Zgjedhjet në Maqedoni/ VV nuk e sheh problem pse e përkrahu opozitën

Dje në Republikën e Maqedonisë së Veriut janë mbajtur zgjedhjet për president të këtij shteti. Në garë ishin shtatë kandidatë për kryetar të shtetit maqedonas: Stevo Pendarovski, Gordana Siljanovska Davkovës, Arben Taravari, Bujar Osmani, Stevço Jakimovski, Biljana Vankovska dhe Maksim Dimitrievski.

Nga rezultatet e para preliminare që ka publikuar Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, në raundin e dytë do të shkojnë dy kandidatët maqedonas, Gordana Siljanovska Davkova nga subjekti politik VMRO-DPMNE si dhe kandidati nga LSDM-ja, Stevo Pendarovski.

Nga kampi shqiptarë ishin dy kandidatë për president. Bujar Osmani nga Fronti Demokratik dhe Arben Taravari nga Koalicioni VLEN.

Osmani nga rezultatet e publikuara mbrëmë nga KSHZ-ja, fitoi nga kampi shqiptar, por se doli si kandidati i tretë në nivel vendi, me mbi 100 mijë vota të mbledhura, por të pamjaftueshme për të vazhduar garën në raundin e dytë.

Ishte Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti e zyrtarë tjerë të VV-së, që kishin përkrahur hapur kandidatin e koalicionit VLEN, Arben Taravari.

Megjithatë, Taravari doli me vota pas Osmanit të BDI-së. Pas rezultateve të publikuara kishte reagime nga Fronti Demokratik drejtuar kryeministrit Albin Kurti.

Deputeti i VV-së, Enver Haliti ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve në Maqedoninë Veriore dhe reagimet nga Fronti Demokratik në drejtim të kryeministrit Albin Kurti, ku thanë se përkrahja e Kurtit ndaj koalicionit VLEN, nuk ia ka vlejtur.

Ai thotë se nuk sheh problem për përkrahjen që VV ia ka bërë kandidatit, Arben Taravari dhe se sipas tij edhe partitë tjera nga Kosova kanë përkrahur kandidatin e BDI-së.

‘’Nuk shoh asnjë problem në këtë situatë. Sikurse partitë tjera nga Kosova kanë përkrahur publikisht partinë në pushtet BDI-në’’, tha ai.

Haliti thotë se pavarësisht përkrahjes së VV-së, ndaj kandidatit të koalicionit VLEN, Arben Taravarit, qytetarët e Maqedonisë kanë qenë të lirë të vendosin se kë do të votojnë për president.

‘’Qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë qenë të lirë të vendosin sipas bindjeve të tyre’’ shprehet Haliti.

Ai më tej shton se pret që të ketë sa më shumë deputetë në zgjedhjet për Parlamentin e Maqedonisë Veriore të cilat do të mbahen në maj të këtij viti.

‘’Uroj që të ketë sa më shumë deputetë shqiptarë në parlamentin e Maqedonisë së Veriut në zgjedhjet e së dielës, kjo do të ishte fitorja më e madhe’’, thekson deputeti Haliti.

Story i mëparshëm

Rama njofton se korporata hoteliere me renome botërore ‘Hyatt’ pritet të investojë në kryeqytet

Story i radhës

Sherr fizik brenda Bashkisë së Pukës, çfarë ndodhi në zyrën e kryetarit

Të fundit nga