Vrasjet e pasluftës mbeten enigmë që prodhon dhimbje, stres, ankth për familjarët e të vrarëve. E njëra ndër vrasjet më të bujshme për nga pesha përkujtohet në 21 vjetorin e vrasjes së Bekim Kastratit dhe Besim Dajakut.
Kjo vrasje, dhe shumë të tjera janë plagë të hapura për Kosovën, e cila 21 vjet pas nuk ka arritur të zbulojë vrasjet e pasluftës, përfshirë këtu edhe të Bekim Kastratit dhe Besim Dajakut.
E vetmja shpresë mbetet gjykata speciale, e cila që nga nëntori i vitit 2020 ka filluar të arrestojë ish-krerët e lartë të UÇK-së. Pa dashur të paragjykojmë se kush qëndron pas kësaj vrasje, apo thënë më mirë kush janë urdhërdhënësit, familjet e tyre, por edhe i tërë populli në përgjithësi është që e vërteta të del në pah, vrasësit dhe urdhërdhënësit të dalin para drejtësisë. Dëshmitari i mbetur gjallë nga ky atentat, ku vet mbeti i plagosur, Gani Geci vazhdimisht ka bërë thirrje të zbardhet, ky rast për të cilin beson se mund të jenë të njëjtit që shkruan komunikatën 59 kundër tij. Gjykata Speciale mund të ketë njohuri, pasi personat që e kanë kryer këtë atentat, sigurisht janë pjesëmarrës edhe në të tilla raste të ndodhura, pas luftës ndaj zyrtarëve të LDK-së, dhe në përgjithësi ndaj atyre që mbështesnin vijën e Dr. Rugovës.
Kështu, që urdhëruesit sigurisht janë të njëjtë me vrasjet tjera të pasluftës, me Gjykatën Speciale si shpresën e vetme dhe të fundit për të zbardhur këtë krim, që u mori jetën dy djemve të rinj të Kosovës. Edhe hetimi i SHIK-ut duhet të ndodhë për të zbardhur përgjithmonë të vërtetën e saj dhe supozimet për implikimin e saj në ngjarjet e pasluftës. SHIK-u dhe argatët e saj ishin të interesuar që LDK-ja e pasluftës mos të vjen në pushtet.
Andaj, arsyet e këtyre vrasjeve, por edhe në përgjithësi të pasluftës kanë të bëjnë me mbështetjen që i kanë dhënë dr. Rugovës. Eliminonin ata që me shkrime mbronin të vërtetën, si dhe eliminonin njerëzit që mbronin Rugovën me synimin që të ngjallnin frikë dhe panik tek ata që merreshin me sigurinë e Dr. Rugovës, me shpresën se do e braktisin.
Që nga paslufta e mira është luftuar me të gjitha mënyrat, e keqja arriti të mbjellë frikë dhe terror, por asnjëherë nuk e mposhti të vërtetën, nuk e ndali dot diellin të lindte. Vrasësit dhe urdhërdhënësit e vrasjes së Besimt dhe Bekimit do ta marrin dënimin, herët apo vonë.