A duhet të ketë zonë ndalim-fluturimi nga NATO? Kurti flet për BBC për luftën në Ukrainë dhe kërcënimin nga Rusia

March 21, 2022
min lexim

Intervista e sotme e Kryeministrit Albin Kurti për BBC Radio në kuadër të programit Newsday

Gazetari: Përderisa po futemi në javën e katërt të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, ekziston shqetësimi i përhapjes së konfliktit në Ballkanin Perëndimor. Bosnja dhe Hercegovina po përballet me një rigjallërim të tendencave secesioniste, kurse përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës kanë ngecur viteve të fundit. Ishte viti 1999 kur forcat e NATO-s bombarduan Beogradin, kryeqytetin e Serbisë, për ta ndaluar spastrimin etnik që serbët po i shkaktonin shqiptarëve në Kosovë. Kësaj po i referohet shpesh presidenti rus Putin duke e justifikuar luftën në Ukrainë. Një nga liderët që është shprehur hapur kundër luftës në Ukrainë është Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. E kemi në lidhje të drejtpërdrejtë nga kryeqyteti, Prishtina. Kryeministër Kurti, sa të shqetësuar jeni që kriza në Ukrainë mund të përhapet në Ballkanin Perëndimor dhe në Kosovë?

Kryeministri Kurti: Mirëmëngjesi të gjithë dëgjuesve tuaj. Në të kaluarën Kremlini e përmendte Kosovën një herë në muaj, ndërsa tani po na përmend disa herë në javë, çdo të dytën ditë, dhe unë besoj që ata dëshirojnë ta keqinterpretojnë ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, që ishte për ta ndaluar gjenocidin, si përpjekje për ta justifikuar imperializmin e tyre, aspiratat e tyre hegjemoniste dhe së fundi pushtimin dhe agresionin e tyre ushtarak kundër Ukrainës. Ne që nga fillimi kemi shprehur admirimin dhe solidaritetin tonë me luftën çlirimtare të popullit ukrainas dhe kemi dënuar ashpër agresionin e Federatës Ruse ndaj Ukrainës, që ka qenë e paprovokuar dhe është absolutisht i pajustifikueshëm.

Gazetari: Po flet për një konflikt ushtarak të instiguar?

Kryeministri Kurti: Definitivisht. Serbia është shteti i vetëm në Rajon që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë. Ata kanë lidhje të forta politike, ekonomike dhe ushtarake. Për shembull Gazprom-i zotëron 56% të industrisë së naftës në Serbi. 151 deputetë të parlamentit të Serbisë, mbi 60%, janë pjesë e grupit të miqësisë Rusi-Serbi, dhe gjithashtu Serbia ka 14 avionë luftarakë MIG-29 nga të cilët 8 janë donacione nga Bjellorusia dhe 6 nga Rusia. Serbia shpenzon pothuajse 3% të BPV-së në ushtri dhe kjo i bie dy herë më shumë se pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor së bashku. Pra ekziston një militarizim i Serbisë, e cila nuk e njeh Kosovën dhe e cila përmes Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë po përpiqet ta bëjë atë vend jofunksional, ta kthejë atë në një shtet të dështuar dhe në fund ta marrë atë në kontrollin e saj.

Gazetari: Kryeministër Kurti, këtu nuk e keni fjalën për aleanca historike, por po ndiheni të kërcënuar tani?

Kryeministri Kurti: Natyrisht, aleancat historike ekzistojnë, por gjithashtu janë ato lidhjet aktuale të forta dhe të gjera midis Beogradit dhe Kremlinit, dhe kjo është shumë shqetësuese sepse është në interesin e Kremlinit ta përhapë konfliktin diku tjetër, ta transferojë destabilizimin dhe pasigurinë në kontinentin evropian, në mënyrë që ta arrijë atë që në thelb Presidenti despotik Putin dëshiron, e që është Jalta 2, një tjetër Konferencë e Jaltës në të cilën ai do të ulej me Presidentin Biden. Unë jam shumë i bindur se Presidenti Putin nuk dëshiron të ulet dhe të negociojë me Presidentin Zelenski, në fakt ai dëshiron ta vrasë atë. Ai dëshiron të ulet me Presidentin Biden, dhe kjo është shumë shqetësuese sepse do të kërkoheshin kriza të tjera në kontinentin evropian ku ka mundësi të shkaktohet konflikt dhe luftë në mënyrë që ta copëtojnë Evropën ashtu siç bënë para më shumë se 70 viteve.

Gazetari: Kryeministër Kurti, është shumë e pazakontë ta dëgjosh një lider të zgjedhur, një kryeministër si ti, duke i thënë gjërat kaq qartë në radio. A mendoni se liderët e tjerë botërorë po ju dëgjojnë?

Kryeministri Kurti: Mendoj se po, por në të njëjtën kohë besoj që nuk duhet të jenë të vetë-mjaftueshëm për unitet dhe solidaritet të demokracive perëndimore. Ne duhet ta forcojmë këtë unitet dhe duhet të solidarizohemi në mënyrë aktive. Ne duhet t’i ofrojmë të gjithë ndihmën popullit ukrainas, por në të njëjtën kohë nuk duhet ta tolerojmë asnjë lloj neutraliteti në këtë konflikt. Nuk është e mundur të jesh neutral në mes të zjarrit dhe zjarrfikësit. Është thelbësore tani të bashkohemi dhe të jemi aktiv në solidaritet me Ukrainën, por në të njëjtën kohë të gjitha vendet në Evropë të cilat nuk e dënojnë ashpër dhe nuk vendosin sanksione ndaj Federatës Ruse duhet t’i shohim me shqetësim.

Gazetari: Nga Rusia ka akuza se Kosova po dërgon luftëtarë për të luftuar përkrah trupave ukrainase. A është e vërtetë?

Kryeministri Kurti: Asnjë qytetar nga Kosova nuk ka shkuar për të luftuar në Ukrainë. Ata po thonë lloj-lloj dezinformatash dhe pretendimesh të rreme sepse kjo është pjesë e luftës së tyre hibride. Pra, lufta hibride është plot gënjeshtra, plot narrativa të rreme dhe lufta hibride kthehet në luftë. E kemi parë me Ukrainën. Lufta hibride nuk e zëvendëson luftën, është vetëm faza përgatitore e saj, dhe ne duhet të shqetësohemi shumë për të gjitha këto akuza të rreme, sepse janë shenja paralajmëruese për atë që do të ndodhë më pas. Më lejoni t’ju rikujtoj se Presidenti Putin u bë Kryeministër i Federatës Ruse vetëm dy muaj pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999, dhe gjithashtu disa muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt 2008, ai aneksoi Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë. Pra, Ballkani Perëndimor është në rrezik për shkak të mosdistancimit të Beogradit nga Kremlini.

Gazetari: E kam një pyetje, a duhet NATO të qëndrojë ashtu siç është për momentin, duke ndihmuar në aspektin logjistik por jo duke ndërhyrë, duke mos u futur në konflikt aktiv. A mendon që duhet të ketë një zonë ndalim-fluturimi?

Kryeministri Kurti: NATO ndaloi gjenocidin serb në Kosovë. 19 shtete u bashkuan për të ndaluar Kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, pasi ai veçse kreu gjenocid në Bosnje dhe Hercegovinë. Pra, ishte gjenocidi i dytë në kontinentin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore që e bëri NATO-n të ndërhynte. NATO, shtetet e NATO-s, populli i Evropës duhet ta ndihmojnë popullin ukrainas sepse ata po e mbrojnë të gjithë kontinentin.

Gazetari: A duhet të ketë zonë ndalim-fluturimi, po apo jo?

Kryeministri Kurti: NATO e di më së miri, por mendoj se kur i shihni popullin e Ukrainës duke vuajtur dhe në të njëjtën kohë avionët dhe artilerinë ruse duke i bombarduar civilët, nuk mendoj se ajo që po bëjmë aktualisht, përfshirë NATO-n, është e mjaftueshme.

Gazetari: Për Newsday foli Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Ukraina i kërkon Kinës të pozicionohet: Ju duhet ta luani një rol më të rëndësishëm!

Story i radhës

Moment i tmerrshëm kur Rusia lëshon bomba me vakum në Mariupolin e rrethuar, ndërsa civilët e guximshëm refuzojnë të dorëzohen

Të fundit nga

Citate motivuese për kohët më të errëta

Leximi i citimeve motivuese gjatë kohëve më të vështira mund të jetë jashtëzakonisht i dobishëm. Këto janë momente kur gjykimi mjegullohet dhe frymëzimi zbehet, duke lënë vend për një ndjenjë shtypjeje. Pothuajse

Çdo 10 minuta, në botë vritet një grua

12 Shkup, 29 nëntor – Numri i grave të vrara nga bashkëshortët apo familjarët e tyre në botë ishte 51,100 vitin e kaluar, njoftoi të hënën agjencia e Kombeve të Bashkuara për

Gresa për Rovenën: E sëmurë nga xhelozia

Konkurrentja e Big Brother VIP Kosova, Gresa, ka vazhduar përplasjet me Rovenën. Ajo e quajti atë si ‘e sëmurë nga xhelozia’ dhe shkak u bë interpretimi i një kënge në programin festiv
ShkoLartë