Apple synon të mbajë evenimentin vjetor të prezantimit të iPhone më 7 Shtator sipas Bloomberg. Ky eveniment do të fokusohet tek modelet iPhone 14 dhe orët inteligjente Apple Watch Series 8.
Modelet standarde të iPhone 14 pritet të kenë disa ndryshime, por janë variantet iPhone 14 Pro të cilët do të kenë një teknologji të re kamerash, heqje të “notch” në ekran dhe një procesor të ri siç është A16.
Apple ka planifikuar të lançojë katër modele iPhone 14:
- iPhone 14 6.1-inç
- iPhone 14 Max 6.7-inç
- iPhone 14 Pro 6.1-inç
- iPhone 14 Pro Max 6.7-inç
Ajo që bie në sy është mungesa e modelit 5.4-inç iPhone mini, një vendim i marrë nga Apple nisur nga shitjet e dobëta vitet e kaluara me iPhone 12 dhe 13 mini.
Në planet e kompanisë janë edhe një model i ri low-cost iPad, modele të përditësuar iPad Pro, një Mac Pro me çipet e Apple por këto pajisje do të vinë në evenimentin e dytë të Vjeshtës në Tetor.
Nëse Apple vendos të mbajë evenimentin e iPhone më 7 Shtator, presim që ftesat të dërgohen në fund të muajit Gusht. Bloomberg thotë se punonjësit e kompanisë janë paralajmëruar për të nisur shitjet e pajisjeve të reja më 16 Shtator. /PCWorld Albanian