Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, ka thënë se nëse del i pari në zgjedhjet e 23 prillit do të sjellë jetën institucionale për të gjithë qytetarët e kësaj komune.
Ai konsideron se dëshira për punë ekipore nga ana e tij, si dhe qasja e deritashme e komunikimit me qytetarët, do të bëjnë që qytetarët e këtushëm t’ia besojnë vendin e të parit të qytetit, të cilin synon ta udhëheqë.
Duke folur për vakumin e deritashëm institucional në komunat veriore, ai premtoi se do të jetë fuqishëm i angazhuar për të sjellë më në fund jetën institucionale në Zubin Potok.
Zeqiri: Jam tejet i vendosur në realizimin e planeve
“E dinë qytetarët të cilët më njohin se unë jam këtu akter i hershëm politik, ushtarak, por edhe punoj në zyrën komunale për komunitete dhe kam pasur shumë përvoja me njerëz, edhe ata me mua. E dinë njerëzit se unë jam tejet i vendosur në realizimin e atyre planeve që ne i planifikojmë. Jam njeri i cili kam dëshirë të punoj jo vetëm, por me qytetarët në ekip dhe së bashku… Arsyeja pse duhet qytetarët të më votojnë mua është pikërisht kjo, e dinë njerëzit besueshmërinë, guximin dhe profesionalizmin tim, si dhe qasjen e komunikimit me qytetarët… Tanimë veç është e njohur në tërë Kosovën vakumi institucional së fundmi në komunat veriore… Kur ka vakum institucional, natyrisht që nuk është mirë për asnjë qytetar, komunitet, asnjë grupacion… Do të jemi fuqishëm të angazhuar për ta sjellë jetën institucionale në këtë trevë”, ka thënë Zeqiri.
Edhe pse situata aktuale e sigurisë në këtë komunë është e brishtë, ai tha se beson tek organet e sigurisë dhe nuk parasheh incidente ditën e zgjedhjeve.
Zeqiri: Mendësia e serbëve, antishtetërore dhe antiinstitucionale
“Situata aktuale është problematike për faktin se shumica e banorëve serbë në këto komuna po shihet sjellja dhe mendësia e tyre antishtetërore, antiinstitucionale. Kjo përbën rreziqe, demotivim të njerëzve, jo vetëm për qytetarët e etnisë shqiptare, por edhe për serbët… Nuk ishte dashur të ketë incidente, besoj në Policinë e Kosovës… Edhe në qoftë se eventualisht do të shfaqet ndonjë problem, do të evitohet”, ka thënë ai.
Zeqiri iu ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin ditën e zgjedhjeve në numër sa më të madh për të votuar, ndërsa ka garantuar se do të qëndrojë prapa të gjitha premtimeve të dhëna ndaj tyre.
Zeqiri: Qytetarët të dalin në votime sa më shumë
“Mesazhi im për qytetarët kishte me qenë që të dalin dhe të votojnë për kandidatët që janë në garë… Kurse për qytetarët e Kosovës unë kisha bërë thirrje të jemi unik në këto procese, Kosova nuk është krejt në gjendje të mirë, i duhet unitet këtij populli, për ta sfiduar çdo sfidë me të cilën ballafaqohet edhe shteti’, theksoi Zeqiri.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të katër komunave në veri të vendit, kanë të drejtë vote gjithsej 45 mijë e 95 qytetarë, prej të cilëve 6 mijë e 661 votojnë në Komunën e Zubin Potokut.