Flakët kanë pushtuar kodrat në Kreshpan të Fierit.
Nga pamjet e dërguara nga qytetarë në “Ti Raporton” në Top Channel, shihen qartë shtëllunga të mëdha tymi të zi që ngrihen në ajër si pasojë e djegies së bimësisë aty pranë.
Shqipëria ka nisur tashmë “luftën” me zjarret e si pasojë e thatësirës dhe të nxehtit të verës. Dy ditë më parë u shënuan vatrat e para në Vlorë dhe Fier.
Konkretisht në kodrat mes fshatit Radhimë dhe Tragjas dy makina dhe dhjetë punonjës të zjarrfiksësve shkuan në terren për të shuar flakët e zjarrit përgjatë zonës së Radhimës. Flakët të ndihmuara dhe nga era dogjën kryesisht shkurre, megjithatë krijuan rrezik edhe për stanet apo vreshtat përgjatë bay passit mbi fshatin Radhimë.
Ndërsa në Peshtan të Fierit u angazhuan 25 efektivë zjarrfikës të repartit, për të shuar flakët.
Flakët po ashtu “pushtuan” zonat ullishte dhe banesa në hyrje të fshatit Nartë gjatë ditës së sotme. Pesë automjete dhe 30 zjarrfikës ndodhen në terren për izolimin dhe fikjen e zjarreve, por era që fryn ndikon tek flakët që i çon drejt ullishteve dhe banesave.