vrasja e dyfishte ne dukagjin zbardhen detaje dy persona i zune prite makines babe e bir u qelluan me bresheri 6a8bf7efaf294

Vrasja e dyfishtë në Dukagjin, zbardhen detaje/ Dy persona i zunë pritë makinës, babë e bir u qëlluan me breshëri

August 24, 2026
min lexim

Një pritë e armatosur në rrugën e Xhanit në Dukagjin i mori jetën babë e bir, Prelë Gjonit, 82 vjeç, dhe djalit të tij, Lekë Gjonit, 57 vjeç. Në atentat mbeti i plagosur edhe Lazër Bashi, i cili ndodhej rastësisht në automjet.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur rreth orës 16:00, ndërsa viktimat po udhëtonin me një fouristradë nga banesa e tyre e vjetër në Dukagjin në drejtim të Shkodrës. Rreth dy kilometra pas ndarjes së rrugës së Pultit me Shoshin, automjeti është qëlluar me breshëri nga persona ende të paidentifikuar.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë automjetin e bërë shoshë nga plumbat. Shoferi, Lekë Gjoni, humbi jetën në vend, ndërsa bashkë me të u vra edhe babai i tij, Prelë Gjoni. Mjeti përfundoi në anë të rrugës pas breshërisë së armëve.

Në vendngjarje janë gjetur më shumë se 50 gëzhoja. Sipas të dhënave paraprake të hetimit, autorët kanë përdorur të paktën dy armë, një kallashnikov dhe një MP5, çka përforcon dyshimet se në atentat kanë marrë pjesë të paktën dy persona.

Lazër Bashi, i cili ndodhej në pjesën e pasme të automjetit, mbeti i plagosur. Fillimisht ai u dërgua në Spitalin e Shkodrës dhe më pas drejt Tiranës për mjekim të specializuar. Gjendja e tij raportohet jashtë rrezikut për jetën.

Pas marrjes së njoftimit rreth orës 17:20, në zonë u nisën forca të shumta policie, ndërsa në operacion u angazhuan edhe efektivë të RENEA-s. Për shkak të terrenit të thellë malor, largësisë dhe vështirësisë së aksesit, forcat e Policisë mbërritën në vendngjarje rreth orës 19:00.

Hetuesit kanë nisur kontrollet në zonën përreth për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Terreni i thyer, mungesa e sinjalit telefonik dhe e kamerave të sigurisë në rrugët e zonës e vështirësojnë ndjeshëm punën për gjurmimin e tyre.

Familjarët e Prelë dhe Lekë Gjonit kanë deklaruar para hetuesve se babë e bir nuk njiheshin si persona problematikë dhe nuk kishin dijeni për konflikte të mundshme. Sipas tyre, një ditë para ngjarjes ata kishin shkuar në banesën e vjetër në Dukagjin, ku mbanin edhe disa koshere bletësh, dhe po ktheheshin drejt banesës së tyre në Grudë të Shkodrës.

Pavarësisht deklarimeve të familjarëve se viktima nuk kishte konflikte, grupi hetimor po verifikon disa pista. Një prej tyre lidhet me jetën personale të 57-vjeçarit dhe divorcin e tij rreth tre muaj më parë nga bashkëshortja, me të cilën kishte katër fëmijë. Megjithatë, deri tani nuk ka prova konkrete që e lidhin divorcin me atentatin dhe kjo mbetet vetëm një pistë hetimore.

Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për të zbardhur motivin, identifikuar autorët dhe dokumentuar dinamikën e plotë të vrasjes së dyfishtë dhe plagosjes.

Pamjet nga vendi i ngjarjes dëshmojnë intensitetin e sulmit, me automjetin e viktimave të goditur nga një numër i madh plumbash, ndërsa autorët kanë mundur të largohen nga zona përpara mbërritjes së forcave të Policisë.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

arrestohet nje person ne podujeve nen dyshimin per dhune ne familje 6a8bf774a9ea5
Lajmi i mëparshëm

Arrestohet një person në Podujevë nën dyshimin për dhunë në familje

pse industria gjermane po zhvendoset ne hungari 6a8bf850675cb
Lajmi i radhës

Pse industria gjermane po zhvendoset në Hungari?

Të fundit nga

Jennifer Lopez mahnit me fustanin e bardhë

Jennifer Lopez ka tërhequr vëmendjen me paraqitjen e saj të fundit në Los Angeles, ku u shfaq me një fustan elegant veror. Këngëtarja 57-vjeçare u fotografua duke lënë një vilë në West
ShkoLartë