Partia Socialiste dhe kryeministri Rama kishin bërë gjithçka që Metën, para përfundimit të mandatit presidencial ta largonin.
Derisa këtë nuk e arritën as me gjyq, sot po punojnë që presidenti të zgjidhet njëherë e përgjithmonë, sipas shijes së tyre.
Për t´u arsyetuar që po kërkojnë president të pranuar për të gjithë, po e pyesin edhe opozitën, sipas kritereve që vetë i kanë paraparë.
A është kjo në të vërtetë vetëm një lojë dhe taktikë e tyre, apo ka diçka që e inspiron edhe opozitën vështirë të besohet, por e njohur është se kryeministri haptas e lufton, e përçmon, e përbuzë dhe e injoron opozitën.
Kur është fjala për zgjedhjen e dikujt me kritere apo personalitet që do të punonte për popullin dhe shtetin askush nuk do të ishte kundër, por rreziku është që vendoset në baza partiake, prandaj krimi i organizuar do ta paralizonte shtetin, ashtu siç është sot.
Rama që nga fillimi kishte menduar se presidenti mund të zgjidhej edhe jashtë territoreve shqiptare. Këto ditë deklaroi se me dëshirë do ta kishte preferuar zotin Thaçi, po çështja e tij është e paqartë. Nuk dihet kur do ta liroj Haga.
Nga jashtë i ka edhe disa mundësi të reja, kur dihet se në Shqipëri do ta kenë vështirë të gjenin figura me konsensus.
Eh, sikur të funksiononte Ballkani i Hapur, Rama do të kishte mundësi që president ta propozonte Vuçiqin.
Në këtë rast derisa Open Ballkan ka ngecur dhe Vuçiq është president i Serbisë, i mbetet mundësia që në dispozicion t´i ketë : Dodik nga Republika Serbe e Bosnjës, Daçiq, ose Vulin.
Që të gjithë këto figura janë personalitete të njohura, që përpos shqiptarëve i njeh i tërë Ballkani. Mendohet se i plotësojnë edhe kriteret e Ramës, ngase janë miq të ngushtë të Vuçiqit, me të cilin Rama është i vëllazëruar.
Dodiku mund të ishte një nga kandidatët më serioz ku Rama në darkën e Berlinit shihej në mes të dyve, Vuçiqit e Dodikut, në foton e publikuar.
Shqiptarët kjo pamje nga Berlini nuk i befasoi sepse Ramën e njohin me themel, po i befasoi boshnjakët, kur Parlamenti Shqiptar e refuzoi Rezolutën mbi gjenocidin serb në Srebrenicë.
Për mos aprovimin e rezolutës u mundua të shfajsohej ish zëdhënësi i Ramës, Balla, i cili të dukej se luante rolin e Goebbels, i cili gjithmonë e arsyetonte propagandën e shefit të tij.
Por nëse nuk gjendet asnjë zgjidhje dhe propozimet për Daçiqin, Dodikun apo Vulin nuk aprovohen, propozimi më real do të ishte që Rama të bëhej vetë president dhe kryeministër.
Të gjithë shqiptarët janë të bindur se ai do të kishte mundësi që me sukses t´i kryente të dy këto funksione dhe më shumë se kaq.
Ky veprim do të ishte shembull për tërë botën : një personalitet si zoti Rama, do të arrinte që t´i kryente dy funksione kryesore shtetërore, si president dhe si kryeministër.
Kjo do t´i sillte shtetit edhe kursime të nevojshme në këtë krizë energjetike, inflacionit dhe të pasigurisë globale.
Nëse do të mungonte konsensusi, do të mund të organizohej referendum shtetëror, pse jo, kur kjo do të ishte në të mirën e shtetit dhe popullit.
(Shkrim me përmbajtje ironike)