Me fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian, si pjesë e skriningut të Komisionit Europian, një prej 35 kapitujve është edhe kapitulli i 16 i cili përfshin Tatimin.
Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Abdulselam Selami bashkë me kolegen e tij, Sanja dhe një pjesë të stafit të DAP-it prej sot po qëndrojnë në Bruksel me qëllim të realizimit të këtij obligimi që është pjesë e negociatave për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.
“Kapitulli i 16, përfshin rregulla për tatimin jo – të drejtpërdrejtë dhe njihet si VAT (value-added tax) apo TVSH (Tatimi i Vlerës së Shtuar) dhe përcakton të drejtat dhe detyrimet. Më shumë ndryshimet vlejnë për taksimin e produkteve si duhani, pijet alkoolike dhe energjinë. Në disa raste të taksimit të drejtpërdrejtë ka disa rregullore që parandalojnë taksimin e dyfishtë dhe të dëmshëm për qytetarët dhe për bizneset. Gjithashtu, si pjesë e reformave është mënyra se si të detektohen kompanitë fiktive dhe lufta ndaj këtyre kompanive”, ka shkruar Selami në faqen e tij zyrtare në facebook.
Sipas zëvendësdrejtorit të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Abdulselam Selami reformat në tatim kanë rëndësi edhe në modernizimin dhe digjitalizimin e tregtisë ku përfshihen edhe pako të TVSH-së për tregtinë elektronike, si dhe vendime për lirimin nga TVSH për import.
Me këtë rast gjithashtu krerët e DAP-it informojnë se me përkushtim do të vazhdojnë të përmbushin këtë reformë me qëllim të plotësimit të obligimeve që ka vendi për anëtarësim në Bashkimin Europian!