Presidenti i Serbisë Vuçiq është mjeshtër se si ta përshkallëzojë konfliktin në Kosovë. Në tandem me Rusinë, ai i kundërvihet hapur BE-së.
A do të ketë një luftë tjetër në Ballkan, një luftë tjetër në Evropë? Të dielën në mbrëmje, të paktën nëTwitter të Gjermanisë, ishte në një gjendje emocionuese: U lexua për përleshje të armatosura dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç, u citua të thoshte se situata nuk kishte qenë kurrë kaq e tensionuar dhe se Beogradi do të bënte gjithçka që ishte e mundur, për të sjellë paqen e vërtetë.
Cfarë kishte ndodhur? Në qershor, qeveria e Kosovës kishte vendosur që rregulloret shtesë të hyrjes duhet të hyjnë në fuqi nga e hëna, 1 gusht. Rregullorja e re e shpallur parashikonte që shtetasit serbë të marrin dokumente të përkohshme identifikimi, gjatë hyrjes në Kosovë. Këto janë të njëjtat rregullore që vlejnë për qytetarët kosovarë, kur duan të hyjnë në Serbi. Megjithatë, nuk shkoi aq larg: gjatë fundjavës, pjesë të pakicës serbe vendosën postblloqe në dy pika kufitare dhe qeveria e Kosovës dërgoi më pas policinë speciale, e cila përfundimisht mbylli përkohësisht dy pika kufitare.
Raportimet në mediat serbe se kishte pasur përleshje të armatosur me të plagosur nga të dyja palët, rezultuan të pavërteta.
Megjithatë, vëmendja ndërkombëtare u përqëndrua nga raportimet në mediat serbe të dielën në mbrëmje, se kishte pasur përleshje të armatosura me të plagosur nga të dyja palët – kjo më vonë doli të ishte e pavërtetë – dhe komenti i lartpërmendur i Presidentit Vuçiq. Kishte edhe thashetheme se armët i ishin shpërndarë popullatës lokale serbe. Sigurisht që tërë kësaj i ndihmoi një deputet i Partisë Progresive Serbe – partia e Vuçiqit – i cili deklaronte publikisht se Serbia mund të detyrohet të denazifikoi Ballkanin – retorikë tërësisht e Moskës që e përdorë për Ukrainën. Agjencitë ruse të lajmeve raportuan për këtë drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes dhe përhapën thashethemet nga mediat serbe.
Megjithë trazirat mediatike, megjithatë, për momentin u bë e qartë se: raportet e mediave serbe dolën të pavërteta; forca e Kosovës e udhëhequr nga NATO KFOR lëshoi një deklaratë atë natë në të cilën ata rikonfirmuan mandatin e tyre për të garantuar stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë. Zgjidhja e kompromisit e propozuar nga ambasada amerikane dhe e zbatuar tani nga qeveria e Kosovës parashikonte, shtyrjen e masave për një muaj tjetër (deri më 1 shtator ) “për t’u dhënë kohë të gjitha palëve që të përshtaten me rregulloret e reja të vendosura”. Kjo do të thotë se edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte mbështetje zyrtare për masat e marra nga SHBA.
Trazirat nuk lindën spontanisht, por ishin të lidhura me raste organizative. Rregulloret e reja të hyrjes të miratuara nga qeveria e Kosovës në qershor ishin të ashtuquajturat, masa të reciprocitetit. Sfondi i kësaj është se shtetasit kosovarë duhet të ngjitnin targat e tyre në pikën kufitare, kur hyjnë në Serbi dhe gjithashtu të marrin dokumente të përkohshme identifikimi, pasi që dokumentet e identifikimit kosovar nuk njihen nga autoritetet serbe.
Që në shtator të vitit 2021, qeveria Kurti kishte vendosur masat e para të reciprocitetit, konkretisht ngjitjen e shenjave kombëtare në targat serbe në hyrje. Kishte edhe tensione atëherë; U shfaqën forcat speciale nga të dyja palët, ambasadori rus së bashku me ministrin serb të mbrojtjes vizituan trupat në kufi dhe avionët ushtarakë serbë ishin ngritur. Megjithatë, pas trazirave fillestare, rregulloret u zbatuan në heshtje.
Edhe pas kësaj fundjave ishte e qartë se do të vinte pjesa e dytë e masave të reciprocitetit. Këtë herë edhe me miratim indirekt nga SHBA. Kjo është e jashtëzakonshme për faktin se, ata gjithmonë janë shprehur kundër masave të reciprocitetit në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.
Edhe nëse incidentet e fundjavës nuk u përshkallëzuan përtej niveleve të përshkruara, ato ilustrojnë shumë mirë se si Beogradi mund të rrisë temperaturën, për të ruajtur status quo -në e brishtë ndaj Prishtinës. Vështirë se dikush në Evropë e kishte zotëruar këtë “përshkallëzim të kontrolluar” të vazhdueshëm, sikurse Serbia dhe udhëheqja serbe.
Vuçiq është mjeshtër i përshkallëzimit sie dhe të retorikës së de – eskalimit .
Nga ana tjetër, nëse ndiqni raportimet gjermane, mund të keni përshtypjen se Vuçiç, një kryetar shteti i nivelit të lartë, po bën thirrje për moderim. Dhe nuk mund të fajësosh askënd, sepse Vuçiq, Ministër i Informacionit në kohën e Sllobodan Millosheviqit, është mjeshtër i përshkallëzimit dhe retorikës së de -eskalimit.
Mirëpo, kur thotë ai se do të bëjë gjithçka për të ruajtur paqen dhe se serbët në Kosovë nuk duhet të lejojnë që të provokohen, duhet pyetur: “Kush po e vë në dyshim paqen?” Dhe: “Kush kë këtu, po e provokon?”. Pra sipas modeleve të mëparshme, kishte shenja në rritje gjatë fundjavës se bllokimet e rrugëve nuk ishin produkt i tubimeve spontane të disa qytetarëve të zemëruar, por të paktën ishin miratuar nga Beogradi, nëse jo edhe inkurajuar në mënyrë aktive. Serbia ushtron kontroll indirekt operacional mbi minoritetin serb në Kosovë. Regjimi i Vuçiqit jo vetëm që reagon pasivisht ndaj zhvillimeve në veri të Kosovës, por është protagonist i zhvillimit të tyre. Kjo ndodh kryesisht përmes Srpska, listën e partisë së minoritetit serb në Kosovë, dhe përmes shpërndarjes së dezinformatave nga mediat serbe dhe ruse.
Paralelet mes politikës së jashtme dhe të sigurisë serbe dhe ruse janë të habitshme. Së pari, Serbia ndan një axhendë revanshiste me Rusinë, megjithëse mund të thuhet se Moska ka mësuar më shumë nga Beogradi sesa anasjelltas: një ish-fuqi qendrore e poshtëruar e vetë-perceptuar, po nxit destabilitet në periferi të shtetit të saj të mëparshëm. – Së dyti, të dy shtetet po ndjekin qëllimin që të lejojnë që konflikti Kosovë-Serbi të mbetet në status quo, për aq kohë sa të jetë e mundur. Trazirat e fundjavës tregojnin se kjo kërkon krejt pak përdorim të fondeve. Së treti, të dyja vendet punojnë me instrumente të ngjashme krahasimi, ndonëse me më pak intensitet në rastin e Serbisë. Kështu u vërtetua mbështetja e mediave nga Moska me rastin e 31 qershorit, për përplasjet që erdhën nga Beogradi. Edhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, dënoi ashpër qeverinë kosovare dhe e kritikoi për përshkallëzim të njëanshëm. Një ndërrim i qëllimshëm klasik i roleve të kriminelit dhe viktimës.
Fakti që Serbia gjithmonë mund të llogarisë në mbështetjen ruse në konfliktin e Kosovës, reflektohet në faktin se Serbia nuk e mbështet politikën e përbashkët evropiane të sanksioneve kundër Rusisë.
Epo, do të ishte shumë dritëshkurtër ta shihje politikën serbe vetëm si një dorë të zgjatur të Federatës Ruse. Politika e Vuçiqit karakterizohet nga një politikë vektoriale shumë e suksesshme – një politikë që përpiqet të mbajë marrëdhënie të mira me shumë fuqi të mëdha dhe t’i balancojë ato kundër dhe me njëra-tjetrën. Për çështjen e Kosovës, megjithatë, Rusia dhe Serbia po ndjekin të njëjtën agjendë dhe të njëjtat qëllime. Fakti që Serbia gjithmonë mund të llogarisë në mbështetjen ruse në konfliktin e Kosovës, reflektohet në faktin se Serbia nuk e mbështet politikën e përbashkët evropiane të sanksioneve kundër Rusisë.
Kjo ngjashmëri nuk gjendet vetëm në politikë, por edhe në zgjedhjen e mjeteve. Gjatë fundjavës, mund të vëzhgohej koncepti i nxitjes së konfliktit nga mediat – gjuha e përshkallëzuar e shoqëruar me mbështetjen logjistike nga “elementë të parregullt”. Edhe pse Rusia ka marrë gjithashtu një rol aktiv përmes agjencive të saj të lajmeve, ajo vetëm ka përforcuar në mënyrë oportuniste atë që buronte nga Beogradi.
Pra, rajoni dhe në veçanti konflikti Kosovë-Serbi mbetet një “zjarr i hapur” për Bashkimin Evropian dhe NATO-n në konfliktin me Rusinë, për shkak të ndikimit të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë të Rusisë. Incidenti aktual tregon se sa pak duhet (në fund të fundit ishte një rregullore e hyrje – daljes, thjesht administrative) për të krijuar dhe përshkallëzuar tensionet. Kjo dobësi do të mbetet derisa Kosova dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të integrohen fort në Bashkimin Evropian dhe në sistemin e aleancës transatlantike.
Trazirat e fundjavës treguan se si një nxitje e vogël e qëllimshme, mund të përdoret për të nxitur konflikte, që do të lidhnin forcat politike – dhe, në rast dyshimi, ushtarake – të BE-së dhe/ose NATO-s. Edhe pse nuk ishte në dukje asnjë konflikt i armatosur ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ngjarjet e fundjavës nënvizojnë rëndësinë e mandatit të KFOR-it dhe vlerën strategjike të Kosovës – në aspektin e cenueshmërisë – në konfliktin me Rusinë. Zgjidhja politike për këtë “krah të hapur” duhet kërkuar në politikën e zgjerimit të BE- së.
Shkrim i përkthyer nga Sherif Ramabaja