Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të takohet më 27 korrik në Londër me kryeministrin e ri britanik, Andy Burnham.
Takimi shënon fillimin e një jave të rëndësishme diplomatike për Zelenskyn, në kohën kur Ukraina po përballet me intensifikimin e sulmeve ajrore ruse dhe rritjen e numrit të viktimave civile.
Zelensky është udhëheqësi i parë i huaj që pritet nga Burnham, vetëm një javë pasi ai mori detyrën e kryeministrit, pas dorëheqjes së Keir Starmerit.
“Britania qëndron krah Ukrainës dhe mbështetja jonë mbetet e palëkundur”, tha Burnham në prag të vizitës.
“Rusia nuk duhet të ketë asnjë dyshim për vendosmërinë tonë. Ne nuk do të tërhiqemi derisa të arrihet një paqe e drejtë dhe afatgjatë për Ukrainën”, shtoi Burnham, i cili zhvilloi një bisedë telefonike me Zelenskyn vetëm disa orë pasi mori detyrën më 20 korrik.
Zyra e kryeministrit britanik tha se fakti që Zelensky është lideri i parë i huaj që pritet nga Burnham, “tregon forcën e marrëdhënieve mes dy vendeve”.
Burnham dhe Zelensky pritet të takojnë edhe disa nga 200 ushtarakët ukrainas që kanë qëndruar në Britani gjatë tri javëve të fundit, ku kanë marrë pjesë në stërvitje për sigurinë detare dhe çminimin e zonave ujore, në kuadër të përgatitjeve për misione të mundshme në Detin e Zi.
Sistemi “Stone Cloak”
Gjatë vizitës, Burnham pritet të njoftojë se Britania do t’ia ndajë Ukrainës pronësinë intelektuale të sistemit të ri britanik të luftës elektronike “Stone Cloak”, duke i mundësuar Kievit që ta prodhojë vetë këtë teknologji.
Sipas zyrtarëve britanikë, pajisjet për bllokimin e sinjaleve elektronike, me madhësinë e një tableti, mund të vendosen në dronë për t’i penguar sistemet ruse të mbrojtjes ajrore që t’i zbulojnë, gjurmojnë dhe godasin ata.
Zyra e kryeministrit britanik tha se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën ka arritur në rreth 33 miliardë dollarë që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në shkurt të vitit 2022.
Prej tyre, rreth 21 miliardë dollarë janë ndarë si ndihmë e drejtpërdrejtë ushtarake.
Pas vizitës në Londër, Zelensky pritet të udhëtojë më 28 korrik në Uashington, ku do të zhvillojë bisedime me presidentin amerikan, Donald Trump.
Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, ai pritet të marrë pjesë edhe në ceremoninë mortore të senatorit amerikan, Lindsey Graham, i cili vdiq më herët këtë muaj.
Senatori republikan ishte një nga mbështetësit më të zëshëm të Ukrainës në Kongres dhe vetëm pak ditë para vdekjes kishte vizituar Kievin, ku ishte takuar me Zelenskyn.
Sulme në Kiev dhe qytete të tjera
Në Ukrainë, ndërkohë, vazhdon të rritet numri i viktimave.
Autoritetet thanë se, më 26 korrik, kryeqyteti Kievi u godit nga një sulm rus me raketa balistike, ndërsa sulmet ajrore në rajone të tjera të vendit lanë të paktën gjashtë të vdekur.
Në qytetin verior të Çernihivit, një dron rus goditi një supermarket, duke vrarë dy persona dhe duke plagosur 25 të tjerë, njoftuan shërbimet ukrainase të emergjencës.
“Ky është terror i qëllimshëm rus, që nuk ka asnjë justifikim ushtarak”, shkroi Zelensky në rrjetin Telegram.
Guvernatori rajonal, Ivan Fedorov, tha se një bombë ajrore vrau një person dhe plagosi gjashtë të tjerë në qytetin jugor të Zaporizhjës, i cili ka qenë vazhdimisht në shënjestër të bombardimeve ruse.
Në qytetin e vijës së frontit, Sllovjansk, në rajonin e Donjeckut, kompania shtetërore e naftës dhe gazit, Naftogaz, njoftoi se dy punonjës të saj u vranë gjatë një sulmi rus, teksa po ndihmonin banorët e prekur nga një bombardim i mëhershëm.
Rusia mohon se sulmon objektiva civile, megjithëse ka prova të shumta që tregojnë se sulmet e saj kanë vrarë mijëra civilë që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Burimi: botasot.info


