A është i pashmangshëm një rend botëror i udhëhequr nga Kina?

min lexim

Qoftë në rastin kur udhëheqësi kinez Xi Jinping i dha leksione kryeministrit kanadez Justin Trudeau mbi informacionet e rrjedhura në media gjatë samitit të G20, protestat e fundit mbarëkombëtare kundër kufizimeve anti-Covid, apo nostalgjia për një Kinë më të hapur të shkaktuar nga vdekja e ish-presidentit kinez Jiang Zemin, njerëzit janë në mëdyshje se me çfarë lloj Kine kemi të bëjmë. 

Tek e fundit, dallimi midis “revizionizmit” dhe “statuskuosë” është shumë i thjeshtë. Për dekada, studiuesit e kanë imagjinuar asimilimin e Kinës në sistemin global, duke diskutuar madje një rend të ardhshëm të udhëhequr nga Kina. Nëse marrëdhëniet ndërkombëtare kuptohen si një strukturë dhe socializim i shteteve bazuar në identitete dhe interesa, është i nevojshëm identifikimi i duhur i “natyrës” së Kinës. 

Shumë studiues e konsiderojnë Kinën si një shtet realist, dhe shumë ekspertë kinezë të marrëdhënieve ndërkombëtare besojnë gjithashtu tek realizmi. Por realizmi është një vazhdimësi, shkalla dhe mikro–themelet e të cilit kanë rëndësinë e vet. Epoka e Maos ishte ideologjike, ndërsa pasardhësit e tij ishin shumë racionalë dhe pragmatikë. 

Shtetet e Bashkuara synonin të kundërshtonin Bashkimin Sovjetik. Pas vdekjes së Maos, gjestet reformiste të liderëve kinezë çuan në dekada të hapjes dhe reforma të orientuara nga tregu. Në fakt, vitet 1980 ishin “dekada e artë”. Por gjërat nisën të ndryshojnë rreth vitit 1990. 

Disa ngjarje, si protesta e Tiananmenit dhe shpërbërja e BRSS, rindërtuan perceptimet e kërcënimit në udhëheqjen kineze. Kur udhëheqësi kinez Deng Xiaoping pa se studentët protestues në sheshin Tiananmen “u mbështetën nga Perëndimi për ta rrëzuar regjimin socialist”, ai kuptoi se tashmë kërcënimi ekzistencial vinte nga Perëndimi. 

Pas shtypjes së përgjakshme të protestës, Jiang Zemin goditi të gjithë drejtuesit e lëvizjes studentore dhe nisi censurimin e internetit, që u shndërrua në ‘Firewall-in’ e madh shumë të sofistikuar që shohim sot. Por në atë kohë Kina ishte ende e dobët. Në vitin 1990, PBB-ja bruto i Kinës ishte vetëm sa 1/20 e asaj të SHBA-së. 

Po ashtu, ajo kishte një ushtri të prapambetur dhe një sistem politik të paqëndrueshëm. Në dallim nga të tjerët, realistët priren ta perceptojnë botën si më të zymtë. Pasi pa kolapsin e aq shumë shteteve komuniste, Kina e pa sistemit ndërkombëtar – një hierarki të udhëhequr nga SHBA – si një botë ku secili ndihmon veten. 

I rrethuar nga bazat ushtarake amerikane, i përballur me sanksione, i frikësuar se idetë liberale mund ta kërcënojnë regjimin dhe pa aleatë me peshë, Pekini ndihej i pasigurt. Zgjedhja e vetme e mbetur ishte rritja e aftësisë së Kinës ose ndryshimi i ekuilibrit të fuqisë, siç parashikojnë realistët. 

Ndër ndryshimet strategjike të Kinës ishte fokusi i saj në zhvillimin e shpejtë të armëve asimetrike, si raketat balistike dhe nëndetëset, në vend të projekteve të shtrenjta si aeroplanmbajtëset. Synimi ishte përdorimi i një avantazhi asimetrik për t’iu kundërvënë epërsisë ushtarake të teknologjisë së lartë të Shteteve të Bashkuara.

Shtylla e dytë ishte sigurisht ekonomia. Kina duhej të mbështetej tek tregjet, kapitali dhe teknologjia amerikane. Që nga pranimi i saj në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), investimet, teknologjitë dhe përvoja e menaxhimit janë derdhur në Kinë, duke krijuar miliona vende pune dhe mijëra laboratorë kërkimore dhe fabrika prodhimi.

Për gati dy dekada, strategjia kryesore e Kinës ishte sa për të përdorur fjalët e Deng “Fshihni forcën, prisni kohën tuaj, dhe mos merrni kurrë asnjë drejtim”. Arkivat tregojnë se arsyetimi i kësaj strategjie bazohej në një krahasim objektiv të fuqisë, një qasje kjo tipike realiste. Liberalët mund të argumentojnë se ishte (ndër)varësia ekonomike, ajo që i parandaloi veprimet e profilit të lartë nga Kina. Gjatë viteve 1989-2002, Sekretari i Përgjithshëm i 

PKK Jiang Zemin e ndoqi në përgjithësi këtë strategji, duke shfaqur edhe disa karakteristika reformiste. Edhe pasardhësi i Jiang, Hu Jintao, nuk ishte aq i sigurt në vetvete, por udhëheqja kolektive mbeti vigjilente. Kërcënimet e supozuara nga “revolucionet me ngjyra” mbeteshin në fokus, ndërsa vazhduan goditjet e brendshme. Më pas, ekonomia e Kinës lulëzoi, duke ia kaluar Japoninë pas krizës globale financiare të vitit 2008. 

Fjalimet e liderëve kinezë në atë kohë, pasqyrojnë perceptimin e ri të PKK për rënien e Perëndimit. Për realistët, struktura dhe aftësitë ndërkombëtare janë të një rëndësie të veçantë. Ndaj nuk është për t’u habitur pse Kina hoqi dorë nga qëndrimi i saj i mëparshëm i profilit të ulët. 

Pasi u bë president në vitin 2012, Xi Jingping e theksoi rëndësinë e luftës ndaj liberalizmit perëndimor. Shpeshherë SHBA-të u portretizuan nga mediat kineze si të korruptuara dhe kaotike. Xi nisi ndërtimin e kultit të tij të personalitetit, dhe ndërmori “fushata kundër korrupsionit” për të konsoliduar pushtetin.

Njëherazi e forcoi shtypjen ndaj protestuesve të të drejtave të njeriut, avokatëve, sindikatave, figurave të medias dhe grupeve fetare, si dhe në Xinjiang dhe Hong Kong. Me teknologjitë e përparuara të mbikëqyrjes, autoritarizmi dixhital në Kinë arriti një nivel të paprecedenta. 

Politika e tij e jashtme u bë më agresive. Kina e ndërtoi fuqinë e saj ushtarake globale dhe i përshkallëzoi mosmarrëveshjet territoriale. Tani ajo ka nisur të krijojë institucionet e veta ekonomike dhe të sigurisë, ndoshta si pjesë e thirrjes së Xi për ndërtimin e “një rendi të ri e e të drejtë global”. 

Në fakt Pekini ka eksportuar autoritarizëm në mbarë botën. Kjo do të thotë se Kina po e minon rendin aktual në planin afatgjatë. Megjithatë, demokracitë industriale kanë filluar të reagojnë dhe ato mund të jenë në gjendje të rifitojnë konkurrencën dhe tërheqjen globale.

Edhe nëse ka marrëveshje të nënshkruara, shtetet autokratike kanë më pak gjasa t’i respektojnë ato, sidomos sepse organizatat ndërkombëtare e kanë të vështirë të monitorojnë respektimin e tyre dhe u mungojnë mekanizmat efektivë për këtë.

Ndërkohë një rend me norma më të dobëta liberale mund të çojë gradualisht në më pak shtete liberale, dhe kjo mund ta bëjë botën më kaotike. Rrjedhimisht, do të binte niveli i besimit midis anëtarëve, dhe politika e fuqisë do të shndërrohej në mënyrë të pashmangshme në një tragjedi për shtetet kombëtare.

Për këto arsye modeli hipotetik për të zëvendësuar plotësisht rendin aktual, liberal mund të jetë  më shumë një mendim i dëshiruar, duke e bërë atë ndoshta edhe më konfliktual dhe më të rrezikshëm se sa rendi aktual. 

Marrë me shkurtime

Story i mëparshëm

Gjermania ka mungesë punëtorësh, por emigrantët atje e kanë të vështirë të gjejnë punë

Story i radhës

Türkiye, 7 të vdekur nga shpërthimi në një restorant në Aydın

Të fundit nga