Zbulohet dokumenti sekret/ Prapaskenat e takimit të Enver Hoxhës me Stalinin

February 5, 2022
min lexim

Pak ditë pas takimit me Stalinin (23 mars 1949) në Moskë, delegacionit shqiptar të kryesuar nga Enver Hoxha i janë bërë disa dhurata nga Qeveria sovjetike. Ideja e dhuratave është dhënë nga Ambasadori Sovjetik në Tiranë D. Çuvahin më 28 mars 1949, kohë kur delegacioni shqiptar ishte ende në Moskë.

Dhuratat lëvrohen me vendim të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Sovjetik më 2 prill 1949 dhe u jepen pjesëtarëve të delegacionit nga një diplomat, pak ditë më pas, më 6 prill. Këtë thonë dokumentet që po sjellim në këtë shkrim të marra dhe të përkthyera nga përmbledhja “Faktori Sovjetik në Evropën Lindore 1944-1953”.

Më interesantja e gjithë kësaj historie qëndron në faktin se në përbërje të dhuratave ka edhe disa mallra ushqimore, që shumëkujt mund t’i shkaktojnë buzagaz. Kjo sepse Enver Hoxhës dhe Spiro Kolekës, dy anëtarëve me funksione me të larta të delegacionit, u dhurohet përkatësisht nga 3 dhe 1.5 kilogram sallam.  Pra udhëheqësit të një shteti i jepet për dhuratë… sallam. Dhe jo vetëm sallam, por edhe çokollatë, havjar e paketa me cigare. Gjithsesi gjykimi për këto dhurata duhet të bëhet me gjykimin e kohës kur ka ndodhur. Sepse ka shumë të ngjarë që e sjellë në vëmendjen e atyre njerëzve që jetonin në atë kohë, apo edhe atyre që vazhdojnë të jetojnë që nga ajo kohë, mbase gjithçka do u dukej krejt reale, krejt e pranueshme.

Jemi në vitin 1949, në Shqipëri ka njerëz të uritur dhe pavarësisht se udhëheqjes së lartë komuniste të partisë e të shtetit nuk i mungonte gjë, sërish dhuratat ushqimore duken të justifikueshme. Po kaq interesant në këto dokumente autentike është edhe përshkrimi i momentit të marrjes së dhuratave. Sepse Enver Hoxha, me qëllim që të jetë transparent, apo më saktë me qëllim që të japë një mesazh sa më masiv të mirënjohjes apo mbështetjes ndaj sovjetikëve, i thërret të gjithë anëtarët e delegacionit të jenë prezent në dhomën e tij në marrjen e këtyre dhuratave.

KËRKESA E AMBASADORIT

Nr: 19 Raporti i të dërguarit të Bashkimit Sovjetik në Shqipëri, D. S. Çuvahin, K. D. Veviçkin dhe P. À. Bushuev për V. À.
Zorinin për dëshirën e dhënies anëtarëve të delegacionit të Qeverisë shqiptare të dhuratave nga Qeveria Sovjetike
(1). Q. Moskë 28 mars 1949.
SEKRET
Shokut. V. À. Zorin E konsideruam të nevojshme, sipas shembujve me delegacione të shkuara, t’u japim anëtarëve të delegacionit qeveritar shqiptar dhuratat e mëposhtme: Enver Hoxha – mbajtëse cigaresh e artë, 2 kuti me havjar (3 kilogram), 3 kilogram sallam, 5 shishe me vodkë, 5 shishe me shampanjë, 20 paketa me cigare, 2 kilogram çokollatë, 2 copa mëndafshi dhe 1 copë stofi të leshtë për pallto grash.

Spiro Koleka — orë e florinjtë “Pobjeda” me zinxhir, 1 kuti me havjar (2 kilogram), 1,5 kilogram sallam, 3 shishe me shampanjë dhe 3 shishe vodkë, 10 paketa me cigare, 1 kilogram çokollatë, 1 copë stofi të leshtë për pallto grash.

Koço Theodhosi — takëm shkrimi i bërë me gurë të Uralit, 1 kuti me havjar, 3 shishe me vodkë, 10 paketa me cigare, 1 kilogram çokollatë.

Xhaferr Spahiu — një kuti me kapak të pikturuar (miniaturë me ngjyra), 1 kuti me havjar, 3 shishe me vodkë, 10 paketa me cigare, 1 kilogram çokollatë.

Shinasi Dragoti — një kuti me kapak të pikturuar, 1 kuti me havjar, 3 shishe me vodkë, 10 paketa me cigare, 1 kilogram çokollatë.

Nexhip Vinçani — një kuti me kapak të pikturuar, 1 kuti me havjar, 3 shishe me vodkë, 10 paketa me cigare, 1 kilogram çokollatë. Kërkojmë udhëzimet tuaja D. S. Çuvahin, K. D. Veviçkin P. À. Bushuev AVP RF. F. 021. Op. 36. P. 22. D. 22. L. 27.

ORIGJINAL. VENDIMI I QEVERISË SOVJETIKE

N: 22 Vendimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Sovjetik për dhuratat e delegacionit të Qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë.
Q. Moskë 2 prill 1949. SEKRET 
Këshilli i Ministrave të BS VENDIM Nga 2 prill 1949. Nr: 1273-454s Moskë, Kremlin Për dhuratat e delegacionit qeveritar të Republikës Popullore të Shqipërisë, Këshilli i Ministrave të Bashkimit Sovjetik

VENDOSI:
1. T’u jepen në emër të Qeverisë së BS, përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë, Enver Hoxhës, një mbajtëse e artë cigaresh, Kryetarit të Planifikimit të Shtetit, Spiro Koleka, një orë e florinjtë “Pobjeda” me zinxhir të florinjtë. Zv/ Kryetarit të Planifikimit të Shtetit, Koço Theodhosi, një takëm shkrimi të bërë me gurë të Uralit. Zv/ministrit të Tregtisë, Vasil Kati, një kuti me kapak të pikturuar, Zv/ministrit të Industrisë, Xhaferr Spahiu, një kuti me kapak të pikturuar. Zv/ministrit të Punëve Publike, Shinasi Dragoti, një kuti me kapak të pikturuar, Zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm (të Ushtrisë) Nexhip Vinçani, një kuti me kapak të pikturuar.

2. Veç këtyre, anëtarëve të delegacionit, t’u jepen dhurata për gra (copa mëndafshi dhe leshi) dhe disa produkte ushqimore (havjar, çokollatë, vodkë, shampanjë) në shumën e përgjithshme prej 11.000 rublash.

3. Të detyrojë Ministrinë e Financave të BS, (shokun Zverjev) të ndajë nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave të BS dhe t’i japë Ministrisë së Punëve të Jashtme një shumë të duhur për pagesën e dhuratave të numëruara më sipër në pikën
2. KRYETARI i KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË BS J. Stalin(2) 

DREJTORI MENAXHUES I KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË BS M. Pomaznev KËSHILLI I MINISTRAVE TË BS M. Pomaznev AP RF. F. 3. Op. 64. D. 46. L. 1

ORIGJINAL. DHËNIA E DHURATAVE

(1)- Shpërndarë V. Molotovit, L. Berias, N. Bulganinit, G. Malenkovit, A. Poskrebishevit, A. Vishinskit, M. Meshnikovit, A. Zverevit. Cm. dok. N: 19. 
(2)- Më 6 prill të vitit 1949 Zëvendës Drejtori i Protokollit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të BS, P. Bushuev ka shkruar në raportin e tij.
“Sot në orën 15:00 unë vizitova delegacionin qeveritar shqiptar dhe u prita nga Kryetari i Këshillit të Ministrave, Enver Hoxha.

Unë e lajmërova atë se më ishte ngarkuar t’u jepja anëtarëve të delegacionit qeveritar shqiptar në emër të Qeverisë Sovjetike dhuratat e poshtëshënuara: Enver Hoxha – një mbajtëse të artë cigaresh, 2 copa mëndafshi dhe 1 stofi të leshtë dhe një shportë produktesh ushqimore.
Spiro Koleka – një orë të florinjtë “Pobjeda”, 1 copë mëndafshi dhe një shportë produktesh ushqimore.

Koço Theodhosi – një kuti me kapak të pikturuar (fragment nga ilustrimi i ‘Përralla për peshkatarin dhe peshkun’) dhe një shportë produktesh ushqimore. Vasil Kati — një kuti me kapak të pikturuar (fragment nga ilustrimi i ‘Pranë bregdetit’, sipas vargjeve të Pushkinit) dhe një shportë produktesh ushqimore.

Xhaferr Spahiu — një kuti me kapak të pikturuar (fragment nga ilustrimi i ‘Dy Ivanët e djalit të ushtarëve’) dhe një shportë produktesh ushqimore.

Shinasi Dragoti, — një kuti me kapak të pikturuar (fragment nga ilustrimi i “Rusllani dhe Ludmilla”) dhe një shportë produktesh ushqimore,

Nexhip Vinçani, — një kuti me kapak të pikturuar (fragment nga ilustrimi i “Panfolovët”, një grupi luftëtarësh që në Luftën e Dytë Botërore u dëmtuan gjermanëve në afërsi të Moskës një numër të madh tankesh) dhe një shportë produktesh ushqimore.

Pasi më dëgjoi, Enver Hoxha ftoi në dhomën e vet të gjithë anëtarët e delegacionit dhe më kërkoi që të përsërisja lajmin për dhuratat në prezencë të tyre. Unë këtë e bëra dhe ua dhashë atyre personalisht dhuratat e sipërpërmendura.

Në emër të anëtarëve të delegacionit, gruas së tij dhe vetes, Enver Hoxha më porositi që t’i përcillja Udhëheqjes së BS mirënjohjen për dhuratat.
(AVP RF.F. 021. Op. 36. P. 22. D. 22. L. 28).

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Ja formacionet e mundshme të “Derby della Madonnina”

Story i radhës

Në punën e komisionit ka presion nga Maqedonia e Veriut, mediat po krijojnë tensione

Të fundit nga

ShkoLartë