VOA: KQZ lë grupimin e Berishës jashtë koalicionit LSI-PDK

February 4, 2022
min lexim

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve vendosi sot të regjistrojë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit koalicionin “Shtëpia e Lirisë”, të përbërë nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Demokristiane.

Komisioneri rrëzoi nga kërkesa e tyre një pjesëtar të tretë të koalicionit, i renditur në dokument si Partia Demokratike – Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve regjistroi sot si garues në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit koalicionin Shtëpia e Lirisë me vetëm 2 nga 3 pjesëtarët që e kërkuan atë.

Ai vendosi që koalicioni përbëhet nga LSI dhe PDK, por nuk përfshiu në të edhe Komisionin e Rithemelimit të PD me përkrahësit e ish kryeministrit Sali Berisha.

“Kërkesa reflekton konfliktualitet sipas neneve 65 dhe 66 të Kodit Zgjedhor me interesat e ligjshme të një partie tjetër politike. Kërkesa për të përfshirë në simbole, në sigla elemente që lidhen me Partinë Demokratike, nuk mund të pranohen” – tha komisioneri Ilirjan Celibashi.

Përfaqësues të partive politike debatuan në mbledhjen e sotme të KQ-së lidhur me kërkesën e LSI që bashkë me të dhe me PDK të regjistrohej në koalicion edhe Komisioni i Rithemelimit me ndjekësit e ish kryeministrit Berisha, dhe nëse kjo kërkesë ishte apo jo në përputhje me nenet 64 e 65 të Kodit zgjedhor.

Përfaqësuesi i PD-së tha se kërkesa për koalicion cënon nene të Kodit Zgjedhor dhe keqpërdor simbolet dhe përfaqësimin e një force politike që drejtohet nga Lulzim Basha

Juristi i PD-së pranë KQZ-së, tha se kryetari Lulzim Basha përfaqëson Partinë Demokratike dhe se kërkesa për koalicion me 3 forca ishte ligjërisht e parregullt.

Ndërsa përfaqësuesi i LSI-së këmbënguli se kërkesa ishte e rregullt dhe pretendimet e PD-së ishin politike dhe të paqarta ligjërisht.

Pas vendimit të Komisionerit për të rrëzuar nga koalicioni shtëpia e lirisë komisionin e rithemelimit, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, deklaroi përtej çdo makinacioni dhe mashtrimi politik, në 6 Mars ka vetëm një Parti Demokratike në zgjedhje. Ndërsa komisioni i rithemelimit, deklaroi se qeveria po bën çdo gjë, që opozitën ta përfaqësojë Lulzim Basha dhe ish ministrat e tij, të cilët i ka marrë peng.

Megjithatë, sipas komisionit, demokratët do votojnë si njerëz të lirë për kandidatët e “Shtëpisë së Lirisë”, ku janë përfshirë mbështetësit e ish kryeministrit Sali Berisha.

Diplomatët amerikanë kanë përsëritur se përcaktimi i ish kryeministrit Sali Berisha dhe familjes së tij për korrupsion dhe cënim të demokracisë është një vendim i pakthyeshëm.

Në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit për bashkitë Shkodër, Durrës, Dibër, Vorë, Lushnje dhe Rrogozhinë, kanë kërkuar të marrin pjesë 11 parti politike.

Komisionet zgjedhore tashmë janë ngritur, dhe janë përcaktuar vendet e numërimit të votave, ndërsa në bashkinë Vorë pritet të zbatohet projekti pilot për procesin e votimit dhe numërimit elektronik të votave./voa

GAZETA.MK

MARKETING

MARKETING

RENT A CAR

MARKETING

Story i mëparshëm

Man Utd shkon në vazhdime me ekipin nga liga e dytë

Story i radhës

Pletiçkovski: Është herët të shpallet fundi i pandemisë

Të fundit nga

ShkoLartë