Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq sot deklaroi se arsyeja e vërtetë pse shefi i shërbimit të sigurimit të vendit po përballet me sanksionet e SHBA-së është qëndrimi i tij ndaj Rusisë dhe jo akuzat për korrupsion, raporton Anadolu.
SHBA-ja vendosi të martën sanksione ndaj Aleksandar Vulinit, duke e akuzuar atë për përfshirje në dërgesat e paligjshme të armëve, trafik droge dhe keqpërdorim të pozitave publike.
Zyra e Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja tha se Vulin duke përdorur autoritetin e tij publik, ndihmoi tregtarin serb të armëve të sanksionuar nga SHBA-ja, Sllobodan Teshiq të barte dërgesat e paligjshme të armëve përtej kufijve të Serbisë. Vulin akuzohet gjithashtu për përfshirje në një rrjet të trafikut të drogës, sipas Thesarit të SHBA-së.
“Ndaj Aleksandar Vulinit nuk janë vendosur sanksione për asnjë krim, korrupsion apo ndonjë gjë tjetër”, tha presidenti serb, Vuçiq. Ai tha se “sanksionet u vendosën për shkak të qëndrimit të tij ndaj Federatës Ruse”.
Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), por ka mbajtur marrëdhënie miqësore me Moskën.
Vulin, i cili është haptazi pro-rus, u emërua shef i shërbimit sekret të Serbisë vitin e kaluar. Vulin ka shërbyer më parë si ministër i Brendshëm i Serbisë. Duke qenë ministër i Brendshëm, ai vizitoi Moskën gushtin e kaluar, një vizitë e rrallë nga një zyrtar shtetëror evropian ku shprehu refuzimin e Beogradit për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për pushtimin e saj të Ukrainës.
Vulin më pas i tha ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov se “Serbia është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka vendosur sanksione dhe nuk ka qenë pjesë e histerisë anti-ruse”.
Shkarkimi i Vulinit u bë për shkak të kërkesave të protestave masive në rrugët e Serbisë që shpërthyen pas dy të shtënave masive në fillim të majit.
Zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Matthew Miller tha se “do të vazhdojë të mbajë përgjegjës ata që çojnë përpara agjendën e tyre politike dhe përfitimet personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe avancojnë aktivitetet keqdashëse të Rusisë në Serbi dhe rajon”.