Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski mbajti një fjalim para trupave në qytetin e sapo çliruar të Khersonit të hënën dhe tha se Ukraina është “gati për paqe për të gjithë vendin tonë”.
Vizita e presidentit ukrainas në Kherson erdhi vetëm disa ditë pasi trupat ruse u tërhoqën nga qyteti juglindor i Ukrainës.
“Dimri do të sjellë një ndryshim në kushtet e konfliktit si për forcat ruse ashtu edhe për ato ukrainase”, tha të hënën Ministria britanike e Mbrojtjes përmes një njoftimi të postuar në Twitter mbi zhvillimet e fundit në Ukrainë.
“Ditët do të shkurtohen në më pak se 9 orë, krahasuar me 15-16 orë që zakonisht janë në kulmin e verës. Kjo rezulton në uljen e ofensivës dhe në mbrojtjen më të mirë të vijave aktuale të frontit. Pajisjet që krijojnë mundësinë për të parë në distancë gjatë natës do jenë të çmuara, dhe errësira do të rrisë mungesën e vullnetit për të luftuar”, thuhet në raport.
“Temperatura e lartë mesatare prej 13 gradë Celsius që ishte nga shtatori deri në nëntor, do të ulet në zero nga dhjetori në shkurt. Trupave që u mungojnë veshjet dhe pajisjet dimërore kanë shumë gjasa të vuajnë nga lëndimet e shkaktura nga moti i ftohtë. Kjo i vështirëson edhe përpjekjet për shpëtimin e ushtarëve të plagosur rëndë, duke e bërë rrezikun e kontaktit me armikun shumë më të madh”, thuhet në njoftimin e Ministrisë britanike të Mbrotjes.
Presidenti Zelenskyy u kujtoi ukrainasve në fjalimin e tij të përditshëm të dielën që të mos harrojnë “se situata në rajonin e Khersonit është ende shumë e rrezikshme”. Ai tha se në qytet “ka mina dhe u bëri thirrje banorëve të jenë shumë të kujdesshëm.”
Presidenti ukrainas tha se “në rajonin e Khersonit, ushtria ruse la pas të njëjtat mizori si në rajonet e tjera të vendit, ku arriti të depërtonte. Ne do t’i gjejmë dhe do t’i nxjerrim para drejtësisë të gjithë vrasësit.”
Zyrtarët ukrainas filluan të dielën të dërgonin ushqime, ujë dhe ilaçe në Kherson, dy ditë pasi forcat e Kievit hynë në kryeqytetin strategjik rajonal që Rusia e pushtoi në fillim të luftës.
Më shumë se tre të katërtat e 300,000 banorëve të Khersonit ishin larguar nga qyteti, duke lënë 75,000 njerëz të vuanin pasojat e pushtimit rus.
“Forcat pushtuese dhe bashkëpunëtorët rusë bënë gjithçka që ishte e mundur për t’i bërë njerëzit që mbetën në qytet, të vuanin sa më shumë gjatë këtyre ditëve dhe muajve (të pushtimit)”, tha një këshilltar i kryebashkiakut të Khersonit, Roman Golovnya, për televizionin kombëtar të Ukrainës.
Forcat ukrainase kishin frikë se ndërtesat në pjesën më të madhe të Khersonit mund të ishin dëmtuar ndjeshëm, ashtu si në qytetet e tjera, si Mariupoli, por e gjetën atë kryesisht të paprekur, megjithëse me një furnizim të kufizuar me ujë. Të çliruar, shumë banorë të Khersonit u mblodhën në rrugët e qytetit në dy ditët e fundit për të festuar, duke valëvitur flamujt ukrainas.
Banorët rrëfyen historitë e bombardimeve ruse të qytetit, por në të njëjtën kohë thanë se përdorimi nga Ukraina i sistemeve të avancuara raketore, të dhuruara nga aleatët perëndimorë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kishte dëmtuar rëndë linjat e furnizimit dhe pozicionet e trupave ruse. Ata thanë se Ukraina goditi pozicionet ruse me ndihmën e një rrjeti informatorësh.
Megjithatë, banorët e Khersonit thanë gjithashut se shumë miq dhe anëtarë të familjeve të tyre u arrestuan dhe u zhdukën gjatë nëntë muajve të pushtimit rus.
Normalitet ende nuk është kthyer në qytet.
Këshilltari i kryebashkiakut të Khersonit, Roman Golovnya, thotë se “qytetit i mungon para së gjithash uji, sepse praktikisht nuk ka furnizim me ujë në qytet. Tani nuk ka ilaçe të mjaftueshme, nuk ka bukë të mjaftueshme, sepse nuk ka energji elektrike.”
Burimi: GAZETA.MK