Disa e quajtën marrëveshje për targat, vet kryeministri Kurti e cilësoi “dakordim deri në përfundimin e negocimit të planit franko-gjerman”. Ky plan, të cilin z.Borell e kishte emërtuar si “evropian”, duket si bazë e mirë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare, me Serbinë jo stabile sa i përket planit në fjalë. Marrëveshja e të mërkurës në Bruksel pavarësisht atyre që e mbrojnë dhe pjesës tjetër që e kundërshtojnë duhet parë në prizëm më të gjerë. Për 20 vjet serbët në veri kanë qenë jashtë çdo rregulli, anarki klasike me shtetin e Kosovës të pafuqishëm dhe të pavullnetshëm në përpjekjet e tyre për të ndërtuar baza të fuqishme për të zgjeruar sovranitetin e vendit kudo në tërë territorin e vendit. E rëndësishme në krejt këtë marrëveshje, përfshfirë edhe marrëveshjen për dokumentet e udhëtimit është vendosja e bazave të forta.
Natyrisht, nuk është kollaj të ndryshohet gjendja katërçipërisht për pak kohë, ngadalë do të mësohen serbët dhe vet Serbia me rregullat e vendosura nga Qeveria e Kosovës. Sikur ish-qeveritë e kaluara të bënin sado pak përpjekje, gjërat do të ishin më ndryshe sot. Pa harruar këtu edhe ledhatimin nga BE, Serbia e ka shfrytëzuar në maksimum situatën për të fituar terren.
Ata që për 20 vjet nuk e kanë bërë asnjë përpjekje për shuarjen e strukturave paralele në veri dhe ndikimit nga Serbia, flasin idiotësira për përpjekjet e qeverisë për rend dhe ligj. Ata, prisnin në zyre e hanin dreka e darka me Radojçiqin, qeveria Kurti ka lëshuar flet arrest për të, ndryshimet janë si nata me ditë. Frustrimi i serbëve nuk vjen kot, po u prishet komoditeti, në radhë janë faturat energjetike për tu paguar. Ngadalë por sigurt, Kosova po fiton terren në pjesën ku për 20 vjet nuk është ndi era e shtetit të Kosovës.