Në Shqipëri, sot pasdite skadoi pa asnjë emër afati për paraqitjen e kandidaturave për presidentin e ri të vendit
Në këtë mënyrë votimi i parë i parashikuar për nesër pasdite, do të digjet, për të vijuar procedurat me raundin e dytë, i cili duhet të zhvillohet brenda 7 ditëve.
Socialistët vijojnë t’i qëndrojnë pozicionit se nuk kërkojnë të zgjedhin një president të partisë së tyre, dhe se janë të gatshëm për një emër konsensual. Të premten ata zhvilluan bisedime me dy nga tre grupet parlamentare të opozitës. Kryetari i grupit parlamentar demokrat Enkelejd Alibeaj, shmangu bisedimet, duke dërguar një dokument me kriteret që, sipas tij, duhet të plotësojë një kandidat për kreun e shtetit, e duke deklaruar se mbetet në pritje të një reagimi nga shumica. Përçarja ne gjirin e deputetëve demokratë e ka komplikuar situatën. Mbështetësit e ish kryeministrit Sali Berisha, të cilët kanë kontrollin e partisë, kanë caktuar negociatorë të tjerë. Por socialistët janë shprehur prerë se nuk komunikojnë dhe nuk do pranojnë propozime nga zoti Berisha dhe njerëzit e tij.
Kaosi në grupin e demokratëve po ndikon dhe të përfaqësuesit e tjerë të opozitës. Grupi Aleanca për Ndryshim, i përbërë nga disa prej aleatëve të Partisë Demokratike, ka deklaruar që nëse nuk do të ketë një konsensus brenda vetë opozitës, nuk do të shprehet për çështjen e presidentit të ri.