Shtatë persona humbën sot jetën, si pasojë e sulmeve ruse në rajonin e Khersonit, në jug të Ukrainës, njoftuan autoritetet vendase. Mes viktimave, ishte edhe një foshnje tre javëshe.
Sulmet në fshatin Shiroka Balka shuan një familje të tërë, prindërit, dy fëmijët, 12 vjeç dhe foshnjen, si dhe një banor tjetër. Dy burra u vranë në fshatin tjetër Stanislav, ku mbeti e plagosur edhe një grua.
Guvernatori i rajonit të Kherosnit, Oleksandr Prokudin tha sot se tre persona kishin mbetur të plagosur si pasojë e një tjetër sulmi që Rusia kishte kryer të shtunën.
Zyrtarët ushtarakë ukrainas thanë të shtunën në mbrëmje se forcat e Kievit kishin bërë përparim në jug, duke pretenduar njëfarë suksesi pranë një fshati kyç në rajonin jugor të Zaporizhzhias dhe duke marrë nën kontroll territore të tjera të papërcaktuara.
Në Rusi, zyrtarët lokalë njoftuan të dielën se sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan tre dronë mbi rajonin Belgorod dhe një mbi rajonin fqinj Kursk, që të dy kufizohen me Ukrainën.
Ndërkohë në njoftimin e saj të përditshëm lidhur me agresionin rus ndaj Ukrainës, ministria britanike e Mbrojtjes tha se grupi mercenar Wagner ka luajtur një rol kyç në sulmin ushtarak të Rusisë, por ekziston një “shans real” që Kremlini të mos i sigurojë më fonde.
Ministria britanike tha se besonte se “ka të ngjarë që grupi Wagner të tkurret dhe të rikonfigurohet” për të kursyer para dhe se Kremlini kishte “vepruar kundër disa interesave” të shefit të Wagnerit, Yevgeny Prigozhin. Zyrtarët vlerësuan se pas Rusisë, autoritetet bjelloruse janë kontribuesit më të mëdhenj financiar për grupin Wagner. Mijëra luftëtarë të grupit Wagner u zhvendosën në Bjellorusi, aleate e Rusisë, sipas një marrëveshjeje që i dha fund rebelimit të tyre të armatosur ndaj Moskës në fund të qershorit ./VOA
Burimi: GAZETA.MK