12 persona janë dërguar në spital në qytetin Oklahoma, si pasojë e të shtënave me armë mbrëmjen e së dielës, sipas policisë dhe zyrtarëve spitalorë.
Zëdhënësja e policisë së Edmondit, Emily Ward, tha se autoritetet morën raportime për të shtëna rreth orës 21:00 gjatë një tubimi të të rinjve pranë liqenit Arcadia. Ajo konfirmoi se deri të dielën në mbrëmje nuk ishte bërë asnjë arrestim.
Sipas saj, 10 persona u dërguan në spitale, ndërsa të tjerë shkuan vetë për trajtim. Viktimat raportohet se janë në gjendje të ndryshme shëndetësore.
Një zëdhënës i sistemit shëndetësor konfirmoi se 9 persona po trajtohen në Qendrën Mjekësore Baptiste “Integris Health” në qytetin Oklahoma, dhe 3 të tjerë në Spitalin “Integris Health” në Edmond, ndërsa të gjithë po vlerësoheshin mbrëmjen e së dielës.
Policia nuk ka dhënë detaje për natyrën e festës, por në rrjete sociale është përmendur një event i quajtur “Sunday Funday” që dyshohet se ishte organizuar pranë liqenit.
Liqeni Arcadia, rreth 21 kilometra në veri të qytetit Oklahoma, është një rezervuar artificial i përdorur për kontroll përmbytjesh dhe një zonë e njohur rekreative për peshkim, lundrim dhe kamping.
Zona e Edmondit, ku ndodhi ngjarja, ka rreth 100 mijë banorë dhe është e njohur edhe për një nga sulmet më të rënda në vendet e punës në SHBA në vitin 1986, kur një punonjës poste vrau 14 persona para se të vetëvritej, shkruan AP.
Burimi: botasot.info


