KAYS EBU SEMRA
Wadi (Lugina) Kana e vendosur midis qyteteve Selfit dhe Calkiya në Bregun Perëndimor të pushtuar, vazhdon “luftën për ekzistencë” si një tokë palestineze në mes të vendbanimeve hebraike.
Në një prononcim për Anadolu, një nga banorët e rajonit, Kifah Zeydan tha se rajoni ku ai jeton është “një pjesë e parajsës” për shkak të bukurive natyrore, por Izraeli çdo ditë që kalon po e bën jetën më të vështirë.
Duke thënë se Izraeli po i nënshtron banorët e rajonit ndaj “migrimit të detyruar”, Zeydan tha se zona e vendbanimeve hebreje është zgjeruar gradualisht drejt Wadi Kana. Ai tha se duke ndërtuar struktura betoni të armuar, Izraeli shkatërroi pyjet dhe bimësinë në Luginën Kana dhe në të njëjtën kohë, ata nuk u lejuan të afroheshin me vendbanimet hebraike.
Zeydan thekson se ata pengohen të kullosin kafshët me arsyetimin se janë zona natyrore. “Ne kemi lindur këtu. Ne do t’i mbrojmë këto toka si babai dhe gjyshi im, nuk do të largohemi nga ky vend”, tha ai.
Zeydan, i cili jeton në një shtëpi të improvizuar dhe ka 350 krerë dele, tha se izraelitët i kanë shkatërruar shtëpitë e tyre shumë herë.
– Në zonë jetojnë 10 familje palestineze
Vetëm 10 familje palestineze jetojnë pranë shtëpisë së Zeydanit. Familjet merren me blegtori, ullinj dhe agrume. Wadi Kana përbëhet nga një sipërfaqe prej 10 mijë dekarësh. Në këtë rajon ka 10 burime ujore të përshtatshme për ujitje dhe pije, ku ka disa male me një luginë në mes.
Palestinezëve nuk u jepet leje ndërtimi në Wadi Kana, në zonën “C” të Bregut Perëndimor. Në kuadër të “Marrëveshjes së Dytë të Oslos” të nënshkruar midis Palestinës dhe Izraelit në 1995, Bregu Perëndimor i pushtuar u nda në rajonet A, B dhe C.
Administrimi i “Zonës A”, që mbulon 18 për qind të Bregut Perëndimor, iu transferua Palestinës në aspektin administrativ dhe të sigurisë, administrimi i “Zonës B” prej 21 për qind iu transferua Palestinës dhe siguria e saj iu transferua Izraelit ndërsa administrimi i 61 për qind të Bregut Perëndimor iu transferua Palestinës. Administrimi dhe siguria e “Zonës C” iu la Izraelit.
Palestinezi Nassar Mansur, zotëron gjithashtu 10 hektarë tokë të mbjellë me agrume në shpatet e luginës. Duke theksuar se nuk do të heqë dorë nga tokat e tij, Mansur tha: “Ne kemi lindur këtu, këtu kanë qenë edhe paraardhësit tanë. Ne nuk do të largohemi nga këtu pavarësisht se çfarë bëjnë pushtuesit (Izraeli)”.
Ai tha se gjyshi i tij ka shërbyer në ushtrinë e Perandorisë Osmane gjatë Luftës së Parë Botërore. Mansur thotë se që nga ajo kohë ata e kanë pronësinë e tokës. “Izraeli i detyroi familjet të largoheshin nga Wadi Kana. Qeveria izraelite e përdori zonën për projektet e vendbanimeve hebraike dhe u përpoq të kontrollonte tokat bujqësore”, tha Mansur.
Mansur beson se tokat janë të shenjta dhe se ai nuk do ta lë tokën e tij derisa të vdesë.
– “Wadi Kana, thesar turistik dhe bujqësor me bukuritë e saj natyrore”
Kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e Luginës Kana, Nafiz Mansuri tha se rajoni është një thesar si për turizëm ashtu edhe për bujqësi me bukuritë e saj natyrore. Ai theksoi se autoritetet izraelite e kthyen zonën në një “rezervë natyrore” në vitin 1983 me qëllim ndërtimin e vendbanimeve hebraike, duke përmendur arsye mjedisore.
Duke shpjeguar se Wadi Kana është shumë e vlefshme për palestinezët, Mansur tha: “Lugina ishte plot me njerëz dhe ishte një burim ushqimi për rajonin. Perimet, frutat dhe agrumet u rritën në luginë dhe kishte zona të mëdha për kullota”.
Mannsur tha se Izraeli parandalon bonifikimin e tokës dhe mbjelljen e pemëve ndërsa dokumentet e pronësisë së pemëve të mbjella mund të merren pas përpjekjeve të gjata.
Sipas tij, autoritetet izraelite kundërshtuan aktivitetet bujqësore në Wadi Kana me arsyetimin se është rezervat natyror. Mansur vuri në dukje se ai ndërtoi rrugë në rajon, ndërtoi linja uji, kanalizime dhe energji elektrike.
Ai u shpreh se 10 familje që banojnë në Wadi Kana kanë frikë se mos dëbohen nga shtëpitë e tyre. Mansur shtoi se rajoni është gjithashtu një vend interesant nga pikëpamja turistike dhe se shumë njerëz e vizitojnë atë.