha këto tema për të cilat diskutohet tani. Kosova dhe Serbia kanë negociuar që nga viti 1999. Negociatat mes dy vendeve nuk janë ndalë kurrë. Është e pamundur që për 23 vite të mos prodhohet një platformë, ose ide, për të cilën do të pajtohen. Pra unë e kam të vështirë ta shohë një epilog në 2-3 vitet e ardhshme. Kjo do të vazhdojë ashtu siç ka vazhduar deri tani. Mes Kosovës dhe Serbisë ka përkundu dhuna, por jo konflikti. 

 Z.Hoxha  ka 23 vite që ka përkundu lufta mes Kosovës dhe Serbisë dhe  duket që jemi shumë larg drejt arritjes së një pajtimi ndëretnik në Kosovë.

Abit Hoxha: Në 23 vitet e fundit e kemi pas një vazhdimësi të konfliktit mes Kosovës e Serbisë, por me mjete politike, shpeshherë edhe me mjete jo të zakonshme të sektorit të sigurisë, por me mjete më politike. Për pajtim ndëretnik, që proklamohet më shumë nga bashkësia ndërkombëtare, duhet të ketë disa parakushte. Unë nuk shoh pajtim më të madh sesa që shoh tani. Deri më tani komunitetet në Kosovë flasin mes vete.

Flasin gjenerata e parë që e ka përjetua konfliktin. Sipas hulumtimeve shkencore që i kemi bë me disa projekte shkencore, del që gjenerata e dytë është shumë më pak e interesuar dhe e gatshme të flasin me njëri –tjetrin. Shihe narrativët e luftës në Kosovë gjatë viti 1999, edhe në Serbi kanë qenë më pak fashiste, edhe më pak naziste sesa që janë sot. Jo vetëm propaganda por ka një mori burimesh që e mësojmë historinë, madje edhe këtë historinë bashkëkohore. P.sh duke filluar nga librat e historisë ose nga ajo çfarë fëmijët shohin në televizion, në teatër ose monumenteve,  të cilat e krijojnë memorien kolektive. Pra tek ne edhe monumentet e të kaluarës edhe të të tanishmes, ekzistojnë vetëm si të mbjella aty, por pa mundësi që të mësohet historia. Edhe në Serbi është e njëjta situatë. Këtu ndoshta është edhe problemi sepse të dyja vendet nuk kanë interes që të flasin të hapen realisht për konfliktin e të kaluarës, në mënyrë që ti japin shanse pajtimit. Unë mendoj që pajtimi është fjalë shumë e madhe, bashkëjetesa dhe toleranca janë fjalë më realiste. Por konflikti dhe mosmarrëveshjet mes serbëve dhe shqiptarëve nuk shkojnë nuk vetëm deri në Betejën e Kosovës, të vitit 1389, por shkojnë edhe më përpara.  

Kosova, ose qeveritë e Kosovës që nga paslufta nuk kanë bërë sa duhet në mbledhjen dhe arkivimin e dëshmive të luftës. Ne nuk jemi duke kërkuar as reparacionet nga Serbia.

Abit Hoxha: Unë e kam kritikën edhe më sistematike. Kosova besoj që ka bë ndoshta zero në këtë aspekt. Edhe unë jam në përgjithësi i dëshpëruar në institucionet e Kosovës. Në Kosovë edhe lista e viktimave, e personave që janë vrarë gjatë luftës, është listë e një Organizate Joqeveritare (OJQ). Do të thotë qeveria e Kosovës, ende e përdorë listën e kësaj organizate, ndonëse kjo OJQ është shumë e besueshme dhe e saktë. Ne si shtet nuk kemi as evidencë të dëmeve të luftës, një evidencë të konsekuencave të sociale të luftës. Nuk ka një qasje sistematike për reparacionet e luftës. Në gjykatat e Kosovës në rast se dikush dëshiron të bëjë një aktakuzë personale për shtetin e Serbisë, gjykatat tona nuk i pranojnë këto dosje.

Pra kemi edhe qasje të gabueshme juridike, ndaj këtij aspekti se lëre më qasje të gabueshme ndaj arkivave. Në Kosovë bile edhe është kthyer në humor kjo puna e Institutit të Krime të Luftës, që është një tragjedi e llojit të vet, sepse e kemi krijuar një Institut për Hetimin e Krimeve të Luftës nja pesë herë. Kjo e tregon edhe seriozitetin e të gjithë qeverive të Kosovës pas luftës. Asnjë nga këto qeveri nuk e ka pas seriozisht këtë punën e hetimeve dhe dokumentimin e krimeve të luftës. Në Kosovë familjarët janë iniciativa më e mirë, fatkeqësisht, për dokumentimin e krimeve të luftës. Familjarët mbledhin të dhëna për familjarë, të cilat fatkeqësisht i janë dhënë OJQ-ëve, duke përfshi edhe Tribunalin Ndërkombëtarë për Krime Lufte në ish Jugosllavi (ICTY), materiale të cilat nuk janë kthyer kurrë. Unë di me qindra raste të materialeve të dorës së parë, fotografi e ditar, të masakrave në Drenicë, ose Dukagjinit, që i janë dhënë Tribunalit të Hagës edhe nuk janë kthyer asnjëherë, pra ato materiale janë asgjësua në Hagë. Por ne nuk po punomë as për të ardhmen. Ne nuk po punojmë as për digjitalizimin e këtyre fakteve që i kemi në dispozicion. P.sh disa prej dëshmitarëve të masakrës së Izbicës edhe asaj të Rrezallës kanë vdesë, dhe ne nuk i kemi intervistua për një histori gojore, që tregon atë anë të të përjetimeve të tyre, që nesër të kemi një muze virtual. Nuk kemi një bankë të të dhënave me dëshmitarë që  ju kanë shpëtuar masakrave të tilla, nuk kemi asnjë dokumentim me fotografi. Faktikisht është një punë për të ardhur keq, pra është një punë tragjike.  

Kosovës i është kërkuar themelimi i Gjykatës Speciale. Nga ajo që kemi parë ju jeni një kritik i themelimi të Gjykatës Speciale, e keni parë si padrejtësi që i është bërë Kosovës. Megjithatë kjo Gjykatë është përkrahë edhe nga vetë ata që sot janë të akuzuar nga ajo.

Abit Hoxha: Ndoshta ka një keqkuptim. Unë nuk jam kundër Gjykatës Speciale, bile unë e kam përkrah krijimin e saj, por jo krijimin  e tillë të Gjykatës Speciale. Sëpari unë jam kritik i sistemit juridik në Kosovë, i cili ka dështua të ndriçojë  vrasjet e rasteve edhe gjatë luftës, por edhe të pasluftës. Kritika ime ndaj Gjykatës Speciale është për mënyrën sesi është krijuar. Nëse e shohim gjenezën e Gjykatës Speciale, atë raportin i cili i krijon mundësi  senatorit Dick Marty të bëjë një hetim në Kosovë për trafikim me organe, nëse e shohim strukturën personave që e kanë sponsorizua. 

Këtë rezolutë në Parlamentin Evropianë, sot e shohim se shumicës  prej tyre i është ndaluar hyrja në Bashkimin Evropianë, duke përfshi edhe sponzorizuesin kryesor Konstantin Kosachev. Pastaj në anën tjetër të gjeturat, ose hipotezat e vendosura në raportin e Dick Martit për trafikim me organe nuk janë pjesë e aktakuzës, të asnjërit prej të akuzuarve në Gjykatën Speciale. Unë kam frikë se kjo gjykatë nuk do të vendosë drejtësi për asnjë rast specifik, por do të vendosë njëfarë gjykimi të çështjes, siç është ajo e aktakuzës për ndërmarrje të përbashkët kriminale. Pra unë kam frikë se Gjykata Speciale është duke i shkelë procedurat ligjore edhe nuk është e përgjegjshme ndaj popullit të Kosovës, prej të cilit e ka mandatin. Mendimet dhe vendimet e Gjykatës Speciale merren në emër të popullit të Kosovës, por unë kam frikë se kjo nuk është ashtu. Kam frikë se kjo gjykatë është më shumë politike, për të krijuar mundësi politike për vazhdimësi edhe më tutje mes Serbisë dhe Kosovës. Duhet thënë se edhe pas përfundimit të mandatit të Gjykatës Speciale, kurdo qoftë ai, kemi me pas raste të pazgjedhura, edhe kemi me pas raste që kjo gjykatë nuk do ti merr parasysh. Këtu është fatkeqësia, se kjo gjykatë është krijuar për me i dënua njërën prej etnive në Kosovë. Është krijuar specifikisht me dënua një elitë politike, edhe këtu është problemi i legjitimiteti të kësaj Gjykate. Natyrisht unë nuk kam probleme me konceptet e drejtësisë edhe të mbajtjes së njerëzve përgjegjës për punë të cilat i kanë kryer, ose nuk i kanë krye, ose për punë të cilat akuzohen. 

(Abit Hoxha është hulumtues dhe doktorant në Universitetin Ludwig Maximilian në Mynih të Gjermanisë, ku është përqendruar në krahasim të prodhimit të lajmeve në konflikte. Ai është autor i disa publikimeve shkencore në revista akademike dhe një libri për raportimin e mediave gjatë dhe pas luftës në Kosovë. )

GAZETA.MK

Story i mëparshëm

​Ukraina: Nëntë avionë luftarakë rusë u shkatërruan në Krime

Story i radhës

Pete Davidson ka bërë terapi për traumë pas sulmeve të vazhdueshme të Kanye-s

Të fundit nga