Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se numri i sulmeve ruse gjatë natës së fundit tregon qartë se Moska nuk ka bërë “as edhe një përpjekje simbolike” për të respektuar armëpushimin e shpallur për datat 8 dhe 9 maj, me rastin e Ditës së Fitores në Rusi.
Në një reagim të publikuar në platformën X, Zelensky tha se Ukraina do të vazhdojë të kundërpërgjigjet ndaj sulmeve ruse.
“Siç kemi bërë gjatë 24 orëve të fundit, edhe sot Ukraina do të përgjigjet me të njëjtën monedhë”, deklaroi presidenti ukrainas.
Ai shtoi se Kievi do të vazhdojë të mbrojë pozicionet dhe qytetarët e tij, ndërsa theksoi se Rusia duhet t’i japë fund luftës.
“Rusia duhet ta ndalë luftën dhe të gjithë do ta kuptojnë këtë kur të nisin hapat e parë drejt paqes”, u shpreh Zelensky.
Sipas Zelenskyt, deri në orën 07:00 të mëngjesit ishin regjistruar më shumë se 140 sulme ndaj pozicioneve ukrainase në vijën e frontit. Ai bëri të ditur se gjatë natës forcat ruse kishin kryer 10 ofensiva, shumica prej tyre në sektorin e Slovyanskut.
Burimi: botasot.info


