Ish-ylli anglez i regbisë, Riki Bajbei, është gjetur i vdekur këtë të shtynë në dhomën e tij të hotelit në Firence, ku me sa duket kishte shkuar për të kaluar një fundjavë romantike që përfundoi shumë keq. 40-vjeçari kishte udhëtuar me një 43-vjeçare britanike drejt Italisë, por gjithçka është mbyllur me tragjedi, ndërsa edhe partnerja e tij është e shtruar në spital në gjendje të rëndë pas asaj që dyshohet se ka qenë një lojë erotike që ka shkuar keq.
Çifti kishte mbërritur në Itali të premten, ndërsa rreth orës 2 të mëngjesit të së shtunës kishin shkuar në dhomën e tyre të hotelit me 4 yje në një nga zonat turistike të qytetit. Sipas policisë italiane, nuk ka dyshime që nuk ka pasur palë të treta të përfshira në ngjarje, ndërsa një lloj shkopi gome dhe disa objekte të tjera janë marrë nga dhoma ku gjendeshin ata si prova të ngjarjes.
Persona të hotelit treguan për mediat britanike atë që dinin rreth ngjarjes tronditëse. “Nga dhoma e tyre u dëgjuan zhurma dhe pastaj gruaja doli gjysmë e zhveshur dhe e gjakosur, duke thirrur për ndihmë. Ky ishte momenti kur u ngrit alarmi dhe u thirr policia dhe ambulanca. Personi tjetër u gjet në dysheme dhe pavarësisht tentativave për ta kthyer në jetë, u shpall i vdekur në vendngjarje”, shpjeguan punonjës të hotelit.
Policia italiane bën të ditur se vazhdojnë hetimet rreth shkakut të vdekjes dhe dëmtimeve që ka pësuar gruaja e cila është e shtruar në spital. Marrja në pyetje e saj dhe autopsia mbi trupin e Brajbei, do të bëjnë më të qartë panoramën e asaj që ka ndodhur. “Po punohet në dy teori të ndryshme ku e para është ajo e një loje erotike që përfundoi keq, ndërsa e dytë për një zënkë familjare.
Por drejtimi i përgjithshëm është ai i një loje erotike. Ai u gjet me një numër të madh të prerash dhe të nxirash në trup, ashtu si dëmtime të tjera. Edhe gruaja gjithashtu, por ajo kishte dëmtime më të rënda. Ndërsa mendohet se ai ka pësuar një atak kardiak”, shpjeguan burime policore për “Mail Online”.