30 dhjetor – Njësia territoriale kundër zjarreve Tetovë nga 1 janari deri më 30 dhjetor të ditës së sotme ka gjithsej 660 intervenime, theksojnë nga ky shërbim për punën gjatë vitit 2022.
Një ndër sfidat më të vështira për zjarrfikësit ka qenë zjarri në muajin maj në ish kombinatin “Makedonia Tabak”, ku edhe krahas zjarrit të shuar u desh ndërhyrje disaditore.
“Po përmbyllim një vit plot sfida dhe vështirësi në realizimin e profesionit tonë si zjarrfikës. Gjatë këtij viti që po lëmë pas ka pasur 660 ndërhyrje që kanë qenë zjarre në objekte të ndryshme dhe ambiente të hapura, ndërhyrje teknike, ndërhyrje dhe veprime në aksidente trafiku dhe incidente të ndryshme. Gjatë kësaj periudhe kemi qenë aktivë dhe të gatshëm 24 orë për të qenë pranë qytetarëve tanë”, tha komandant Avni Ameti.
Sipas tij, është mirë që gjatë vitit ka pasur furnizim të pajisjeve kundër zjarrit.
“Pas bashkëpunimit të suksesshëm me UNDP-në, arritëm që si donacion të marrim një automjet në terren, një furgon që do të shërbejë për ndërhyrje në aksidente trafiku, pajisje të tjera kolektive dhe personale për mbrojtje nga zjarri dhe pajisje elektronike për zyrën. Nga një bashkëkombës që jeton dhe vepron në Zvicër kemi furnizuar dy palë shkallë lëvizëse të motorizuara. Nga Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim jemi pajisur me automjet për terren që ndihmon shumë në shuarjen e zjarreve në terrene të vështira. Kemi pasur edhe donacione më të vogla nga individë dhe kompani të ndryshme, të cilat janë një ndihmë e madhe për njësinë tonë”, thotë Ameti.
Ai thekson se gjatë këtij viti zjarrfikësit kanë qenë në trajnime të shumta, ndërsa instruktorët e tyre të licencuar kanë siguruar trajnime profesionale për zjarrfikësit e sapopunësuar. Në vitin 2022 zjarrfikësit e Tetovës kanë pasur rritje të pagave në bazë të ligjit për zjarrfikës, ndërsa kanë kushte më të mira të punës dhe qëndrimit të zjarrfikësve në stacion.
Burimi: zhurnal.mk