a eshte kosova e gatshme per anetaresim ne nato pengesat dhe drita ne fund te tunelit 69621f40ac5da

A është Kosova e gatshme për anëtarësim në NATO, pengesat dhe drita në fund të tunelit?

January 10, 2026
min lexim

Pas një periudhe të gjatë të ngërҫit politik, prej pothuajse një viti, që nga shkurti i vitit të kaluar kur u mbajtën zgjedhjet, në dhjetor të vitit që lamë pas, Kosova mbajti zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, si tentativë për të nxjerrë vendin nga kriza.

Nga këto zgjedhje, sikurse ato të shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje doli fituese e zgjedhjeve, për të vazhduar kështu me Qeverinë Kurti 3. Kjo qeveri e re pritet të jetë rrugë-zgjidhje për problemet me të cilat aktualisht po përballet Kosova.

Vetëvendosje e cila deri më tani po dihet që ka fituar mi 51% të votave, do të jetë e gatshme të formoj menjëherë institucionet e reja.

Në kohën e ngërҫit politik, zyrtarët politikë në Kosovë u akuzuan se vendin po e lënë mbrapa edhe nga rruga e saj evropiane.

Mirëpo, duke qenë tani në këtë situatë, a është Kosova gati për anëtarësim në NATO nga aspekti i sigurisë?

Berisha: Që nga paslufta, Kosova ka ndërmarrë reforma të rëndësishme në sektorin e sigurisë, me synimin për harmonizim me standardet euroatlantike

Lidhur me këtë ҫështje, eksperti i sigurisë, Fidair Berisha thekson se, Kosova nga aspekti sigurisë ka arritur një nivel të kënaqshȅm për anëtarësim në NATO. Megjithatë, realizimi i këtij objektivi mbetet i kushtëzuar nga faktorë politikë ndërkombëtarë, përtej progresit të brendshëm të arritur nga ana e sigurisë së përgjithshme në vend.

“Anëtarësimi në NATO përbën një objektiv strategjik të Republikës së Kosovës si dhe një faktor kyç për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal. Që nga paslufta, Kosova ka ndërmarrë reforma të rëndësishme në sektorin e sigurisë, me synimin për harmonizim me standardet euroatlantike. Gjithashtu Kosova nga aspekti i brendshëm ka ndërtuar institucione të sigurisë që funksionojnë konforme sistemit demokratik, në përputhje me parimet e NATO-së. Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është zhvilluar si një forcë profesionale, shumëetnike dhe e trajnuar sipas doktrinave bashkëkohore të mbrojtjes”.

“Bashkëpunimi i vazhdueshëm me shtetet partnere të NATO-s dhe pjesëmarrja në ushtrime të përbashkëta kanë rritur ndërveprueshmërinë dhe kapacitetet operative të FSK-së. Prania e KFOR-it vazhdon të jetë një faktor i rëndësishëm stabilizues, por gjithashtu ka ndihmuar në zhvillimin profesional të institucioneve vendore të sigurisë. Kjo tregon se Kosova është e integruar praktikisht në arkitekturën e sigurisë së NATO-s, edhe pse jo formalisht, sipas te gjitha gjasave në një të ardhme jo të largët, pritet që edhe Kosova të bëhet pjesë e NATO-së”, thekson ai.

Image

Fidair Berisha

I pyetur se cilat janë pengesat politike dhe diplomatike për anëtarësimin e Kosovës në NATO, eksperti Berisha thotë se, pengesat kryesore për anëtarësimin e Kosovës në NATO janë kryesisht të natyrës politike dhe diplomatike, dhe jo të mungesës së kapaciteteve të sigurisë.

“Përparimi në këtë drejtim kërkon intensifikim të diplomacisë shtetërore, forcim të subjektivitetit ndërkombëtar dhe menaxhim konstruktiv të marrëdhënieve rajonale, në përputhje me interesat e sigurisë kolektive euroatlantike. Pengesë themelore politike për anëtarësimin e Kosovës në NATO është mosnjohja e saj nga disa shtete anëtare të Aleancës. Kjo situatë e bën të pamundur konsensusin e nevojshëm për anëtarësim, pasi NATO funksionon mbi parimin e vendimmarrjes unanime. Si rezultat, pavarësisht bashkëpunimit të ngushtë praktik me strukturat e NATO-s, Kosova mbetet jashtë mekanizmave formalë të integrimit.

“Një tjetër pengesë e rëndësishme diplomatike lidhet me marrëdhëniet e tensionuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mungesa e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese ndikon drejtpërdrejt në perceptimin ndërkombëtar të stabilitetit afatgjatë në rajon. Disa shtete anëtare të NATO-s e shohin zgjidhjen e këtij kontesti si parakusht për avancimin e statusit ndërkombëtar të Kosovës”, vlerëson Berisha.

Ai përmend edhe një rol të madh të Serbisë në procesin e mosanëtarësimit të Kosovës në NATO.

“Serbia shihet se ka një ndikim të rëndësishëm në procesin e mosanëtarësimit të Kosovës në NATO, kryesisht përmes veprimeve politike dhe diplomatike. Serbia edhe pse nuk është anëtare e NATO-s, ajo vepron në mënyrë indirekte për të penguar avancimin euroatlantik të Kosovës. Ndër të tjera, Serbia e paraqet çështjen e Kosovës si rrezik potencial për stabilitetin rajonal, duke argumentuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të përshkallëzonte tensionet në Ballkanin Perëndimor”, thekson ai.

Sipas ekspertit të sigurisë, ndikimi kryesor i Serbisë lidhet me mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe fushatat diplomatike për kontestimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj.

“Përmes lobimit të vazhdueshëm, Serbia ka ndikuar në qëndrimet e disa shteteve anëtare të NATO-s që nuk e njohin Kosovën, duke e bërë të pamundur konsensusin e nevojshëm për anëtarësim”, vlerëson ai.

Tahiraj: Kosova përballë rrugës drejt NATO-s: pengesa strukturore dhe dritë në fund të tunelit

Ndërkaq, analisti Saim Tahiraj vlerëson se, nëse analizohen me kujdes kriteret formale për anëtarësim në NATO, bëhet e qartë se Kosova aktualisht nuk i përmbush një pjesë të rëndësishme të tyre. Sipas tij, një nga pengesat kryesore lidhet me faktin se Kosova nuk është ende pjesë e Partneritetit për Paqe, që përbën një hap të domosdoshëm për vendet aspirante.

“Pa anëtarësimin në Partneritetin për Paqe, Kosova mbetet jashtë strukturave të integruara të NATO-s, duke u gjendur në një pozicion të pafavorshëm krahasuar me shtetet e tjera që synojnë Aleancën,” thekson Tahiraj.

Ai shton se një tjetër barrierë serioze mbetet mungesa e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga katër vende anëtare të NATO-s, çka e bën procesin politikisht të ndërlikuar. Sipas tij, kjo situatë krijon bllokadë, pasi zgjerimi i NATO-s kërkon konsensus të plotë nga të gjitha vendet anëtare.

“Pa një dakordim të plotë politik brenda Aleancës, çdo hap drejt anëtarësimit mbetet i vështirë,” shprehet analisti, duke rikujtuar se përveç kësaj ekzistojnë edhe sfida të tjera, si harmonizimi i kapaciteteve ushtarake dhe të sigurisë me standardet e NATO-s.

Image

Saim Tahiraj

Megjithatë, Tahiraj vlerëson se perspektiva e Kosovës për anëtarësim nuk është e mbyllur. Ai thekson se ndryshimet në situatën politike dhe të sigurisë në Ballkan, si dhe rritja e interesimit të Shteteve të Bashkuara dhe vetë NATO-s për stabilitetin rajonal, mund ta përshpejtojnë këtë proces.

“Nëse këta faktorë gjeopolitikë përputhen në favor të Kosovës, atëherë vendi mund të avancojë më shpejt drejt integrimit në strukturat veriatlantike të sigurisë dhe mbrojtjes,” deklaron ai.

Tahiraj nënvizon se procesi mbetet kompleks dhe i ndikuar drejtpërdrejt nga zhvillimet ndërkombëtare, por thekson se gjithmonë ekziston një mundësi reale për anëtarësim. Sipas tij, për institucionet dhe qytetarët e Kosovës, njohja e sfidave dhe përgatitja serioze për t’i përballuar ato mbeten çelësi i ecjes përpara në rrugën drejt NATO-s.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

nintendo zbulon variantet e para te ngjyrave per kontrolluesit joy con te switch 2 69621f0f0d20e
Lajmi i mëparshëm

Nintendo zbulon variantet e para të ngjyrave për kontrolluesit Joy‑Con të Switch 2

vuciq bojkoton serish be ne brnabic ndjek shembullin e tij pse beogradi po krijon me qellim armiqesi me brukselin 69621f54aa962
Lajmi i radhës

Vuçiq “bojkoton” sërish BE-në, Brnabiç ndjek shembullin e tij, pse Beogradi po krijon me qëllim armiqësi me Brukselin

Të fundit nga

Nis ndërtimi i aeroportit më të madh në Afrikë

Kompania ajrore ETHIOPIAN Airlines nisi zyrtarisht një projekt ndërtimi prej 12.5 miliardë dollarësh, për të cilin zyrtarët thonë se do të ndërtojë aeroportin më të madh të Afrikës kur të përfundojë në
ShkoLartë