Gjatë kësaj jave na pret mot i këndshëm veror. Kryesisht do të jemi nën ndikimin e masave stabile anticiklonike që do të kushtëzojnë mot me diell dhe me pak reshje atmosferike, megjithatë parashihet të kemi edhe një masë të dobët ajrore të paqëndrueshme që do të kushtëzojë ca reshje atmosferike në zona të caktuara.
Kjo masë e paqëndrueshme ajrore pritet të jetë aktive në fillim të javës, gjegjësisht ditën e martë kur priten rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë. Këto reshje nuk do të përfshijnë tërë territorin, madje as gjysmën e territoreve tona. Më së shumti rrebeshe priten në Mal të Zi, pastaj në juglindje dhe lindje të Shqipërisë, disa vise në Maqedoninë Veriore dhe pjesërisht në Kosovë. Në të gjitha rastet reshjet do të janë të kufizuara vetëm në rajone të caktuara ku në ndonjë rajon parashihen rrebesh intensive po kalimtare.
Rrebeshe kalimtare priten edhe në disa zona në pjesët qendrore, veriore dhe verilindore të Shqipërisë si dhe në perëndim të Maqedonisë së Veriut.
Nga mesi i javës rritet ndikimi anticiklonik dhe zbehet masa e paqëndrueshme ajrore. Në përgjithësi priten ditë me diell, por nuk do të mungojnë disa vranësira dhe disa gjasa për ndonjë zhvillim të ndonjë rrebeshi të izoluar shiu me ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.
Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 30 gradë Celsius në Kosovë ose ndonjë gradë mbi këtë shifër. Në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore parashihet të jetë pak më nxehtë, ndërsa për fundjavë temperaturat do të shënojnë rritje edhe për ndonjë shkallë më lartë.
Gjatë fundjavës na pret mot me diell, stabil dhe mjaft i nxehtë.
Ishte ky parashikimi javor i motit. Ndryshime të vogla mund të ketë. Për çdo ndryshim eventual do të njoftoheni në postimet tona të përditshme.