Ngjarjet që kanë ndodhur në muajt e fundit në Evropë, posaçërisht lufta e tmerrshme e shkaktuar nga agresioni fashist ushtarak i Rusisë në Ukrainë, ngjarje të cilave ende nuk po iu shihet fundi dhe epilogu i tyre politik, ushtarak dhe strategjik, posaçërisht në kontekstin e raporteve midis Evropës dhe SHBA-ve, në njërën anë, dhe Federatës ruse, në anën tjetër, që pa asnjë dyshim, se këto ngjarje e kanë ndryshuar plotësisht rendin e deritanishëm botëror, por për pasojat e të cilave ngjarje është herët që të jepet ndonjë vlerësim paraprak !
Por, ajo që ne shqiptarëve si komb dhe si dy shtete të pavarura na intereson, është e ardhmja jonë dhe e gjeneratave që do vijnë më pas, e cila në vetvete ngërthen pyetjen hipotetike; çfarë do ndodhë po qese Evropa një ditë serish do ndahet në perandori të reja, siç ishin dikur, Perandoria spanjolle (1492-1975), Perandoria britanike (1583 – 1997), Perandoria portugeze (1450-1999), Perandoria Gjermane (1871–1918), Perandoria ruse (1721-1917), Perandoria Austro-Hungareze (1867–1918), etj., intencë kjo e shpërfaqur nën rrogoz tek disa popuj dhe shtete të Evropës perëndimore, mbase si një variant i ri për ta larguar Amerikën nga Evropa, i biseduar ndoshta fshehtë edhe me V. Putinin !?
Pra, në një situatë të brendshme të ç’ ekuilibruar brenda vendeve anëtare të BE-së, si dhe idesë së ndarjes së Evropës në të ardhmen në perandori të reja, patjetër që shtrohet pyetja, se ku do mbetej Kosova dhe Shqipëria në rastin e një ndarje eventuale të tillë, qoftë, madje edhe sipas modelit anglez të “Brexitit” të saj nga BE-ja, për shkak të gjoja rrezikut nga egocentrizmi ekonomik gjerman dhe ai kulturor francez mbi kulturën dhe vlerat e kombit anglez, dhe jo vetëm, çështje kjo e shtruar brenda disa qarqeve politike dhe diplomatike të Evropës perëndimore në krye me Gjermaninë dhe Francën.
Por, tani edhe për shkakun e “tradhtisë” gjermano-austriake për ta furnizuar fshehurazi me armë Rusinë, duke i thyer masat e embargos ekonomike të vendosura nga shtetet perëndimore në krye me SHBA-të ndaj Rusisë për shkak të agresionit ushtarak të saj në Ukrainë.
Së dyti, janë divergjencat e mëdha politike midis Francës, Anglisë dhe Gjermanisë, në raport me interesat tregtare dhe ekonomike të secilit vend veç e veç karshi tregut rus si dhe varëshmërisë në masën prej 70%-ind të ekonomisë gjermane nga gazi rus, miqësia tradicionale e Francës me Rusinë, dhe, nga ana tjetër, Anglia me çdo kusht po punon që ta mundë Rusinë në Ukrainë, shkaqe këto të mjaftuara që kanë shkaktuar çarje tek vendet perëndimore që bashkërisht ta mbajnë Rusinë sa më larg Evropës dhe që të mos të zgjerohet drejt vendeve baltike, etj.
Ndërsa, fakti, se V. Putini, si pretekst të agresionit të tij në Ukrainë, i ka marrë sulmet e NATO-s ndaj Serbisë për shkak të Kosovës, sipas tij, në kundërshtim me Kartën e OKB-së dhe pa vendim të KS të OKB-së, në veçanti citimi që këto ditë Putini i bëri dokumentit të Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi (GJND), sipas të cilit pavarësia e Kosovës ka qenë akt legjitim, duke e përdorur këtë analogji si argument për njohjen e pavarësisë së Donbasit dhe Luganskit edhe nga vendet tjera, jo vetëm nga Rusia, si regjione të pavarura nga Ukraina, citim të cilin ai e bëri në prezencë të Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, dhe kështu me radhë, ekspertë ndërkombëtarë e kanë marrë si njohje të pavarësisë së Kosovës nga ana e Rusisë.
Dhe, nëse është kështu, kjo pa dyshim e ka vënë Serbinë para aktit të kryer; o do ta njeh Kosovën si shtet të pavarur, ose do ta fillon luftën e re për “rikthim” të Kosovës nën pushtimin e saj, gjë e cila ka pak gjasa të ndodhë.
Por, aq sa mund të kuptohet nga mediat, Beogradi zyrtar tanimë e ka marrë vendimin, që Serbia të rreshtohet me Amerikën dhe Perëndimin kundrejt Rusisë, ndaj të cilës pritet të vendos edhe sanksione, gjë që ky akt do t’i jepte fund vëllazërisë shekullore serbo-ruse, e, që një rrjedhë e këtillë e ngjarjeve do ishte në favor të plotë të Kosovës dhe të ardhmes së saj në Evropë.
Në kontekst të kësaj strategjie është edhe vizita (urgjente) në Kosovë, Serbi dhe Shqipëri para tri-katër ditësh e delegacionit shumë të lartë amerikan, në krye me Dr. Karen Donfried, ndihmës- sekretare e shtetit për çështje evropiane dhe euro-aziatike, meqë rast Prishtinës dhe Beogradit iu ka dhënë porosi e qartë, se dialogu duhet të përmbyllet sa më shpejtë që është e mundur me njohje reciproke, dhe, se çdo vonesë dhe luhatje e Serbisë drejtë orientimit pro-perëndimorë dhe euro-atlantik, do jetë tejet i dëmshëm për të dhe gjithë rajonin e Ballkanit perëndimor.
Ndërsa, shefja e delegacionit amerikan Dr. Karen Donfried gjatë qëndrimit të saj në Prishtinë, do deklaroi me kënaqësi, se Kosova nuk duhet të ketë frikë për sigurinë e saj, sepse është KFOR-i dhe NATO-ja ato që do e sigurojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës së pavarur..!!