Zëdhënësja e opozitares VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva, kërkoi që në detaje të hetohet se cila është kompania që ka kryer digjitalizimin e të dhënave për evidentimin amë të qytetarëve dhe nëse janë të sakta të dhënat se pronari i kompanisë është kushëri i afërt i një funksionari të pushtetit. Hodhi dyshime se është e mundur që të keqpërdoren të dhënat personale të qytetarëve.
“Për çfarë nevojash janë keqpërdorur këto të dhëna dhe kush do të garantojë mbrojtjen e qytetarëve? Ky rast për keqpërdorim eventual të të dhënave edhe një herë konfirmon se pushteti ka hyrë thellë në krim dhe korrupsion dhe sa më shpejtë nevojiten zgjedhje dhe ndryshim i pushtetit, ku së pari do të rezultojë me përgjegjësi për kryerësit, e më pas do të kemi institucionet të cilat do të funksionojnë me nder dhe në interes të qytetarëve”, tha Marija Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.
Gjatë ditës së djeshme, i pyetur për të njëjtën gjë, i pari i MPB-së, Oliver Spasovski, tha se nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë keqpërdorim masiv. Edhe pse, siç thotë, MPB së bashku me prokurorinë në raste tjera tashmë kanë punuar në lëndë me keqpërdorimin e të dhënave personale.
“E dini se ekziston Agjenci e posaçme për mbrojtjen e të dhënave personale dhe këtu të gjithë institucionet që veprojnë me të dhënat personale kanë rregulla të veçanta dhe procedura në bazë të së cilave veprohet. Keqpërdorimi më i madh i të dhënave bëhet nëpërmjet portaleve, rrjeteve sociale dhe andaj duhet të punohet shumë më shumë në pjesën e ngritjes së vetëdijes publike”, dekalroi Oliver Spasovski, MPB.
Përndryshe KSHPK hapi dyshime serioze për tregti me të dhëna personale milionëshe të qytetarëve. Sipas anëtarëve të Antikorrupsionit, në dy procedurat e tenderit nuk janë paraparë masa adekuate mbrojtëse me qëllim që të ruhet privatësia përkatësisht të dhënat personale të qytetarëve gjatë skenimit, kontrollit, udhëheqjes, transferimit dhe përpunimit të të dhënave personale nga ana e operatorëve të angazhuar ekonomik në bazë të marrëveshjeve të lidhura me Drejtorinë për udhëheqje të librave amë.
Rasti ka të bëjë me digjitalizimin e librave amë, me të dhënat për të porsalindurit, të martuarit dhe të vdekurit, i zbatuar përmes Drejtorisë për udhëheqjen e librave amë, në tender të shpallur që e ka marrë kompania Novatek Inv SHPKNJP. Antikorrupsioni paralajmëroi kallëzime penale kundër dy ish drejtorëve të Drejtorisë.
Burimi: TV21