Vuçiç dhe Bërnabiç bisedojnë me Donfried për dialogun Kosovë-Serbi

April 27, 2022
min lexim

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 26 prill është takuar me Ndihmës-sekretaren amerikane të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, me të cilën ka biseduar për dialogun Kosovë-Serbi, për integrimin evropian të Serbisë dhe për bashkëpunimin rajonal, bëri të ditur Presidenca serbe përmes një njoftimi.

Vuçiq dhe Donfried po ashtu kanë biseduar për qëndrimin e Beogradit karshi situatës në Ukrainë, por edhe për diversifikimin e burimeve të energjisë së Serbisë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas njoftimit, Vuçiq ka theksuar se nisma “Ballkani i Hapur” është shembull i bashkëpunimit të suksesshëm rajonal, duke shtuar se kjo iniciativë është mënyra më e mirë për të përgatitur shtetet e rajonit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Nisma “Ballkani i Hapur” është iniciuar në tetor të vitit 2019 nga udhëheqësit e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe thuhet se ka për qëllim që të lehtësojë lëvizjen e njerëzve, mallrave dhe kapitalit në mes të këtyre tri shteteve.

Gjatë takimit, Vuçiq tha po ashtu se Serbia ka rritur eksportet në Shtetet e Bashkuara për 100 për qind krahasuar me vitin 2010, duke shtuar se ai mirëpret prezencën e kompanive amerikane në shtetin e tij.

Ndërkaq, sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Vuçiq tha se Serbia ka përmbushur zotimet e saj, por autoritetet e Kosovës nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

“Edhe nëntë vjet pas arritjes së Marrëveshjes së Brukselit, nuk është iniciuar themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011. Ky proces ndërmjetësohet nga BE-ja.

Ndërkaq, Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, tha se SHBA-ja është e përkushtuar që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të anëtarësohet në BE dhe përsëriti se ky është një prej prioriteteve të politikës së jashtme amerikane për këtë rajon.

Ajo po ashtu mirëpriti nismën “Ballkani i Hapur” dhe qëllimin e Serbisë që të përqendrohet në çështjet ekonomike të bashkëpunimit rajonal.

Donfried po ashtu është takuar me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq.

Në takim, Bërnabiq tha se Serbia është e përkushtuar që të vazhdojë reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe sipas saj një pjesë e rëndësishme e punës është kryer me miratimin e amendamenteve kushtetuese në janar të këtij viti, që sipas saj, janë parakusht për forcimin e pavarësisë së gjykatësve të prokurorëve.

Serbia në janar ka mbajtur një referendum për ndryshime kushtetuese. Sipas ndryshimeve të miratuara, gjykatësit dhe prokurorët nuk do të zgjidhen nga Parlamenti i Serbisë, siç kishte ndodhur deri më tani, por nga një Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial.

Sipas njoftimit të Qeverisë serbe, në takim me Donfried, Bërnabiq ka potencuar bashkëpunimin dhe komunikimin e mirë me KFOR-in, që sipas saj, janë të rëndësishme për serbët që jetojnë në Kosovë.

Donfried vizitoi Serbinë pasi një ditë më parë vizitoi Kosovën.

Sipas një deklarata të mëhershme të Departamentit amerikan të Shtetit, ajo do t’i bëjë thirrje Serbisë që të bëjë reformat për integrim dhe të promovojë stabilitet dhe prosperitet rajonal. Po ashtu, në deklaratë u përsërit qëndrimi që Serbia dhe Kosova duhet të rinisin dialogun e udhëhequr nga BE-ja.

Në takime morën pjesë edhe i dërguari i posaçëm i DASH-it për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar si dhe ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill. Ndërkaq, nga pala serbe i pranishëm ishte ministri i Jashtëm, Nikolla Selakoviq dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq.

Ambasada amerikan në Beograd tha përmes Twitterit se partneriteti me Serbinë është shumë i rëndësishëm për Uashingtonin.

“Vizita e Karen Donfried është një konfirmim tjetër i dëshirës për të ndërtuar lidhje më të forta midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara”, u tha në postim.

Gjatë vizitës në Prishtinë, ku u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti, Donfried u bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradin që të angazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, pasi sipas saj, status-quoja është e paqëndrueshme.

“Ne i japim prioritet mbështetjes së procesit të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, dhe t’i ndihmojmë Kosovës që të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, duke pasur në qendër njohjen e ndërsjellë. Status quo-ja është paqëndrueshme. Jo vetëm që e pengon të ardhmen evropiane të Kosovës dhe Serbisë, mirëpo nga kjo përfiton Kremlini. Rusia dëshiron të shkatërrojë çdo unitet dhe konsolidim demokratik në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi ajo pas takimit me Kurtin.

Vizita e Donfried në Kosovë dhe Serbi vjen disa ditë pas vizitës së një delegacioni të senatorëve amerikanë, të cilët qëndruan në Serbi, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë. Në Serbi, senatorët Jeanne Shaheen, Chris Murphy dhe Thom Tillis kërkuan që Beogradi të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, në Bosnjë paralajmëruan kundër ndikimit të Kinës në rajonin e Ballkanit, ndërkaq gjatë vizitës në Kosovë, senatorët shprehën mbështetjen e tyre për aspiratat euroatlantike të shtetit.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Mitrevski: Mickoski nuk kërkoi falje për 27 prillin

Story i radhës

Pas thuajse dy vite pritje Microsoft sjell një version të Teams për kompjuter Apple M1

Të fundit nga

Vdes stilisti Menduh Mullaademi – Menda

Sot është ndarë nga jeta stilisti i shquar, Menduh Mullaademi – Menda. Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e tij në rrjetin social, Facebook. “Me pikëllim të thellë, ju njoftojmë se
ShkoLartë