“Vrasja e shekullit”/ Rrugëtimi i Izet Haxhisë që nga ekzekutimi i Azem Hajdarit e deri te dënimi me 21 vite burg dje

February 12, 2022
min lexim

Izet Haxhia ishte një nga personat e parë që u vu në pranga sapo Partia Demokratike erdhi në pushtet.

Ndaj tij binte akuza e vrasjes në bashkëpunim, për atë që u konsiderua në vendin tonë si “vrasja e shekullit”. Haxhia, i njohur si ish-truproja i ish-Presidentit Sali Berisha, u arrestua në Turqi dhe atje kërkoi edhe mbrojtje, me idenë se në Shqipëri i rrezikohej jeta. Dhe ia arriti. Për 12 vite ai qëndroi në shtetin turk. Por në vitin 2018 ai kërkoi të ballafaqohej në gjykatë me akuzat për vrasjen e bashkëqytetarit të tij me Sali Berishën.

Gjykata e Lartë turke e ekstradoi Haxhinë drejt vendit tonë dhe ai u vendos në paraburgim, ku me kërkesën e tij, çështja u kthye të gjykohet në themel. Seancat për çështjen e tij kanë qenë të panumërta, por pas më pak se 4 vitesh, Haxhia e humbi betejën me drejtësinë, duke mos i shpëtuar dënimit. Dje, Gjykata vendosi ta dënonte me 21 vite burg. Ai u shpall fajtor vrasjen e Azem Hajdarit. Në vendimin e gjykatës, thuhet se “Haxhia u shpall fajtor për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje me paramendim’ e kryer në bashkëpunim, dhe në bazë të nenit 78/2 e 25 të K. Penal, dënimin e tij me 21 vite burgim”. Ai do ta kryejë dënimin në një burg të sigurisë së zakonshme. Gjykata thotë se atij do t’i llogaritet edhe koha e qëndrimit me arrest në burg.

SHQYRTIMI GJYQËSOR 

Në vitin 2020, vrasja e deputetit Azem Hajdari u rigjykua nga e para në dhomën penale në Tiranë. Shkak u bë kërkesa e Izet Haxhisë, i cili kërkoi të përballet në sallën e gjyqit me dëshmitarët, mes tyre ish-Kryeministrin dhe ish-Presidentin Sali Berisha, për të hedhur dritë, sipas tij, me të vërteta të pabëra publike më herët në lidhje me vrasjen e deputetit Hajdari. Haxhia, jo pak herë, kërkoi të njëjtën gjë edhe në Turqi, ku herë pas here në media ai hodhi versionin e tij në lidhje me atë ngjarje të rëndë, për të cilën u akuzua si bashkëpunëtor në vrasje. Haxhia gjithnjë e mohoi këtë fakt, duke hedhur idenë se në fakt ishin të tjerë njerëz që e nxorën në pritë deputetin mbrëmjen e krimit, ndërsa përjashta e priste makina që u tha se ishte e mbushur me tritol.

Gjithnjë Haxhia i ka mëshuar faktit se ndaj Hajdarit ka gjuajtur Fatmir Haklaj, një tjetër tropojan, i cili u eliminua pak kohë pas vrasjes së Azemit, ndërsa në mjet me të ishte edhe emri proverbial i krimit të asaj kohe, Jaho Salihi, i cili u dënua me burgim të përjetshëm. Në të njëjtin mjet u gjend edhe një tjetër person, Naim Çangu, ndërkohë që Haxhia kurrë nuk e pranoi se gjendej në vendin e ngjarjes për të vrarë Azemin, por se ai shkoi të shihte se kush ishte te mjeti që po priste pak metra larg zyrave të godinës së vjetër të PD-së. Pak kohë më vonë, në një intervistë të sajën, ishte motra e Fatmir Haklajt që hodhi poshtë versionin se vëllai i saj kishte shkuar të vriste Azemin, por se ai ndodhej aty për të takuar një person tjetër.

Sipas saj, Fatmiri kurrë nuk e tregoi personin që donte të takonte, ashtu siç asnjëherë nuk u zbardh e vërteta e asaj vrasjeje që tronditi vendin, duke u konsideruar edhe si “vrasja e shekullit”. Paçka se procesi për atë krim ka zgjatur me vite, deri ditën e djeshme, prokuroria dhe as gjykata nuk e kanë zbardhur motivin real të ekzekutimit të Azem Hajdarit.

ROLI I HAXHISË

Edhe pse Izet Haxhia ka folur me qindra herë për vrasjen e deputetit Azem Hajdari mbrëmjen e 12 shtatorit të 24 viteve më parë, duke u përpjekur të sqarojë pozicionin e tij në lidhje me atë krim, ai gjithnjë u dyshua si personi që nxori në pritë Azemin. Haxhia e ka mohuar me forcë këtë fakt, duke thënë se: “Nuk e nxora unë Azem Hajdarin në pritë. Para se të vritej, Hajdari ishte në takim me Sali Berishën. Azemi u njoftua se jashtë PD-së ishte një mjet me tritol. Kur e informoi këshilltari, ishte në zyrën e Berishës. Kur doli te makina, Azemi trokiti te xhami. Jaho Mulosmani ishte shofer i makinës, nuk qëlloi. Ai që qëlloi ishte Fatmir Haklaj. Kur ndodhi ngjarja, unë isha me Halil Haklajn (vëllai i madh i Fatmirit)”, ka thënë Haxhia ndër rrëfimet e shumta publike për vrasjen.

VRASJA 

Nga informacionet e shumta që kanë qarkulluar për vrasjen e Hajdarit, u bë me dije se Azem Hajdari doli nga hyrja kryesore e selisë së Partisë Demokratike dhe u drejtua për në anën e majtë, drejt makinës që ishte e ndaluar, duke trokitur në xham. Në këtë moment, nga mjeti u tha se ka dalë Fatmir Haklaj duke iu afruar me një kallashnikov në duar. Më pas, nga makina ka dalë edhe Jaho Salihi (Mulosmani) dhe Naim Çangu, që të dy të armatosur. Në këto momente, Besim Çera, truproja i Hajdarit, i vendosur në anën e majtë të tij, bllokon armën e Fatmir Haklajt me duar. Sipas të dhënave të kohës, u bë me dije se drejtimi i tytës së kësaj arme ishte drejtuar nga Zenel Neza dhe Naim Çangu dhe nga e djathta në të majtë të Fatmir Haklajt.

Kur sheh se Fatmirit i bllokohet arma, Jaho Salihi afrohet dhe pretendohet se ka qëlluar me një pistoletë 9 vmm në kokë Besim Çerën. Duke parë që Çera kishte rënë në tokë, Fatmir Haklaj dyshohet se i tërheq këmbëzën e kallashnikovit duke realizuar qitje të pakontrolluara, që kanë kapur pa dashje edhe Zenel Nezën dhe mikun e tij, Naim Çangun. Kur ka parë në tokë edhe mikun e tij, ai ka drejtuar armën nga Azem Hajdari. Madje asokohe u fol se mbi Azemin u qëllua me dy armë, duke lënë të kuptohet se ishte përdorur edhe pistoleta e Jaho Salihit. Pas vrasjeve, Fatmir Haklaj mori mikun e tij dhe e futi në mjet. Më pas e çoi në spital dhe e la aty.

Izet Haxhia, i cili u vu nën akuzë bashkë me vëllezërit e tij, gjithnjë ka deklaruar se Fatmir Haklaj i kishte thënë se donte të takonte 2 persona, konkretisht Myftar Lumneshin dhe Dem Dollapin, për një kasetë të regjistruar në vitin 1997 në Tropojë. Por Haxhia ka treguar se edhe përpara vrasjes së Azemit ka qenë nën shoqërinë ë Haklajve dhe të Salihit. Detajet e asaj ngjarjeje vazhdojnë e trondisin edhe sot e kësaj dite, kur po bëhen 24 vjet nga vrasja e Azem Hajdarit.

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

“Kosova është e pavarur, Serbia duhet ta njohë!” Shkrimtarja serbe ia thotë në sy Vuçiçit të vërtetën

Story i radhës

Со зонско во Карпош 1 ќе се добијат 400 паркинг-места и 300 во Карпош 2

Të fundit nga

Elon Musk bëri thirrje për bojkot të Wikipedias

Miliarderi kontrovers, Elon Musk, edhe një herë ka vënë në shënjestër Wikipedian, për shkak të redaktorëve “me prirje të majtë”. Elon Musk njoftoi në platformën X se përdoruesit duhet të ndalojnë së
ShkoLartë