Numri i përdoruesve të shërbimeve celulare sipas kartave SIM ishte rreth 3,48 milionë në fund të 2021, një rritje me 4.4% krahasuar me një vit më parë.
Raporti më i fundit i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregon se numri i përdoruesve aktivë në fund të vitit që lamë pas ishte 2.61 milionë përdorues çka përbën një rritje me 4.1% krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë.
Vodafone Albania është operatori më i madh në vend me rreth 1,53 milionë përdorues sipas kartave SIM dhe rreth 1,19 milionë përdorues aktivë të shërbimeve celulare. Krahasuar me vitin 2020, Vodafone Albania kishte një rënie me 2.2% të përdoruesve sipas kartave SIM dhe 3.1% rënie në numrin e përdoruesve aktivë.
One Telecommunications vjen i dyti me rreth 1.4 milionë përdorues sipas kartave SIM dhe rreth 1,03 milionë përdorues aktivë. Kompania ka shënuar një rritje me 14% në numrin e përdoruesve sipas kartave SIM dhe 7.4% të përdoruesve aktivë krahasuar me një vit më parë.
Së fundi ALBtelecom kishte 544 mijë përdorues sipas kartave SIM dhe 405 mijë përdorues aktivë, një rritje me 1.6% dhe rënie me 3.9% respektivisht krahasuar me një vit më parë.
Në fund të 2021 Vodafone kishte 66% të përdoruesve me parapagesë, numrin më të ulët, ndjekur nga ALBtelecom me 75% me parapagesë dhe 77% të One Telecommunications.
Çdo përdorues mesatarisht konsumon 6.8GB internet në muaj, një rritje me 52% krahasuar me 2020.
Tregu i komunikimeve elektronike në Shqipëri pritet të ndryshojë konfigurim ndërsa One Telecommunications dhe ALBtelecom u blenë nga kompania Hungareze 4iG.
Blerjet janë aprovuar nga autoritetet Shqiptare duke i hapur rrugë kështu tkurrjes së numrit të operatorëve nga 3 në 2 dhe shkrirjen e pashmangshme të One Telecommunications dhe ALBtelecom në një kompani të vetme.
Kompania e re do të ishte operatori celular më i madh në vend duke kapërcyer Vodafone Albania ndërsa në segmentin e shërbimeve fikse gara është ngushtuar ndjeshëm. /PCWorld Albanian