2
Baku, 11 nëntor – Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti po merr pjesë në konferencën e 29-të të vendeve të Konventës Kornizë të OKB-së për ndryshimet klimatike, e njohur si COP29, e cila filloi sot punimet në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku.
COP29 është një ngjarje globale që mbledh së bashku liderë dhe ekspertë nga mbi 70 vende. Tema e këtij samiti është “Investimi në një të ardhme të qëndrueshme”, me fokus në transformimin e energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit përmes inovacionit dhe teknologjive të reja, dhe ofron një platformë kyçe për vendet për të koordinuar përpjekjet për reduktimin e emetimeve dhe promovimin e burimeve të rinovueshme të energjisë.
“Zëvendëskryeministri i Parë Mexhiti po qëndron në Baku së bashku me ministren e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale Sanja Bozhinovska në delegacionin e lartë shtetëror të kryesuar nga presidentja Gordana Siljanovska Davkova, ku është pjesë e takimeve të liderëve botërorë në të cilat diskutohet për Marrëveshjen e Parisit, dhe arritjes së qëllimit të rritjes së ambicieve për veprim klimatik. Ky samit paraqet mundësi për Maqedoninë për të krijuar partneritete të reja ndërkombëtare dhe për të siguruar investime të reja në burime të rinovueshme dhe infrastrukturë të qëndrueshme të energjisë, të cilat do të kontribuojnë në arritjen e qëllimeve afatgjata klimatike dhe zhvillimin ekonomik”, njoftoi Ministia e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Është thelbësore të zbatohen rezultatet e rishikimit global për të mbështetur objektivin 1,5°C në një mënyrë të përcaktuar në nivel kombëtar.
Konferenca e Palëve në Konventën Kuadër të OKB-së për Ndryshimet Klimatike, COP29, që po mbahet në Baku të Azerbajxhanit filloi sot dhe përfundon më 22 nëntor 2024.
BURIMI: zhurnal.mk