Cigarja që e la ndezur njëri nga të moshuarit duket se ishte shkaktari i djegies së një pjese të katit të dytë në shtëpinë e të moshuarve, të cilët janë pa përkujdesje familjare. Zjarri është shuar shpejt nga zjarrfikësit, por si pasojë një person kërkoi ndihmë mjekësore dhe po trajtohet në QKUK, kurse, 56 të tjerë janë zhvendosur në njërin nga hotelet në Prishtinë.
Ndërkohë, kishte dëme materiale të cilat pritet të rregullohen, por që ende nuk dihet se kur ata do të mund të rikthehen.
Arsyeja e shkaktimit të zjarrit në Shtëpinë e të moshuarve, dyshohet të jetë cigarja të cilën e kishte lënë një i moshuar në objekt. Kështu ka deklaruar drejtoresha e Shtëpisë së Moshuarve, Raza Alickaj.
Alickaj për KosovaPress, tha se gjendja shëndetësore e të moshuarve është e mirë, derisa shtoi se ka dëme materiale të cilat do të rregullohen.
Alickaj: Gjendja e të moshuarve është e mirë, ata ndodhen në hotel
“Ka qenë ditë pushimi , kanë qenë në ndërrim punëtorët e ndërrimit, teknik meridional, infermierët , kuzhina dhe pjesën e përgatitjes ushqimit si dhe sigurimi. Ne pjesa tjetër kemi qenë në pushim , kemi marrë informacioni pasi që ka ndodhur rasti , menjëherë kemi ardhur. Ashtu siç kanë treguar punëtorët po dyshohet se një i moshuar me një cigare ka mundur të shkaktojë zjarrin. Po flas në bazë të informacioneve zyrtare dhe ekspertëve të cilët kanë qenë dhe e kanë konstatuar vend ngjarjen, ajo pjesë ka qenë e izoluar dhe nuk ka depërtuar askush, fatmirësisht nuk kemi pasur të lënduar, as raste tjera më të rënda. Rezidentët i kemi dërguar në një hotel afër në Prishtinë, gjendja e tyre është e mirë…. Për momentin numri i të moshuarve është 57-të, dy prej tyre kanë qenë në vizita familjare nuk kanë qenë këtu, pesë i kemi dërguar në shtëpi të shëndetit se nuk i ka nxënë hoteli, pjesa tjetër janë në hotel. … Për me ruajtur shëndetin e tyre është bërë ky evakuim sot menjëherë është nis me punime, pastrimi dhe ka ardhur edhe ndërmarrja publike banesore, besoj që rregullohet gjendja e objektit shpejt dhe me u kthyer rezidentët në shtëpinë e tyre dhe në dhomat e tyre”, tha Aliqkaj.
Ndërkaq, zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Donat Lushaku tha se ekipi i zjarrfikësve kanë shuar me sukses zjarrin.
Lushaku tha se objekti do të dezinfektohet dhe lyhet dhe pastaj do të kthehen të moshuarit në shtëpinë e tyre.
Lushaku: Objekti do të dezinfektohet dhe pastaj do të kthehen të moshuarit
“Tashmë të 57 të moshuarit janë të vendosur në një hotel në Prishtinë deri sa të rregullohet gjendja dhe pastaj të kthehen në shtëpinë e të moshuarve. Ka dëme materiale, një pjesë e konsiderueshme e objekteve që gjenden aty, ndërsa dëme në njerëz nuk ka, banorët janë në gjendje të mirë, përveç një rasti që është duke u trajtuar në QKUK. 05:00 Ndërhyrja do të bëhet në kuptimin e dezinfektimit, pastrimit dhe lyerjes së asaj pjese dhe pastaj ekspertët e policisë dhe zjarrfikësve do të vendosin se kur do të kthehen të njëjtë, do t’iu lajmërojmë”, tha Lushaku.
KosovaPress ka tentuar të mësojë më shumë lidhur me gjendjen shëndetësore të të moshuarit që gjendet në QKUK, mirëpo këta të fundit nuk janë përgjigjur.
Përndryshe, mbrëmë bë vendin e ngjarjes kanë dal edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe nënkryetarja Jehona Lushaku.