Në fjalimin e tij të natës me video drejtuar kombit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky thotë se fitorja e Ukrainës është e pashmangshme, por është e pamundur të parashikohet se kur do të përfundojë lufta, raporton BBC, përcjell “Bota sot”.
“Shumë qytete dhe komunitete janë ende nën kontrollin e përkohshëm të ushtrisë ruse,” thotë ai në fjalimin e tij.
“Por nuk kam asnjë dyshim se është vetëm çështje kohe para se të çlirojmë tokën tonë”.
Më herët në fjalën e tij ai vuri në dukje faktin se pushtimi i nisur më 24 shkurt sapo ka kaluar kufirin e tre muajve.
Zelensky vazhdon duke thënë se nuk ka “asnjë përgjigje” në pyetjen se kur Ukraina do t’i mund rusët, duke shtuar se fitorja – dhe paqja – do të vijnë më shpejt nëse çdo ukrainas lufton.
“Kur të fitojmë një fitore, të gjithë do ta ndjejnë atë, kur të vijë paqja, të gjithë do ta shohin.
“Por që kjo të ndodhë – dhe të ndodhë më shpejt – nuk duhet të mendojmë se kur dhe çfarë do të jetë. Ne duhet të mendojmë çdo ditë se si ta bëjmë edhe më të padurueshëm qëndrimin e pushtuesve në tokën tonë.”
“Që Rusia të kërkojë paqen, çdo ukrainas duhet ende të luftojë”, vazhdon ai.
“Ata duhet të mbrojnë lirinë. Sepse çdo ditë lufte tani shton vite të jetës paqësore pas kësaj lufte. Pas fitores sonë.”