Banorët e Pollogut sot u zgjuan në tym. Shkaku del të jetë zjarri i rënë në mesnatë në një pikë grumbullimi të mbeturinave në Komunë të Bervernicës, por që menaxhohet nga një kompani private. Komandati i njësitit territorial kundër zjarrit në Tetovë, thotë se që nga orët e para të mengjesit janë në terren dhe po bëjnë çmos që ta lokalizojnë, por që tentimi i tyre është i kotë, duke pas parasysh motin e thatë dhe erërat që po fryejnë në favor të zjarrit.
“Siç edhe e shihni vetë pas meje është një zjarr apo një deponi e madhe e cila gjatë gjithë natës mbrëmë edhe sot vazhdon që ta shuajmë por përmasat e kësaj deponie janë të mëdha dhe për kapacitet e zjarrfikësve të Tetovës është e pamundur për arsye se jemi mundu shumë deri tani që ta shuajmë këtë zjarr. Gjithashtu u bëj apel institucioneve të tjera të cilat janë për menaxhimin me kriza që të na dalin në ndihmë për arsye se është një zjarr i përmasave të mëdha”, tha Avni Ahmeti nga NjTKZ Tetovë.
Nga Komuna e Bervernicës, ku edhe graviton kjo deponi, thonë se janë të njoftuar me situatën në terren dhe se i kanë marrë gjitha masat e nevojshme që janë në kompetenca të tyre.
“Nga ana jonë është njoftuar qendra për menaxhim me kriza, nga orët e herëta të mëngjesit kanë dalur në terren, dhe ende janë në terren inspektorët. Ajo që është konstatuar nga ana e tyre se ka zjarr të madh në pronë private. Në zonë të fshatit Stençe. Janë marrë gjitha masat nga ana jonë që janë në kompetenca tona. Inspektori do të konstatojë gjendjen faktike”, tha Goran Jovanovski, sekretar i Komunës së Bërvenicës.
Ndërkaq qytetarët e anketuar thonë se në mëngjes ajri ka qenë shumë i ndotur dhe se kanë nuhatur erë plastike të djegur. Madje i kanë mbyllur edhe dritaret që ndotja të mos u futet në shtëpitë e tyre.
“Ajri është i ndotur çdo ditë por, ajo që është s’kemi ku shkojmë unë jam nga fshati kanë ardh në Tetovë në spital por dola në qytet por ajri është i ndotur.”
“Po pikërisht unë aty ku jetojë ka qenë shumë i ndotur a nga çka nuk e di.”
“Unë jam nga fshati tash kam ardhur edhe nuk kam vërejtur asgjë.”
Matësit e ndotjes së ajrit në Tetovë, që nga orët e hershme të mëngjesit kanë treguar ndotje alarmante të ajrit dhe grimcave të dëmshme PM10 në ajër.
Burimi: TV21