Alternativa është gjendje e krijuar kur duhet të zgjedhim njërën nga dy mundësitë e ecjes përpara apo opcion i kundërt i gjendjes aktuale. Gjendja aktuale politike dhe alternativa e ofruar nga ana ime janë dy opcione të kundërta, pra e kundërshtojnë njëra-tjetrën.
ADN, iniciativë e pastër si loti
Që nga nisma e Alternativës Demokratike për Ndryshim më 4 Shtator 2022, asnjë individi të vetëm nuk i jam drejtuar me kërkesën për bashkangjitje në nismën time. Asnjë thirrje telefonike dhe as një ftesë nuk i bëra askujt, madje as miqve më të ngushtë!
Pse?
Sepse, pas kësaj nisme fisnike nuk fshihet asnjë ambicie apo interes personal.
Rirreshtimi në ADN apo bashkangjitja Alternativës Demokratike për Ndryshim, është krejtësisht e çështje e lirë personale dhe e pandikuar nga askush siq është e pastër nisma ime e pandikuar nga asnjë faktorë vendor apo ndërkombëtar.
Gjithçka dhe çdo gjë është transparente dhe e pastër si loti, e tillë do të jetë përherë iniciativa ime, ashtu siq jam edhe vet në jetën e përditshme.
U mbetët qytetarëve të vendit që të vendosin për të ardhmen e tyre, se a e duan alternativën e ndryshimit të pastër si loti apo vazhdimësinë zymtë të klasës aktuale politike!
Kosova, dashuria jonë e pakufishme
ADN nuk është dhe nuk do të jetë strehë e grupeve të interesit, nuk do të jetë strehë e karrieristëve dhe yryshnikëve të pushtetit, por do të jetë strehë e njerëzve të lirë, me shpirtë të pastër dhe fisnik, do të jetë strehë e atdhetarëve dhe vullnetmirëve që duan t’i shërbejnë atdheut të tyre pa llogaritur në asnjë përfitim personal apo privilegj nga shteti.
Vetëm matrapazët dhe mercenarët llogarisin në përfitime personale, në zhvatje dhe plaçkitje të pasurive shoqërore dhe shtetërore siq vepruan politikanët e pasluftës në Kosovë!
ADN burimin e ka të pastër nga thellësia e shpirtit, nga ndjenja e brendshme shpirtërore, nga dashuria e pakufishme ndaj atdheut dhe bashkatdhetarëve e cila vlon si vullkan i pashuar në shpirtin tim, për ta bërë Kosovën vend të dashur dhe tërheqës për të jetuar në të, për ta ndalur sa më parë trendin e zbrazjes në heshtje të atdheut tonë të shenjtë.
Nga logjika e të menduarit pozitiv në ndryshim pozitiv
Sikurse në jetën e përditshme, ashtu edhe në raport me atdheun vlenë një parim, nëse e do dikë i bën mirë dhe e respekton, nëse e don shtetin, jo vetëm që nuk e abuzon, e mbron me të gjitha mjetet nga keqbërësit dhe shpërdoruesit.
Për shtetin duhet të kujdesemi sikurse për shtëpinë tonë. Duhet ta duam dhe ruajmë me besnikëri, duhet ta ndërtojmë dhe begatojmë me dashuri dhe harmoni familjare, duhet ta pasurojmë me të mira materiale dhe miqësi të përhershme me fqinjet tonë.
Ndërsa ata që e bëjnë të kundërtën, që e vjedhin dhe abuzojnë me të mirat materiale të shtëpisë se tyre nuk mund të jetojnë të lumtur nën çatinë e asaj shtëpie.
Andaj në rastin konkret, nën çatinë e ADN-së do të jetojnë të lumtur të gjithë, pasi të gjithë do të jenë të barabartë. Në ADN nuk do të ketë të privilegjuar dhe të diskriminuar. Secili do ta ketë vendin e vet të merituar në përputhje me kontributin e dhënë për shtetin dhe shoqërinë.
Në subjektet aktuale politike injorohen aktivistët dhe atdhetarët që kanë shërbyer ndër vite dhe dekada, kurse avancohen “parashutistët” dhe figurat e kontrabanduara për interesa personale të liderit dhe grupeve të interesit brenda partisë.
Në ADN nuk do të ndodhin pazare të pista politike, shit-blerje dhe kontrabandim të figurave politike dhe as shpërdorim të vullnetit të qytetarëve. Vullneti i sovranit (qytetarit) do të jetë i shenjtë dhe i patjetërsueshëm nga askush.
Vullneti i sovranit (popullit) do ta mund egon e politikanëve karrierist. Kjo klasë politike sa më parë duhet të largohet, derisa sa nuk është zbrazur tërësisht Kosova nga popullata e saj. Klasa aktuale politike do të zëvendësohet nga një klasë e re dhe e përgjegjshme politike, me gjak të pastër kombëtar e cila kulturën politike do ta ngritë në nivelin më të lartë dhe do ta ndryshoj mentalitetin qeverisës në vendin tonë. Pra, ky do të jetë ndryshimi që do ta sjellë ADN-ja, i cili nuk ekziston nëpër subjektet aktuale politike.
Në fund, dëshirojë t’i falenderojë nga zemra të gjithë bashkatdhetarët që e mbështeten ADN-në nga minutat e parë të lindjes e deri në momentet kur po i shkruaj këta rreshta në letër të bardhë.
E bardhë qoftë dita e lindjes së nismës për shpëtim kombëtar!
Zoti i bekoftë qytetarët e vendit tim!
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!
Zoti i bekoftë miqtë tonë!