Një shpërthim u rregjistrua mbrëmjen e së hënës, rreth orës 22.00, në portën e jashtme të banesës së presidentit të Federatës së futbollit Armand Duka në qytetin e Durrësit. Nga shpërthimi ka patur vetëm disa dëme material. Zoti Duka nuk ndohej në shtëpi në momentin e shpërthimit. Në banesë siç pohoi pak më vonë ai vetë, ndodhej bashkëshortja dhe djali. “Për fat porta e jashtme është në distancë të largët nga banesa”, deklaroi ai për gazetarët, duke shpjeguar se kamerat e sigurisë “kanë kapur një person me kapuç që vë lëndën plasëse te mekanizmi i hapjes së portës”.
I qetë në dukje, zoti Duka u shpreh se nuk ishte në gjendje të jepte ndonjë shkak apo motiv për ngjarjen, duke shtuar se besonte se policia do ta zbulonte shpejt autorin.
Shpërthimi vjen në një moment kur ai është vënë në qendër të vëmendjes publike. Nga njëra anë, hetimi që po të hënën, prokuroria njoftoi se kishte nisur ndaj tij për shkak të dyshimeve mbi abuzime të mundshme me fondet e UEFA-s. Nga ana tjetër, konflikti i hapur ditët e fundit me Bashkinë e Tiranës, për shkak të procedurave që po ndiqen nga Federata për procesin e zgjedhjes së kreut të ri të saj, në muajin mars. Bashkia e Tiranës është aksionere në Klubin sportin Tirana, dhe si e tillë, sipas kryetarit Erion Veliaj, duhet të thotë fjalën e vet në këtë proces.
Për ngjarjen e mbrëmjes reagoi presidenti Ilir Meta, i cili foli për një “akt terrorist në familjen e Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit”. Ai i bëri thirrje “të gjithë institucioneve ligjzbatuese të zbardhin me transparencë këtë ngjarje shumë të rëndë. Një akt i tillë kriminal, në vijim të dhunës verbale, shantazhit dhe presioneve publike, shton emergjencën për ndalimin sa më parë dhe nxjerrjen para drejtësisë të frymëzuesve dhe autorëve”.
Ndërsa për kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha “zhvillimet rreth FSHF-së, tregojnë edhe njëherë degradimin e një pushteti të korruptuar që qëllim të vetëm ka zaptimin me çdo mjet, të çdo institucioni. Strategjia e tensionit e shpalosur ditën e sotme, që kulmoi me eksplozivin e vendosur këtë mbrëmje në banesën e familjes Duka duhet të ndërpritet me urgjencë dhe drejtësia të mos qëndrojë duarkryq”.