Të nderuar qytetarë, përkrahësit e mi dhe miqtë të cilët besojnë në vlerat e Ballkanit të Hapur, vlerat evropiane dhe amerikane.
Ndaj meje u ngrit një kampanjë e rrezikshme nga të gjithë ata të cilët, Malin e Zi duan ta kthejnë mbrapa. Ata të cilët janë marioneta, forca të errëta: kundër vlerave, demokracisë, EU dhe SHBA.
Derisa nuk e nënshkrova marrëveshjen me Kishën Ortodokse serbe, cilësohesha një politikan me vizion, përparimtar, internacionalist me ide përparimtare evropiane etj. por sapo e nënshkrova këtë marrëveshje, që të gjithë m’ua mu turrën prej të gjitha anëve, ndërruan qëndrim ndaj meje, sikur t´isha jashtëtokësor, apo nga ndonjë planet tjetër.
Nuk do të më vinte aspak çudi që më urrenin shqiptarët, sepse isha shkrirë me idetë e Ramës, për Ballkanin e Hapur. Kjo nënkuptonte se automatikisht isha kundër Kurtit, po unë gjithnjë i kam përkrahur njerëzit me ide të mëdha, siç është kryeministri Rama. Ky është parim i imi dhe parimet nuk i thyej për askënd e jo për Albin Kurtin, i cili gjithnjë më kopjon.
Unë e nënshkrova marrëveshjen historike, me Kishën Ortodokse serbe, vetëm që të kishim paqe me Serbinë dhe Kosovës t´i ofroja shembull, se edhe ata duhet të veprojnë në të njëjtën mënyrë, nëse duan paqe dhe kthesë politike me Serbinë.
Sikur të rrokullisej qielli. Nuk munguan zëra të hulumtonin në të kaluarën time duke publikuar të dhëna mbi biznesin e vëllait tim, i cili me lejen e Bërnabic – kës ndërtonte spital në Serbi.
Të gjithë ata që e kuptojnë humanizmin, duhet ta dinë se ndërtimi i spitaleve ka të bëjë me njerëzoren, e kurrsesi me çështje politike, apo tradhti.
Shumë të tjerë lidhen edhe me mbiemrin tim. Unë nuk mund ta vejë mbiemrin tim në rrota dhe kujt t´i çohet, t´ia largoj prapashtesën viç, për dëshira të publikut. Ai është i tillë çfarë është dhe si i tillë duhet respektuar.
Disa më quajnë shqiptar, të tjerët serb, boshnjak, cigan, jevg, egjiptian, ashkali, magjup, e çmos, lloj – lloj identitetesh, sa as vetë tash nuk e di se ç´jam, po unë prej kohësh kam deklaruar se jam jugosllav, më falni evropian thuhet tash.
Të jesh evropian do të thotë të luftosh për ide demokratike, por ne harrojmë nganjëherë se jetojmë në Ballkan dhe kjo frymë demokratike, ende nuk ka arritur në trevat tona.
Qëllimi im, i Vuçiqit dhe Ramës ishte që pikërisht këtyre ideve t´ua hapnim portat, për përparimin e trevave tona, po nuk ishte lehtë, sepse dolën edhe kundër nesh, vetëm për atë se ne dallonim nga qëndrimet e tyre, të cilët nuk e shohin të ardhmen me sytë tonë.
Unë jam i sigurte se parimet e mia do të ngadhënjejnë. Unë ashtu siç dita ta fitoja postin e kryeministrit, po ashtu do gjej rrugë se si, sërish të kthehem në pushtet.
Unë do të angazhohem për paqe në mes shteteve tona ballkanike, pa ide nacionale, po vetëm me ato internacionale.
Mars – Rover ( Shkrim me përmbajtje ironike )