Zhbërja e aktivave, aklamacioni dhe përjashtimi i debatit – rrënim i LDK-së

November 4, 2022
min lexim

Pyetja e parë që duhet bërë është: zhbërja e aktivave, aklamacioni dhe përjashtimi i dabatit, që degraduan LDK-në, deri në rrënim, a ishte rastësi apo porosi?! Si një vëzhgues i vëmendshëm, më rezulton se qëndron e dyta, pra rrënimi me porosi!

Në rrethanat e Mërgatës, jeta partiake ndryshon, dukshëm, nga ajo në Kosovë. Hapësira gjeiografike, komuniteti bashkëkombas i shpërndarë, pamundëson një organizim efikas partiak. Dhe, këtë e shembullojmë, në rastin konkret, me atë që ndodhi me LDK-në, pas zhbërjes së aktivave:

Gjermania ka 16 Lande (Republika). Të paktën, në 11 sosh ishte e organizuar jeta partiake e LDK-së. Secila Republikë kishte nga një Nëndegë. Nëndega më e organizuar e LDK-së, por edhe me shumësinë e anëtarësisë kishte 76 aktiva, që numëronin dhjetra, por edhe qindra anëtarë. Kjo i përket së djeshmës. Ndërsa e sotmja është zhgënjyese, dështuese: Republika në fjalë ka vetëm një Nëndegë, me jo më shumë se 40 anëtarë! Shifrat flasin për një shthurje masive të organizimit partiak.

Rrjedhimisht, edhe veprimtaritë në Mërgatë janë reduktuar, edhe pse emigrimi ka një rritje enorme. Sipas statistikave, në numra, rezulton se në Mërgatë jetojnë 56 % e popullsisë të Kosovës. Dhe, trendi ikës, lëshuarje të Atdheut-Kosovë vazhdon, madje, me doza të shtuara.

Edhe në Republikat tjera, gjendja është e ngjashme. Një Republikë tjetër ka tri Nëndegë, një tjetër 2 Nëndegë, kurse të tjerat vetëm nga një Nëndegë. Solla të dhënat nga organizimi në Gjermani, diçka e ngjashme edhe në Zvicër, si dy Degët e LDK-së më të organizuara, në krahasim me Degët tjera të Mërgatës, të cilat kanë pësuar rënie të ndjeshme dhe zëri i tyre është mëkur, deri në prag të shuarjes.

Qendra e LDK-së, në pamundësi, për ta bërë Mërgatën të heshtë, për batakçillëqet e një klani, brenda Kryesisë të LDK-së, intrigoi me përçarje, duke kulmuar me përjashtimin e delegatëve të Degëve më aktive, të Zvicrës dhe të Gjermanisë, të prirë nga vajza krenare e Jusuf Grvallës, Donikë Gërvalla.

Me zhbërjen e aktivave, LDK-ja bëri “autogol!” Atë nuk e mundi dot opozita destruktive e kriminale, e tufëzuar në PAN, por e mposhti klani brenda saj, i cili, pasi e kishte bërë seleksionimin përjashtues, në të gjitha nivelet e strukturave të partisë, vendosë goditjen e bazës, me shuarjen e aktivave, si dhe të gjithë organizimin partiak, me zëvendësimin e votës së fshehtë zgjedhore, me aklamacionin zgjedhor fiktiv, të rrejshëm dhe në kundërshtim me traditën demokratike të Presidentit Rugova.

Reagimi injorues ndaj ish-kryetarit të LDK-së dhe ish-presidentit Fatmir Sejdiu, në “Kuvendet Zgjedhore”, është një shembull hiç fisnik dhe neveritës, për një parti që pretendon se ka mjaftueshëm demokraci brenda partisë.

Pavarësisht keq-menaxhimit të fitorës së ligjshme, sepse klani rreth tij nuk pranoi ta ndajë pushtetin partiak me humbësit, zoti Sejdiu, në të gjitha Kuvendet Zgjedhore të LDK-së, ka bërë vërejtje mirë të studjuara. Ai dëshmonte me fakte dhe apelonte se LDK-ja, gjithnjë e me shumë, po largohet nga rugovizmi. Propozimet e tij, për ta shpëtuar partinë nga grenmisja, ishin të drejtëpërdrejta. Dhe, parashikimi i tij, nëse vazhdohej ashtu, siç vepronte klani Mustafa, rezultoi i saktë. Mospërfillja ndaj vërejtjeve të ish-kryetarit Sejdiu, shoqërohej me një fldullëk e cinizëm, deri në rrugaçëri.

Tashmë, e keqja e madhe ka ndodhur. Por, LDK-ja, e ndëshkuar nga anëtarësia më e shëndetshme e saj, sepse nuk mund ta duronte, që krijesa e kryezotit Rugovë, LDK-ja, të vazhdonte të jetë patericë, për ta mbajtur, në pafundësi, PAN-in kriminal në pushtet. Megjithatë, ishte kjo masë ndëshkuese, pas 14 shkurtit 2021, kur shpresa e – Ndryshimit -, ishte reale, racionale, vendosi kthimin e bujshëm, madje, në grup, në shtëpinë e vjetër LDK-e. Lidershipi i ri, ka shpërfaqë synimin e qartë, për t`u bërë sërishmi zonjë e parë LDK-ja. Dhe, për këtë i ka të gjitha premisat dhe parësitë e duhura. Veçse duhet ta ripohojë dhe veprojë me organizimin fillestar rugovian dhe perspektivën e ka të garantuar.

LDK-ja, si parti institucionale, duhet t`i rikthehet origjinës organizative, me aktivat e saj të vullnetshëm; me votimin e fshehtë demokratik dhe assesi aklamacionin bizar, fiktiv; me debatin e brendshëm partiak, ndonëse kuadrot i ka të bollshëm, por jo edhe të tepërt.

Nisma e themelimit të aktivave, në Mërgatë, duhet të fillojë pa humbur kohë, ndoshta, në tubimin e pritshëm, bashkëbisedues, në Frankenthall të Ludwigshafenit, më 6 nëntor 2022. Me aktivat e saj në mjediset me komunitet mërgimtarësh të shumtë, LDK-ja, si parti e paqës dhe e luftës, e shtet-bërjes dhe shtet-ndërtimit, do të jetë më pranë bashkatdhetarëve të mërguar dhe do ta ndihmojë organizimin e tyre, për të qenë e gatshme në shërbim të Atdheut-Kosovë.

LDK-ja, me anëtarësinë masive të saj, ka përballuar mbijetesën materiale dhe funksionimin e institucioneve paralele në Kosovë, përgjatë viteve `90-a. Ajo begatoi Fondin e 3 %-it, i cili financoi luftën dhe nismoi funksionimin e jetës së pas luftës, në Kosovën tonë të përkallur.

Ishte, pikërisht, Ibrahim Rugova, me LDK-në e tij, që shmangu luftën civile, të provokuar nga agjentët e Serbisë, brenda LPK-së, të cilët, nën maskën e komandantëve të UÇK-së, përgjakën oficerët e karrierës, përkatësisht, të FARK-ut; veprimtarët luftëtarë të LDK-së; gazetarët-reporterë të luftës; kuadrot e hershëm të LPK-së.

Dhe, mbi të gjitha, LDK-ja, është parti me duar të pastra, e cila kurrë nuk ka pasur struktura vrastare kundër shqiptarëve. Është provrbiale thënia e Kolonel Tahir Zemaj, Hero i Kosovës, i cili edhe pse u provokua rëndë, nga veglat e sabotatorit të luftës në Dukagjin, Hashim Thaçi, u përmbajtë përgjegjshëm: “Nuk kam plumba për shqiptarë”.

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Çfarë tha Nikollovski pas arrestimit nga policia !?

Story i radhës

Kovaçevski: Me vendimet e reja për kompanitë ushqimore presim ulje të çmimeve

Të fundit nga

ShkoLartë