Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Driton Sulejmani, realizoi një vizitë në Shkollën Fillore me Qendër të Burimeve “Idnina”, ku u njoh nga afër me punën e stafit dhe shërbimet mbështetëse që ofrohen për nxënësit, me theks të veçantë tek ata me nevoja të veçanta.
Gjatë vizitës, ai vlerësoi gamën e gjerë të shërbimeve profesionale që ofron kjo qendër, duke e cilësuar atë si një model të mirëfilltë të përfshirjes në arsim. “Kjo qendër paraqet një model të mirëfilltë të përfshirjes dhe kujdesit të individualizuar në arsim”, deklaroi Sulejmani.
Në kuadër të takimeve, zëvendësministri u prit nga drejtoresha Loreta Andreevska, me të cilën diskutoi për zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve dhe avancimin e shërbimeve për nxënësit. Ai theksoi se arsimi inkluziv mbetet një ndër prioritetet kryesore të institucionit që përfaqëson. “Arsimi inkluziv mbetet një ndër prioritetet tona kryesore, me synimin që çdo fëmijë të ketë qasje të barabartë në arsim cilësor”, u shpreh ai.
Sulejmani gjithashtu shprehu mirënjohje për angazhimin e stafit të shkollës, duke nënvizuar rolin e tyre në krijimin e një ambienti gjithëpërfshirës dhe mbështetës për nxënësit. “Do të vazhdojmë të mbështesim iniciativa që forcojnë arsimin inkluziv dhe sigurojnë mundësi të barabarta për çdo fëmijë”, theksoi zëvendësministri.
Vizita në këtë institucion vjen në kuadër të angazhimeve të Ministrisë për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe forcimin e politikave gjithëpërfshirëse në sistemin arsimor.
Burimi: alfax.mk


