Vrasja që tronditi vendin/ Flet shefi i dorëhequr pas tragjedisë nga Sindikata e Shëndetësisë – Shfajësimet dhe ikja nga përgjegjësia, të neveritshme!

December 4, 2022
min lexim

Krimet e rënda në familje, javët e fundit kanë vazhduar ta tronditin Kosovën.

Së fundmi është vrasja makabare në afërsi të hyrjes së gjinekologjisë në QKUK, e Hamide Magashit, 35 vjeçare, nga ish-bashkëshorti i saj 31 vjeçari Sokol Halili, e cila u vra së bashku me fëmijën e saj ende të palindur.

Tragjedia mori fund, pas 40 orësh, me vetëvrasjen e dorasit të dyshuar, Sokol Halilit.

Kjo vrasje arriti të ngjallë reagime të mëdha për secilin qytetarë në vendin tonë, e padyshim preki edhe moralisht opinionin, përfshirë sindikalistët shëndetësor.

Në opinionin publik u bën kritika edhe për drejtuesit shëndetësor, duke kërkuar llogari morale për tragjedinë, kryesisht për shkak të mos reagimit në kohë. Sipas vlerësimeve të vetë nëpunësve shëndetësor, edhe pse ngjarja ndodhi në oborrin e QKUK-së, mjekët nuk u afruan, para se të kishin kaluar 30 minuta.

Një nga debatet që nxiti rasti, dhe që vazhdon të bëhet është, nëse në gjithë atë tragjedi mund të shpëtohej foshnja.

E në lidhje me këtë ngjarje në një intervistë ekskluzive për “Bota sot”, ka folur Enlirat Duraku, shefi i Sindikatës së Shëndetësisë që një ditë pas rastit dha dorëheqje, pasi këtë ia kishte kërkuar të paktën ta bënte moralisht, drejtori i klinikës së Gjinekologjisë.

“Bota sot”, arriti të bisedoj për shumë çështje me Durakun, duke filluar nga vrasja e fundit e deri tek arsyet që e kanë sjellur dorëheqjen e Durakut.

Ai tha se të mosqenurit korrekt për punën e mjekëve, dhe qëndrimi i përgjithshëm që ka Sindikata e Shëndetësisë, dhe egoja e madhe për pushtet e disa mjekëve, kanë arritur të sjellin deri tek dorëheqja e tij.

Ndërsa, duke folur për vrasjen e 35 vjeçares dhe mos intervenimin më kohë të personelit shëndetësor, sipas tij është absurd dhe aspak i drejtë, pasi trupi i viktimës ka qenë në vendin ku ka më së shumti personal mjekësor.

Ndër të tjera Duraku duke folur për situatën në shëndetësi në Kosovë, thotë që investimi në shëndetësi duhet të jetë primar për Qeverinë.

Duraku në fund i pyetur për hapin e radhës që do të bëjë, me keqardhje tregoi se do të largohet nga sistemi shëndetësor dhe nga Kosova gjithashtu.

Intervista e plotë:

“Bota sot”: Vrasja e cila tronditi Kosovën, po mbetet një nga temat kryesore këto ditë, e ju në këtë rast keni dhënë dorëheqje morale, a mund të na tregoni më detajisht për këtë vendim?

Enlirat Duraku: Ju vetëm se e keni shikuar reagimin e Sindikatës së Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së, e cila thotë që nuk kanë kërkuar dorëheqjen e drejtorit, komunikatë kjo në emër të kryesisë, mirëpo që në realitet është lëshuar nga një individ (shiko për konfirmim kohën e publikimit të komunikatës dhe “vendimit të kryesisë” nëse ka ndonjë vendim, e që dyshoj, si dhe shikoni se a përputhen sa i përket kohës, cila është përpara, komunikata apo vendimi).

Refuzimi që të kërkohet përgjegjësi dhe llogari nga një institucion, i cili do të duhej të ishte proaktiv në promovimin e drejtësisë dhe mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke e mbështetur kështu padrejtësinë, mosllogaridhënien, favoret dhe egot, nuk është një institucion në të cilin mund të shërbejë dhe të qëndroj si pjesë e tij. Unë e kam të pamundur që të jemë pjesë e një konstelacioni sindikal, i cili është apo të paktën del të jetë supozitor i pushtetit, drejtorëve dhe menaxherëve të tjerë. Ne që nga viti 2018 jemi përpjekur që kësaj praktike të servilizmit t’i japim fund, ndërsa t’i hapim rrugë përfaqësimit të drejtë dhe dinjitoz të interesave të punëtorëve shëndetësor, mirëpo që gjatë rrugës lakmia për pushtet dhe për t’u paraqitur si të rëndësishëm dhe faktor, hyri edhe brenda grupit tonë.

“Bota sot”: Ju keni thënë se për 30 minuta nuk iu ofrua kurrfarë ndihme viktimës shtatzënë Hamide Magashi, edhe pse ajo ndodhej në oborrin e spitalit. Pse ka ndodhur kjo vonesë?

Enlirat Duraku: Sinqerisht është absurde që brenda një institucioni shëndetësor, i cili ka 38 klinika, nga të cilat pothuajse të gjitha funksionojnë me shërbime 24/7, ndërsa asnjë profesionist shëndetësor të mos afrohet për t’i dhënë ndihmë qoftë viktimës, qoftë foshnjës, kjo nuk ka logjikë, madje edhe Klinika Emergjente ka qenë në një distancë aq të afërt, maksimumi 2-3 minuta. Unë nuk e di shkakun e vonesës, mirëpo shfajësimet që po tentohen dhe ikja nga përgjegjësia janë të neveritshme, e sidomos ato ku thuhet që “ka qenë rast i rëndë dhe rrethana stresuese”, kjo është e pakuptimtë sepse pikërisht për këso raste të rënda dhe këso rrethana janë profesionistët shëndetësor, nuk janë për ahengje dhe vallëzime.

“Bota sot”: Kush kërkoi ndihmë mjekësore, a është regjistruar kjo kohë, dhe pse u reagua aq vonë?

Enlirat Duraku: Nuk kam informacion të saktë se kush e ka njoftuar Policinw e Kosovws (PK-nw), mirëpo nga gazetarët e fushës janë gjetur këto informacione sipas të cilave telefonata në PK lidhur me vrasjen ka shkuar pak para orës 18:00, PK ka njoftuar Mjekësinë Urgjente në orën 18:18, ndërsa ekipi i Mjekësisë Urgjente ka arritur në 18:23.

Humbja e afërsisht 30 minutave nuk mund të quhet ndryshe përveç se dështim në ofrimin e ndihmës mjekësore, e aq më keq në një vend ku literalisht dhe figurativisht “vlon” ai vend nga personeli i aftë për të dhënë ndihmë. Se pse u reagua kaq vonë, unë konsideroj që keqkuptimi në kompetenca dhe ndjekje të protokolleve të veprimit në këtë rast si dhe potencialisht, ikja nga përgjegjësia duke arsyetuar se “nuk është punë e jona” apo edhe mungesa e informacionit duke mos dashur që të kontaminohet skena e krimit kanë qenë disa nga faktorët që kanë ndikuar.

“Bota sot”: A është kjo viktimë pasojë e njëlloj neglizhence dhe papërgjegjësie që është krijuar prej kohe në QKUK?

Duraku: Konsideroj që profesionistë shëndetësor në QKUK janë të aftë dhe të përgatitur mjaftë mirë dhe janë të përgjegjshëm në kryerjen e detyrave dhe përgjegjësive. Krijimi i një atmosfere toksike të punës, shantazhi dhe presionet ndaj këtyre profesionistëve shëndetësor, padyshim që ua pamundëson në masë të madhe zhvillimin e veprimtarisë.

Nuk ka mundësi që një profesionist të jetë në 100%-shin e tij duke u ruajtur se mos po e hidhëron ndonjë shef apo drejtor, të cilët në realitet nuk janë askushi, janë vetëm shërbëtor për t’u kujdesur që furnizimet me barëra dhe material si dhe formulimi i orareve të përgatiten me kohë, me ç’rast shefat dhe drejtorët as këtë nuk e bëjnë, pasi janë kryeinfermierët ata që sigurohen që mbarëvajtja e procesit të punës të jetë në nivelin e duhur. Se a është viktima pasojë e neglizhencës së profesionistëve shëndetësor nuk them. Se a ka pasur mundësi t’i ofrohet ndihmë, absolutisht që po, ndërsa në anën tjetër QKUK-ja duhet të ndalë presionin dhe frikësimet, të ndalë imponimin e rregullave të pabaza dhe t’ua mundësoj profesionistëve shëndetësor që reagimet dhe intervenimet e tyre t’i bëjnë bazuar në gjykimin e tyre moral dhe profesional sepse padyshim që janë kompetent dhe të përgatitur për këtë.

“Bota sot”: Ju keni kërkuar dorëheqjen morale të drejtorit të Gjinekologjisë, por ai nuk reagoi fare. Më pas u krijua konflikti me sindikatën nëse mund të themi, dhe ju dhatë dorëheqje. A pati një përpjekje për t’ju bllokuar ju, nxjerrjen e të vërtetës apo nga erdh presioni real, sipas jush?

Enlirat Duraku: T’ju them të drejtën nuk e kam fare hallin e presioneve sepse nuk iu nënshtrohem dhe as që u jam nënshtruar ndonjëherë, ndërsa sa i përket bllokimit tim në shpërfaqjen e të vërtetës dhe promovimin e drejtësisë mund ta bëjë vetëm Krijuesi i Madhërishëm, andaj nuk kam pasur presion, mirëpo tentativa që në këmbim të të vërtetës dhe asaj që është e drejtë të fitohet, simpatia e një drejtori apo edhe ndonjë menaxheri tjetër të lartë kishte, gjë që më shtyu që moralisht të dorëhiqem nga një aktivitet në të cilin kam investuar shumë kohë, madje kam rrezikuar edhe shëndetin dhe jetën për të, mirëpo servilizmi, dyfaqësia dhe masazhimi i egos së pushteteve dhe drejtorëve nuk është në karakterin tim. / Vijon

Ky OPINION është huazuar nga media BOTASOT.INFO

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Mbyllet votimi për primaret e PD në qarkun e Korçës/ Rritet numri i pjesëmarrësve

Story i radhës

Plani franko-gjerman, Lajçak bëhet gati për vizitë në Prishtinë e Beograd, diskuton hapat e ardhshëm me Kurtin e Vuçiçin

Të fundit nga

ShkoLartë